Bilanc lufte, 132 të vdekur nga operacioni i përgjakshëm policor në Rio de Janeiro kundër krimit të organizuar

29 Tetor 2025
Një operacion i përgjakshëm policor në Rio de Janeiro të Brazilit ka përfunduar me të paktën 132 viktima, sipas bilancit më të fundit të publikuar të mërkurën nga zyra e Avokatit të Popullit të shtetit të Rios. Aksioni, i drejtuar kundër grupeve të krimit të organizuar, u zhvillua dje në disa lagje të varfra të qytetit.
Sipas raportimeve të agjencisë Reuters, mëngjesin e sotëm mbi 40 trupa të pajetë u panë të shtrirë në një rrugë të kompleksit të favelave Penha, në veri të Rios. Banorët, të dëshpëruar në kërkim të të afërmve të zhdukur, kishin nxjerrë trupat në rrugë për t’i identifikuar.
Operacioni vjen vetëm disa ditë para se Rio de Janeiro të presë një sërë eventesh ndërkombëtare të lidhura me Konferencën e OKB-së për Klimën (COP30), përfshirë samitin global të kryebashkiakëve të rrjetit C40 dhe ceremoninë e çmimit “Earthshot”, të themeluar nga Princi William i Britanisë.
Autoritetet braziliane shpesh kanë zhvilluar operacione masive policore përpara ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare, me qëllim rritjen e sigurisë në qytet. Rio de Janeiro ka qenë mikpritës i Lojërave Olimpike në vitin 2016, samiti i G20 në vitin 2024, si dhe samiti i BRICS që u mbajt në korrik të këtij viti.
Banorët dhe organizatat për të drejtat e njeriut, ndërkohë, denoncojnë përdorimin e tepruar të dhunës nga policia dhe mungesën e transparencës rreth viktimave civile, duke e quajtur ndërhyrjen “një nga më vdekjeprurëset në historinë e qytetit”.
