29 Korrik 2022

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha denoncoi aferat e qeverisë me çmimin e energjisë, duke zbuluar sipas tij, abuzimet e rënda që janë bërë pavarësisht se Shqipëria ka pasur prodhim me teprica nga burimet hidrike.

“Në 2021 Shqipëria prodhoi rreth 9 terravat energji elektrike, prodhim rekord që nuk e pati kurrë. Shqipëria jo vetëm që nuk ka pasur mungesë energjie, por pati një tepricë të mirë prej së paku 2 terravat, kjo sepse, konsumi total i energjisë elektrike në Shqipëri është 7.2 terravat, kurse konsumi me tarifa është 5.3 terravat.

Në 6 muajt që kaloi Janar-Qershor qe një ndër më të bollshmit me shira, në prodhim dhe teprica energjie. Ndodhi që energjia u shndërrua në shkopin magjik të vjedhjeve të paimagjinueshme nga qeveritarët.

Në 6 mujorin më të lartë ndër shumë vite, Edi Rama, Belinda Balluku dhe ekipi i tyre kanë bërë 60 blerje energjie elektrike. Të gjitha afatshkurtra, deri blerje ditore, 24 orëshe, dy ditore, tre ditore dhe tek tuk pesëditore. Vjedhje, duke ndarë paratë se blerje të tilla një shtet nuk i përdor.

Nëse ti do, për arsye të caktuara të blesh energji atëherë duhet të bësh një tender së paku 3 mujor. Kështu arrin të blesh energji me çmime minimumi përgjysëm nga blerjet dy ditore, tre ditore. Me këto 60 tendera të realizuara nëpërmjet një platforme të pacertifikuar, nuk ju lejohet t’i ndiqni. Asnjë nuk e di. Ndërkohë dikur Kesh hapte zarfat para mediave. Sot platforma është e pacertifikuar. Pra janë blerë rreth 300 milion euro me këtë platformë të pacertifikuar.

Çmimi që thotë rama 600 euro në bursë, është 300 euro në burse dhe 300 për qeveritarët. Çmimi në bursë është 300 ose 320 euro maksimumi, por ekipi i vjedhjes me energji ka shitur energji me 40 euro, kur ajo shitej në bursë me 130 euro. Ka blerë me 250 euro, kur shitej me 84 euro. Vjedhja është e paimagjinueshme” tha Berisha.

Gazeta Shqiptare