Delina Ibrahimaj zgjuar për festa, jep me 1 euro, 52 mijë m2 në Porto Romano

10 Janar 2026
Ndërkohë që shqiptarët përgatiteshin për Vitin e Ri 2026, me një vendim të qeverisë të datës 30 dhjetor të vitit 2025 janë dhënë plot 52 mijë metra katrorë truall me qira për 1 euro në Porto Romano.
CNA prej disa ditësh është përpjekur të bëjë një investigim për të nxjerrë dokumentet, faktet dhe provat, në lidhje me një pasuri, e cila ngelet ende pronë e shtetit sipas hartave dhe kartelave bashkëngjitur deri në një vendim gjykate pasi mund të ketë probleme dhe pretendime pronësie, por kjo pronë është dhënë me qira me 1 euro metri katror.
Pronën e ka dhënë me qira Delina Ibrahimaj, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, e cila e ka kaluar në qeveri vendimin për dhënien e miratimit dhe lidhjen e një kontrate qiraje me 1 euro ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit si qiradhënës dhe shoqërisë “Adriatic Bay Investment Group” sh.p.k. si qiramarrës për pasurinë shtetërore 1/10 Reparti ushtarak 2001, ish-depo e minave në Durrës me vendndodhje Porto Romano, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes.
Pra, pikërisht në Porto Romano, aty ku po përflitet një problematikë dhe po hidhen akuza në lidhje me ndërtimin e Portit të ri të Durrësit, ministrja Delina Ibrahimaj jep 52 mijë metra katrorë dhe çon në qeveri një vendim që në fund firmoset nga kryeministri Rama, i cili i jep kompanisë “Adriatic Bay Investment Group” 52 mijë e 10 metra katrorë tokë me qira 1 euro për të ndërtuar magazina.
Ky dokument është vendimi i datës 30 dhjetor, pra, kur njerëzit përgatiteshin për festa, qeveria jepte pronat e qytetarëve me qira.
Investigimi është te fakti që në 30 dhjetor, kur njerëzit përgatiteshin për festa, qeveria ishte zgjuar, “nuk kishte” festë. Festë për qeverinë është dhënia e pronave publike me qira.
Sërish qeveria shqiptare, Delina Ibrahimaj, ia ka çuar dokumentet për qiradhënie me 1 euro kompanisë “Adriatic Bay Investment”, por nuk ka bërë një garë. I jepen 52.000 metra katrorë për 52 mijë euro qira, me 1 euro, ndërkohë që në një garë të hapur ndërkombëtare qiraja që do të merrte shteti, buxheti dhe shqiptarët mund të ishte shumë herë më e madhe, ashtu sikundër investimi mund të ishte shumë herë më i madh dhe kolosal sesa ky i paraqituri për rreth 331.6 milionë lekë të rinj në një zonë strategjike që me ndërtimin e portit do të ketë një peshë shumë të madhe dhe një vlerë shumë kolosale.
Por ne kemi mundur të sigurojmë edhe kontratën e qirasë, e cila tregon se qiramarrësi do ta përdorë për magazina dhe do të ndërtohet në dy faza.
Faza e parë, dy vjet investimi parashikohet rreth 111 milionë e 365 mijë lekë të rinj për vit (111,365,000).
Faza e dytë, e cila do të zgjasë 3 vite, investimi parashikohet rreth 36 milionë e 310 mijë lekë të rinj në vit. Investimi pritet të zgjasë rreth 5 vjet (36,310,000).
Pra, në total, investimi në dy vitet e para shkon rreth 222.7 milionë lekë të rinj dhe 108.9 milionë lekë të rinj në tri vitet e tjera.
Pra, një total prej 331.6 milionë lekësh të rinj investime, ku pritet të punësohen rreth 20 punonjës dhe kryesisht investimi do të ketë të bëjë me magazina për bujqësinë etj., por edhe për eksportin.
Dhënia me qira e kësaj sipërfaqeje është pikërisht afër ndërtimit të portit të ri që pretendohet në Porto Romano në Durrës.
Kompania tashmë do të ndërtojë magazinat në një pronë që ka dhe pikëpyetje siç ka dhe shënimet më poshtë në kartela.
Prona është dhënë me qira për 1 euro për 20 vite dhe brenda një muaji nga nënshkrimi kontrata do të regjistrohet në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.
Gjithçka duhet të jetë në hapat e firmosjes së kontratës. Jemi më 10 janar në publikimin e këtij shkrimi dhe Delina Ibrahimaj, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, ka bërë inovacion në datën 30 dhjetor kur njerëzit përgatiteshin të festonin Vitin e Ri, gatuajnë, mblidhen familjarisht, Delina çon në qeveri një vendim të tillë.
Kështu rastisi edhe vendimi për inceneratorët në vitin 2014.
Mjafton të shikojmë kartelën e pasurisë së paluajtshme në faqen 2 ku thuhet se regjistrohet e drejta e parablerjes me vendim të Gjykatës së Apelit.
Ka një vendim për objektin e datës 25.06.2019, pra atë që ne përmendëm më lart dhe më pas janë të gjitha hartat dhe kartelat në lidhje me këtë pronë.
Është e qartë. Qeveria shqiptare, nëpërmjet Delina Ibrahimajt, ka dhënë 52.000 metra katrorë tokë, të cilat ende pretendohen prona shtetërore, me qira 1 euro në Porto Romano në 30 dhjetor.
Po ta lidhim paksa me aktualitetin, me përmbytjet, me ndërtimin e portit të Durrësit, me situatën që ndodhi në këto zona, qeveria, Delina Ibrahimaj, kryeministri Rama vazhdojnë të ndjekin të njëjtën rrugë me dhënie me qira të pronave në një zonë që do të ndërtohet një port pa pasur një garë të vërtetë, pasi kjo pasuri mund të nxirrej në një ankand publik dhe mund të jepej me një qira shumë herë më të lartë edhe nga investitorë që mund të ofronin shumë herë më tepër pasi ndodhet në një vend shumë strategjik siç do të jetë porti i ri i Durrësit./ Marrë nga CNA
Nga OraNews
