Botime të reja të Akademisë së Shkencave

Kodiku Beratas
Me një botim kritik të pjesës shqip të përgatitur nga Bardhyl Demiraj, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë 2019, 451 f.

Ky botim kritik i tekstit shqip të “Kodikut të Beratit” (njohur ndryshe edhe si “Dorëshkrimi i Kostë Beratit”, kodik i fundit të shekullit XVIII ose i fillimit të shek. XIX) është një tjetër gur që plotëson mozaikun e botimit të trashëgimisë sonë kulturore-letrare, me një tekst të një periudhe kohore me trashëgimi të paktë shkrimore, nga një hapësirë kulturore ku ka mbizotëruar gjuha greke si gjuhë e shkrimit, siç është shekulli XVIII i arealit ortodoks të Jugut.
Botimi shoqërohet me një aparat kritik të hollësishëm e të përpiktë, që i përmban të gjitha ndërhyrjet redaksionale me argumente gjuhësore-filologjike, si dhe të natyrës statistikore, shpjegime të ndryshme që lidhen me interpretimin e tekstit në aspektin gjuhësor e filologjik, të mbështetura në një shqyrtim e vlerësim të gjendjes gjuhësore të fazës së shqipes kur u shkrua teksti, të përkatësisë dialektore të autorëve të dorëshkrimit, të veçorive të shkrimit shqip në arealin ortodoks të Jugut, si dhe në traditën e botimit filologjik të teksteve të këtij areali nga studiues të mëparshëm.

Kodiku Beratas ne shqip

Botimi hedh baza të sigurta për hulumtime të mëtejshme në gjuhën e tekstit, si përfaqësuese e toskërishtes veriore të shek. XVIII, si dhe për shumë çështje që kanë të bëjnë me historinë e shkrimit shqip me alfabetin grek e marrëdhëniet e tij me alfabete të ndryshme origjinale, si dhe me marrëdhëniet e shkrimet në gjuhët fqinje etj.