21 Shtator 2022

Ish-këshilltari i Vladimir Putin, ka pohuar se raketat bërthamore mund të drejtohen në Londër nëse Britania e Madhe vazhdon të jetë një “agresor” kundër Rusisë.

Në programin e BBC-së “Today’s Programme” në Radio 4, Sergei Markov pohoi se “qytetet britanike do të jenë në shënjestër”.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Moskës, dhe vetë ish-këshilltar i Putinit tha: Në Rusi ka mobilizim të pjesshëm dhe për dëgjuesit tuaj britanikë, Vladimir Putin ju tha se do të ishte gati të përdorte armë bërthamore kundër vendeve perëndimore, përfshirë këtu edhe Britaninë e Madhe.”

Mbretëria e Bashkuar, së bashku me aleatët e saj të NATO-s, ka furnizuar Ukrainën me sisteme armësh në mbrojtje kundër pushtimit barbar rus në shkallë të plotë në shkurt.

“Nëse Britania e Madhe do të vazhdojë të jetë agresore kundër Rusisë, nëse kryeministrja Liz Truss ka ende një plan për të shkatërruar Rusinë, njerëzit në Londër duhet të kuptojnë kërcënimin e armëve bërthamore,” shtoi Markov, duke akuzuar Perëndimin.

“Ishte absolutisht e qartë se Rusia nuk ka luftë kundër Ukrainës, nuk ka asnjë arsye për të përdorur armë taktike bërthamore kundër ukrainasve.

“Por Ukraina është e pushtuar nga vendet perëndimore, janë vendet perëndimore që luftojnë kundër ushtrisë ruse, duke përdorur ushtarët ukrainas si skllevër të tyre. Kjo ishte ideja kryesore e Vladimir Putin.”

Gazeta Sot