21 Mars 2024

Danimarka ka njoftuar se do të nisë të rekrutojë gratë në shërbimin ushtarak për herë të parë. Gjithashtu, Danimarka ka ambicie të rrisë buxhetin e saj të mbrojtjes me gati 6 miliardë Dollarë në 5 vitet e ardhshme për të përmbushur objektivat e NATO-s.

“Ne nuk riarmatosemi sepse duam luftë. Ne po riarmatosemi sepse duam ta shmangim atë,” tha kryeministrja e Danimarkës, Metter Frederiksen.

Duke zbuluar reformat të mërkurën, Frederiksen tha se qeveria po kërkonte të arrinte barazi të plotë midis gjinive. Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen tha: Rekrutimi më i fuqishëm, duke përfshirë barazinë e plotë gjinore, duhet të kontribuojë në zgjidhjen e sfidave të mbrojtjes, mobilizimin kombëtar dhe menaxhimin e forcave tona të armatosura.

Gratë në vendin skandinav tashmë mund të bëhen vullnetare për shërbimin ushtarak. Qeveria planifikon të prezantojë rekrutim femrash nga viti 2026, duke e bërë atë vetëm vendin e tretë evropian, krahas Norvegjisë dhe Suedisë që kërkon që gratë të shërbejnë në forcat e armatosura.

Sipas këtyre reformave, shërbimi i rekrutimit do të zgjatet nga 4 në 11 muaj, si për burrat, ashtu edhe për gratë. Forcat e armatosura të Danimarkës aktualisht numërojnë rreth 20,000 personel aktiv, duke përfshirë rreth 9,000 trupa profesionistë.