
Buxheti, në vendnumëro në raport me ekonominë. – Ku janë rreth 18 miliardë euro shpenzime kapitale
4 Maji 2025
Nga Gazeta Sot
Të ardhurat që qeveria arkëton nga taksat që paguajnë bizneset dhe individët kanë ardhur në rritje në vlerë vit pas viti, por në raport me madhësinë e ekonomisë janë luhatur që pas vitit 1998 në kufirin e 26-28% të PBB-së.
Ky nivel është shumë më poshtë se mesatarja e Bashkimit Europian prej 40% e PBB-së, apo dhe se vendet e tjera të rajonit (me përjashtim të Kosovës), që luhaten në 34-40% të PBB-së. Informaliteti i lartë dhe përqendrimi i një pjese të ekonomisë te bujqësia mbeten faktorët që ndikojnë në këtë nivel të ulët të rendimentit buxhetor, TVSH vijon të zërë pjesën më të madhe të të ardhurave, me rreth 30% të totalit. Në vend të dytë janë sigurimet shoqërore me 19%, të ndjekura nga tatimfitimi me 10%, akcizat 9%. Në total, buxhetin e mbajnë në këmbë taksat që paguajnë individët mbi konsumin (TVSH, akciza, taksa doganore) tatimi mbi pagat, tatimi mbi të ardhurat, që kontribuojnë në rreth 70% të totalit.
Po si u janë kthyer mbrapsht këto para taksapaguesve. Niveli relativisht i ulët i të ardhurave kufizon shpenzimet buxhetore, si një parakusht për të ruajtur një deficit buxhetor në nivelin e 1-3% të PBB-së.
Deri në vitin 2009, shpenzimet buxhetore ishin mbi 30% të PBB-së, në kurriz të deficitit dhe borxhit publik. Më pas, ato u ulën nën nivelin e 30% me përjashtim të 2020-2021, kur ishte e nevojshme kryerja e shpenzimeve për të përballuar situatën e krijuar nga pandemia.
Si rrjedhojë e rritjes së të ardhurave me ritme më të shpejta sesa të shpenzimeve, buxheti publik është ulur gradualisht, për të arritur në 54% të PBB-së në fund të 2024-s, niveli më i ulët nga 2008-a. Dy institucionet vlerësuese Moody’s dhe Stanbdard & Poors kanë rishikuar në rritje vitet e fundit vlerësimin për Shqipërinë.
Pas vitit 2017, qeveria eksperimentoi me projektet e Partneritetit Publik-Privat në shumë fusha, pjesa më e madhe e të cilave rezultoi e dështuar, teksa një pjesë e madhe e tyre sot janë në hetim nga SPAK, si inceneratorët, apo koncesionet e shëndetësisë. Pagesat vjetore për këto koncesione ishin mesatarisht rreth 120 milionë euro në vit gjatë 5 viteve të fundit.
Shpenzimet kapitale në raport me madhësinë e ekonomisë ishin më të lartat në 2008-2009, (8.7-8.4% e PBB-së), si rrjedhojë e investimeve për realizimin e rrugës Durrës-Kukës, projekti më i madh i qeverisjes së Partisë Demokratike.
Vitet e fundit, ndonëse shpenzimet kapitale në vlerë e kanë kaluar shifrën e 1 miliard eurove, në raport me PBB-në janë më të ulëta se në vitin 2005.
Që nga viti 2000, shpenzimet kapitale në total, që shkojnë për infrastrukturë, ujësjellës, kanalizime, arsim, shëndetësi etj., kanë arritur në rreth 18 miliardë euro, por vendi ende nuk ka një infrastrukturë të përshtatshme në asnjë drejtim (rrugë, kanalizime, furnizim me ujë, shërbim shëndetësor etj.), duke dëshmuar për një eficiencë të ulët të shpenzimeve të parave të taksapaguesve.
Shëndetësia mbetet e nënfinancuar, me shpenzimet buxhetore për këtë kategori që nuk i kalojnë 3% të PBB-së, nga rreth 7%, që është mesatarja e Bashkimit Europian. Shqiptarët shpenzojnë shumë nga paratë e tyre për t’u kuruar, brenda apo jashtë vendit.
Sipas Bankës Botërore, në vitin 2021, për çdo 100 lekë të shpenzuara për shëndetin, shqiptarët paguan nga xhepi rreth 60 lekë, nga 52 lekë në vitin 2000. Në të kundërt, shteti po financon gjithnjë e më pak për mirëqenien shëndetësore të qytetarëve të vet, me 39.7% të totalit, nga 46.5% në 2000.
Financimi nga xhepi është më i larti në Europë. E dyta pas nesh është Maqedonia e Veriut, me 41.7%, e ndjekur nga Mali i Zi (38.1%), Serbia (35.8). Treguesi më i ulët në rajon është në Bosnjë-Hercegovinë (30.7%), ndërsa të dhënat për Kosovën mungojnë.
Në vendet me të ardhura të larta, ky tregues është më i ulët sesa 20%. Standardet e ulëta të kujdesit shëndetësor janë një nga arsyet që nxisin emigracionin edhe sot. As kapitali human nuk ka marrë rëndësinë e duhur në vite. Shpenzimet buxhetore për arsimin kanë zbritur vitet e fundit në më pak se 3% të PBB-së, nga 5% që është mesatarja europiane.
Rezultatet e testit ndërkombëtar PISA (të standardizuara për shumë vende që vlerësojnë performancën e sistemeve shkollore në përgatitjen e nxënësve) për Shqipërinë sugjerojnë se më shumë se 70% e 15-vjeçarëve nuk janë në gjendje të lexojnë dhe të kuptojnë tekste akademike dhe kanë aftësi të kufizuara në matematikë, teksa vendi shënoi përkeqësimin më të lartë në botë.
Kjo nuk mund të jetë baza për orientimin që duhet të marrë Shqipëria – një ekonomi e bazuar në dije dhe produktivitet të lartë. Vendi ka nevojë për një përmirësim radikal të sistemit arsimor, nga arsimi i hershëm deri në arsimin e lartë, që duket se nuk ka qenë aspak përparësi e politikave qeverisëse./ Monitor