‘Bomba’ e Kongresit amerikan: Ekonomia e zezë shqiptare komprometon NATO-n, kriza e Ramës po i afrohet pikës kritike

19 Janar 2026
Nga: Gazeta Sot
Kongresi amerikan është i alarmuar nga ekonomia e drogës dhe krimit në Shqipëri.
Një gjë e tillë rezulton nga pyetjet që kongresmenët kanë depozituar për ekspertin amerikan, profesorin e njohur Edward Joseph.
Pyetjet janë dorëzuar pasi Komiteti për Punët e Jashtme zhvilloi një seancë për Ballkanin në dhjetor.
Siç ndodh normalisht pasi këtyre seancave, pyetjet depozitohen me shkrim dhe ekspertët përgjigjen pas disa javësh. Një fakt i tillë tregon se Komiteti për Punët e Jashtme e ka marrë shumë seriozisht temën dhe ka kërkuar përgjigje të menduara mirë.
Në këtë rast, përgjigjet kanë peshë më të madhe se fjalët live në seancë pasi janë të arkivuara dhe përdoren nga Departamenti i Shtetit, Kongresi dhe diplomatët.
Siç shihet nga pyetjet, Kongresi është i shqetësuar për situatën e ekonomisë së paligjshme në Shqipëri.
“Si duhet të vlerësojnë SHBA pasojat për sigurinë nga ekonomia e paligjshme e Shqipërisë?” thuhet në pyetje.
Ndërkohë Joseph shprehet se ekonomi mund të komprometojë NATO-n.
“Raportimet e Departamentit të Shtetit tashmë reflektojnë njohurinë mbi rreziqet për sigurinë që krijon roli i Shqipërisë si qendër kriminale.
Flukset financiare të paligjshme nënçmojnë stabilitetin rajonal, lehtësojnë ndikimin e keq dhe komprometojnë krahun juglindor të NATO-s.
Sfida tani është të kthehet kjo njohuri në veprim politik, duke përfshirë masat e përmendura më sipër (sanksione, mbështetje për SPAK, bashkëpunim rajonal, kontroll për investitorë),” shkruan Joseph.
Vëzhgimi përfundimtar i Joseph për situatën në Shqipëri është ky:
“Me shumë zyrtarë të lartë nën akuzë ose ndalim, kriza e qeverisjes në Shqipëri po afrohet në një pikë kritike.
Progresi drejt anëtarësimit në BE duhet të shoqërohet me reforma reale të sundimit të ligjit.
Ndërkohë që llogaridhënia forcohet, angazhimi ndërkombëtar—veçanërisht presioni i koordinuar SHBA-BE—do të jetë vendimtar”.
