Delegacioni i SPAK zhvilloi 12 takime të nivelit të lartë me homologë nga SHBA, Kolumbia, Ekuadori, Ukraina, Paraguaji dhe Argjentina.
3 Shtator 2026
Shqipëria, strehë për kartelet e drogës, qeveria “Rama” nën shënjestër të Trump, SHBA fut SPAK-un në operacionin gjigant global, 12 takime me DEA-n për “peshqit e mëdhenj”, çfarë pritet të ndodhë?
SPAK po hyn në një fazë të re të bashkëpunimit ndërkombëtar kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar. Në pak muaj, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho, dhe prokurorë të SPAK janë bërë pjesë e takimeve të përsëritura të strukturave amerikane të antidrogës, ndërsa këtë herë janë ulur në Buenos Aires në konferencën ndërkombëtare IDEC40 të organizuar nga DEA.
Në këtë forum nuk u diskutua thjesht për shkëmbim informacioni. Objektivi është integrimi operacional, koordinimi dhe bashkërendimi i veprimeve kundër organizatave kriminale ndërkombëtare. Pas konferencës, delegacioni i SPAK zhvilloi 12 takime të nivelit të lartë me homologë nga SHBA, Kolumbia, Ekuadori, Ukraina, Paraguaji dhe Argjentina.
Për Shqipërinë, pjesëmarrja merr një tjetër përmasë. DEA ka prej vitesh prani në Tiranë dhe tashmë SPAK është futur në një mekanizëm ku në të njëjtën tryezë janë vendosur vendet ku prodhohen e tranzitohen droga dhe strukturat që ndjekin rrjetet kriminale deri në destinacionet europiane.
Kolumbia dhe Ekuadori janë veçanërisht të rëndësishëm në këtë panoramë, pasi grupet shqiptare janë përfshirë në trafikun e kokainës nga Amerika Latine drejt Europës, ndërsa paratë e krijuara nga narkotrafiku lidhen me pastrimin e kapitalit, investime kriminale dhe depërtimin në ekonominë formale.
Politika dhe krimi
Këtu dosja e drogës përplaset drejtpërdrejt me politikën shqiptare. Sepse nëse rrjetet kriminale shqiptare kanë arritur të shtrihen deri në Amerikën Latine, të lëvizin shuma marramendëse dhe të rikthejnë kapitalin në Shqipëri përmes investimeve, ndërtimeve e kontratave publike, atëherë nuk mund të flitet më vetëm për trafikantë që veprojnë jashtë sistemit.
Në këtë skenar, akuza ndaj qeverisë së Edi Ramës është se krimi i organizuar nuk ka gjetur thjesht një shtet të paaftë për ta ndalur, por një sistem ku mund të krijojë lidhje me pushtetin, të sigurojë hapësirë për bizneset e tij dhe të riciklojë paratë e drogës në ekonominë shqiptare. Kjo e zhvendos përgjegjësinë nga rruga te zyrat e shtetit. Tenderët publikë, lejet e ndërtimit, investimet dhe pasuritë bëhen hallka ku duhet kërkuar destinacioni i parave
Nëse persona të lidhur me botën kriminale vazhdojnë të kenë akses në këto mundësi edhe kur ndodhen në burg ose në arrati, atëherë dyshimi nuk ndalet te organizatat që trafikojnë drogën. Ai shkon te njerëzit që ua mundësojnë këtyre rrjeteve të funksionojnë.
Në këtë pikë, emri i Edi Ramës del në qendër të përplasjes politike. Akuza që ngrihet në këtë skenar është se pushteti i tij ka toleruar, favorizuar ose lehtësuar krijimin e një terreni ku grupet kriminale mund të shndërrojnë paratë e drogës në fuqi ekonomike dhe politike.
Zinxhiri
SPAK tashmë ka përpara një provë shumë më të madhe se arrestimi i individëve të veçantë. Bashkëpunimi me DEA-n dhe autoritetet e Kolumbisë, Ekuadorit, Argjentinës dhe vendeve të tjera i jep mundësinë Prokurorisë Speciale të ndjekë të gjithë zinxhirin: nga trafiku, te paratë, nga pastrimi, te investimet dhe nga kompanitë, te lidhjet politike. Nëse dosjet ndërkombëtare sjellin në Shqipëri emra, transferta, kompani dhe gjurmë financiare, atëherë hetimi nuk mund të përfundojë te një grup trafikantësh.
Ai duhet të shkojë te ata që kanë përfituar nga ky sistem. Kjo është edhe arsyeja pse zhvillimi në Buenos Aires merr peshë të veçantë. SPAK nuk po bashkëpunon më vetëm me partnerët europianë për krimin shqiptar. Prokurorët shqiptarë po vendosen në një rrjet ndërkombëtar ku ndiqen organizatat kriminale që operojnë në disa kontinente dhe ku Amerika Latine është një prej pikave kryesore të luftës kundër kokainës.
Ndërkohë, në SHBA është raportuar më herët edhe nisma e republikanit Joe Wilson në Kongres, ku kërkohet një raport i klasifikuar mbi përmasat e trafikut të drogës në Shqipëri dhe rolin e qeverisë shqiptare në lehtësimin apo mundësimin e tij. Nisma amerikane e shton presionin mbi qeverinë Rama, pasi vendos në fokus jo vetëm aktivitetin e grupeve kriminale, por edhe përgjegjësinë e strukturave shtetërore dhe politike për krijimin e kushteve që mund t’u kenë lejuar këtyre rrjeteve të fuqizohen.
Sinjali
Pra nga njëra anë, SPAK futet në zemër të operacionit ndërkombëtar të DEA-s. Nga ana tjetër, në Kongresin amerikan kërkohet që institucionet amerikane të hetojnë pikërisht përmasat e trafikut të drogës në Shqipëri dhe rolin e qeverisë. Presioni kështu nuk vjen më vetëm nga Tirana. Nëse bashkëpunimi ndërkombëtar prodhon prova për lidhjet mes grupeve shqiptare, parave të kokainës, investimeve dhe strukturave politike, atëherë dosja mund të marrë një tjetër drejtim.
Në qendër nuk do të jetë më vetëm pyetja se kush e trafikon drogën, por kush e ka ndihmuar sistemin kriminal të depërtojë në shtet. Dhe ky është momenti ku SPAK do të duhet të tregojë nëse lufta kundër krimit të organizuar ndalet te trafikantët apo vazhdon deri te mbështetësit, garantuesit dhe përfituesit politikë të këtij sistemi. Në skenarin më të rëndë për qeverinë Rama, rruga e parave të kokainës nuk do të përfundojë te një magazinë, një port apo një grup kriminal.
Ajo mund të vazhdojë përmes kompanive, investimeve, tenderëve dhe lidhjeve të pushtetit, duke e kthyer hetimin e SPAK në një përplasje të drejtpërdrejtë me mekanizmin politik që dyshohet se ka lejuar lulëzimin e tij. Nëse Shqipëria është kthyer në një nyje të rëndësishme të rrjeteve ndërkombëtare të drogës, atëherë beteja e vërtetë nuk është më vetëm kundër mafias. Është për të zbuluar se deri ku ka hyrë mafia në shtet dhe sa lart shkon zinxhiri i mbrojtjes së saj.
Nga: Gazeta Sot

