4 Shkurt 2023

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka kërkuar së fundmi që Shqipëria duhet që të bëjë më shumë për  të përmirësuar  reformën në gjyqësor. Alexander Plekhanov është drejtor i BERZH për “Ndikimi i Tranzicionit dhe Ekonomive Botërore”. Alexander Plekhanov nga BERZH thotë në një intervistë për DË se tregu në Shqipëri do të përmirësohej nëse reforma në gjyqësor do të kishte ritme më të shpejta dhe vendi do të kishte kontroll më të fortë mbi paratë e pista. Pak ditë më parë, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) prezantoi gjetjet e Raportit të Tranzicionit për vitin 2022-23.

Për Shqipërinë, treguesi që mat mirëqeverisjen shënoi rënie, krahasuar me gjashtë vite më parë.“Treguesit e qeverisjes ndërthuren me një sërë masash të qeverisjes në nivel vendor dhe korporatave. Luhatja në rezultate pasqyron ndryshimet e shumë treguesve dhe gjithashtu varet nga progresi i bërë nga vendet e tjera, gjatë së njëjtës kohë.

Për shembull, renditja e Shqipërisë në listën e indeksit të perceptimit të korrupsionit që analizon Transparency International, ishte më e ulët në vitin 2022 se sa në vitin 2016. Duke parë drejt së ardhmes, një ritëm më i shpejtë i reformës gjyqësore do të sillte rezultate në përmirësimin e tregut. Në të njëjtën mënyrë, do të kishte një përmirësim të tregut nëse do të zbatoheshin shqetësimet e ngritura nga Task-Forca e Veprimit Financiar në lidhje me kontrollet kundër pastrimit të parave, shqetësime të cilat e kanë futur aktualisht Shqipërinë në të ashtuajturën “listë gri”, zyrtarisht e njohur si lista nën monitorim të shtuar”, deklaroi ai.

Më tej i pyetur nëse evidentohet rritje e korrupsionit dhe informalitetit, Alexander Plekhanov tha se në vitin 2002, kompanitë në Shqipëri raportuan se 6% e shitjeve të tyre shkonin për pagesa informale. Sipas tij, në vitin 2019, kjo përqindje kishte rënë në 2.7%. “Në terma afatgjatë, të dhënat e studimit tonë tregojnë përparim. Çdo 6 vjet, së bashku me Grupin e Bankës Botërore dhe Bankën Europiane të Investimeve ne kryejmë sondazhe përfaqësuese me kompanitë. Ne u drejtojmë atyre një numër të madh pyetjesh rreth përvojave të tyre, përfshirë përvojat tipike të korrupsionit dhe informalitetit në sektorët dhe fushat në të cilat ato operojnë. Kur e zhvilluam këtë sondazh 20 vite më parë, në vitin 2002, kompanitë në Shqipëri raportuan se 6% e shitjeve të tyre shkonin për pagesa informale. Në vitin 2019, kjo përqindje kishte rënë në 2.7%. Kjo shifër vijon të mbetet më e lartë se Italia për shembull, ku mesatarja është rreth 0.3%, por gjithësesi është më e ulët se 20 vite më parë.

Pavarësisht nga këto tendenca pozitive afatgjata, mbetet ende shumë punë për t’u bërë, duke përfshirë këtu rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Bëhet fjalë për disa sfida që ne i përmendëm, si reforma e gjyqësorit, dispozitat ligjore kundër pastrimit të parave dhe zbatimi i tyre, për shembull”, nënvizoi Plekhanov.