10 Mars 2024

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Grigels Muçollari, reagoi sot nga selia blu për mbylljen e Muzeut Historik Kombëtar.

Ai deklaroi se gjithçka po bëhet në fshehtësi dhe kjo mund të lidhet me dy gjëra: ose firma e thjeshtrës ‘Casanova Hernandez’ që ka restauruar ballinën e Muzeut, do të marrë në dorë edhe pjesën tjetër të një projekti multimilionësh, ose Muzeu do shembet për t’i lënë vendin një kompleksi kullash.

Ai thekson se edhe ky projekt për rikonstruktim do të shoqërohet edhe me kullë.

“Si Rama dhe Veliaj, të dy e kanë CV-në plot me objekte me kullë. Stadium me kullë, teatër me kullë, pse jo edhe një muze me kullë. Pa kullë nuk mbyllet pazari. Pretekste gjejnë plot. Tërmeti, lagështia, vjetërsia, kalbësia, e të tjera”, shprehet ai.

Muçollari nënvizoi se PD kërkon sqarim të menjëhershëm nga autoritetet që vendosën mbylljen dhe pse ka mungesë transprence në këtë proces. “Vendimet e fshehta dhe familjare, për të ndërhyrë në peizazhin arkitektonik dhe urban të kryeqytetit, sipas modelit të firmave fap e fap, është një fyerje për kryeqytetasit, për taksapaguesit, për shqiptarët. Mbyllja e Muzeut nuk është projekt në interes publik, por me siguri plan i Ramës së ikonave dhe dy gonxheve të tij politike për të ndryshuar Tiranën sipas oreksit dhe për ta ngopur oreksin monetar në kurriz të hapësirave dhe shpenzimeve publike”, shprehet ai. 

Muzeu Historik Kombëtar do të mbyllet për 4 vite. Institucioni më i rëndësishëm kulturor dhe një ndër destinacionet kryesore të një turisti që prek Tiranën do të ulë qepenin nga ky 15 mars deri në 15 marsin e vitit 2028.

DENONCIMI për rikonstruktimin e Muzeut Kombëtar: Pa kullë nuk

Grigels Muçollari

Deklarata e plotë: 

Muzeu Historik Kombëtar do të mbyllet për një periudhë katërvjeçare. Qeveria ka vendosur të kyçë muzeun më të madh në vend, dhe e bën këtë duke kyçur edhe informacionin për qytetarët, të cilin e ka detyrim. Cili është projekti, pse mbyllet muzeu, sa do të kushtojë, kush e ideoi, kush e bën, kush e financon, pse e me radhë.

Deri më sot nuk ka asnjë komunikim zyrtar lidhur me këtë.

Kjo fshehtësi lidhet me dy gjëra: ose firma e thjeshtrës ‘Casanova Hernandez’ që ka restauruar ballinën e Muzeut, do të marrë në dorë edhe pjesën tjetër të një projektit multimilionësh, ose Muzeu do shembet për t’i lënë vendin një kompleksi kullash.

Mos u habisni nëse, ashtu si me Teatrin Kombëtar, së shpejti, me të njëjtin model, të shihni një kullë me biznese për miqtë e partisë në kat të parë, muze në kat të dytë, dhe rezidenca e zyra në katet e tjera.

Si Rama dhe Veliaj, të dy e kanë CV-në plot me objekte me kullë. Stadium me kullë, teatër me kullë, pse jo edhe një muze me kullë. Pa kullë nuk mbyllet pazari. Pretekste gjejnë plot. Tërmeti, lagështia, vjetërsia, kalbësia, e të tjera.

Mos harroni edhe një element të ri: dyshes kleptokrate Rama-Veliaj i shtohet edhe një ‘dorë e vjetër’ e kullave dhe digave, një kleft i stërvitur, Blendi Gonxhja, si ministër i Kulturës dhe Financave.

Me këta të tre, mbyllja pa transparencë e muzeut më të madh në vend nuk mund të jetë tjetër veçse një projekt zhvatjeje, me apo pa kullë, nuk ka rëndësi.

Partia Demokratike kërkon publikisht dhe për hir të interesit publik:

1) Sqarim të menjëhershëm nga autoritetet që vendosën mbylljen: Mbi cilën ekspertizë dhe me cilën konsulencë është bërë?

2) Angazhimin e vëmendjes së opinionit publik dhe nxitjen e aktorëve të shqetësuar për trashëgiminë kulturore dhe muzeale, që bashkë me organizatat e shoqërisë civile, të bëhen të gjallë e të veprojnë brenda rolit të vet!

3) në mungesë të transparencës, fillimin e menjëhershëm të hetimeve nga organet përgjegjëse.

Vënia e Muzeut Kombëtar të shqiptarëve ne dispozicion të firmës së thjeshtrës së Kryeministrit për katër vjet është tallje publike me qytetarët.

Kujtojmë se vetëm për restaurimin e ballinës së Muzeut janë paguar 13 milionë euro dhe, si shumë projekte të tjera në fushën e ndërtimit dhe arkitekturës, i ka shkuar studios ‘Casanova Hernandez’ dhe partnerit lokal ‘I RI’, të dyja firma të lidhura me thjeshtrën e kryeministrit.

Muzeu Kombëtar është pasuri publike, në rolin e vet si institucion apo si ndërtesë. Trajtimi si ent privat i familjes kryeministrore dëshmon degradimin e shtetit në duart e atyre që kanë në sy vetëm fitimet e pushtetit dhe privilegjet e tij.

Vendimet, e fshehta dhe familjare, për të ndërhyrë në peizazhin arkitektonik dhe urban të kryeqytetit, sipas modelit të firmave fap e fap, është një fyerje për kryeqytetasit, për taksapaguesit, për shqiptarët. Mbyllja e Muzeut nuk është projekt në interes publik, por me siguri plan i Ramës së ikonave dhe dy gonxheve të tij politike për të ndryshuar Tiranën sipas oreksit dhe për ta ngopur oreksin monetar në kurriz të hapësirave dhe shpenzimeve publike.

Ka vetëm një mënyrë për ta hequr dorën e tyre nga xhepi i qytetarëve dhe zhvatja e pasurive publike: rrëzimi! O sot, o kurrë!

CNA