
‘Boom’ i frikshëm në tregun e pronave/ Të huajt “blejnë” Shqipërinë, investojnë 135 milionë euro në 3 muaj
15 Shtator 2025
Investimet e huaja në Shqipëri po kanalizohen veçanërisht në blerje pasurish të paluajtshme, dhe jo më në sektorët tradicionalë si energjia, apo industria nxjerrëse. Banka e Shqipërisë thotë se në tremujorin e dytë të këtij viti vlera e investimeve të huaja direkte arriti në 398 milionë euro, me rritje prej vetëm 3 milionë euro në raport me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.
34% e këtyre parave u ‘hodhën’ në sektorin e pasurive të paluajtshme, ose gati 135 milionë euro. Praktikisht një në tre lekë të investuara në Shqipëri nga të huajt në periudhën prill-qershor 2025, shkoi për blerje pronash.
Për ekspertët e tregut të pasurive të paluajtshme, Shqipëria është ende një treg me leverdi për të huajt, pasi çmimet e pronave për ata janë të përballueshme. Ndërsa vala e blerjeve të apartamentet nga shtetas jo rezidentë, po vijon të shtrenjtojë pronat në vend.
Praktikisht e gjithë rritja e investimeve ka ardhur nga sektori i pasurive të paluajtshme pasi të gjitha fushat e tjera janë në rënie referuar shifrave të bankës.
Sektori i dytë me vlerën më të madhe të investimeve është ai i aktiviteteve financiare dhe sigurimit me 67 milionë euro ndjekur nga industria nxjerrëse me 43 milionë euro dhe më pas energjia 23 milionë euro dhe komunikacioni me 8 milionë euro investime të huaja në këtë tremujor të dytë të vitit.
Ndërsa në gjashtë muaj vlera e investimeve të huaja direkte rezulton 760 milionë euro, me rritje prej 11 milionë euro krahasuar me vitin 2024. Edhe si periudhë 6-mujore paratë e huaja dominojnë në sektorin e “real estate”.