2 Prill 2026

“Ti mund t’i bësh detyrat e shtëpisë kur je një vend i vogël dhe nëse vendet e mëdha, që vendosin fatet e të vegjëlve, s’e kanë në plan të të marrin në një nivel tjetër, ti nuk e kapërcen dot nivelin” – tha sot në një takim me studentë kryeministri Edi Rama.

Në një fjalim disi të ngatërruar ai shtoi:

“Është hapur dera, por dera mund të mbyllet. E rëndësishme është që ne të mos bëhemi sebep që të mbyllet dera dhe ne nuk do bëhemi sebep. Por dera mund të mbyllet, pas një viti, dy apo tre vitesh. Mund të mbyllet se ata mund të rikthehen në një situatë dhe të thonë “po prit njëherë”. Për këtë arsye ne duhet të bëjmë maksimumin këto vite ku duket që dera është e hapur. Nuk duhet të humbasim fokusin me lloj lloj…se nuk jam këtu për të bërë politikën e përditshme që bëhet këtu, por jam duke folur për politikën që duhet të bëjë çdo shqiptar dhe për mënyrën se çdo shqiptar duhet ta dallojë politikën e madhe. Politika e madhe është të bëhemi anëtar i BE, pjesa tjetër është politikë këtu…”

Pas hapave të shpejtë që BE bëri muajt e fundit me Shqipërinë për shkak të rethanave gjeopolitike, aktualisht ka stopim.

Radio amerikane “Evropa e Lirë” raportoi disa ditë më parë se arsyeja është çështja Balluku.

Dy ligje në Mal të Zi, që janë kontroverse prej perspektivës së Brukselit, amendamentet e ligjeve në sektorin e gjyqësorit në Serbi dhe dështimi për t’ia hequr imunitetin parlamentar ish-zëvendëskryeministres në Shqipëri, i kanë kthyer këto tri shtete kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian sërish para testit kryesor për pranim, atij për sundimin e ligjit.

Përparimi në të gjithë kapitujt që duhen mbyllur para anëtarësimit nuk do të jetë i mjaftueshëm nëse vendet kandidate stagnojnë apo shënojnë kthim mbrapa në Kapitujt 23 dhe 24, të cilët, sipas metodologjisë evropiane të integrimit, hapen të parët dhe mbyllen të fundit.

“Reformat e pakthyeshme në këto fusha janë kusht që partnerët e zgjerimit të përparojnë në rrugët e tyre të pranimit, duke i përmbushur standardet specifike”, ka rikujtuar Shërbimi për media i Komisionit Evropian në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

“Reformat nuk janë vetëm për letër, shtetet duhet të demonstrojnë zbatimin e tyre dhe duhet të garantojnë besueshmëri përmes rezultateve të prekshme”, është thënë mes tjerash në përgjigje.

Më poshtë, pjesë nga shkrimi i REL:

Sfidat e Shqipërisë

Në vitin e kaluar, Shqipëria i ka hapur të gjithë kapitujt negociues, pavarësisht problemeve në sektorin e sundimit të ligjit.

Sikur edhe me vendet tjera kandidate, Komisioni Evropian e ka përmendur në Raportin e Progresit, në tetor të vitit të kaluar se shqetësimet kryesore për Shqipërinë përfshijnë rritjen e presionit politik në gjyqësor, luftën e dobët kundër korrupsionit dhe lirinë e kufizuar të medias.

Sfida e fundit ka të bëjë me refuzimin e deputetëve të Parlamentit të Shqipërisë për t’ia hequr imunitetin ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila është e akuzuar për korrupsion.

Deputetët nga Partia Socialiste në pushtet kanë refuzuar t’ia heqin asaj imunitetin dhe vendimi është mirëpritur prej vetë kryeministrit Edi Rama, i cili ka thënë se Parlamenti ka bërë “atë që do të bënte çdo shtet demokratik në Evropë”.

Brukseli nuk është pajtuar me deklaratën e Ramës se kërkesa për heqje të imunitetit nuk ka qenë në përputhje me Kushtetutën.

Radio Evropa e Lirë ka mësuar që diçka e tillë ka ndikuar drejtpërdrejt në rezistencën e disa vendeve anëtare që t’ia garantojnë Shqipërisë një të ashtuquajtur IBAR pozitiv.

IBAR është shkurtesë për Raportin mbi Vlerësimin e Përkohshëm të Standardeve ku vlerësohet përparimi në sundimin e ligjit, gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit, për Kapitujt kyç 23 dhe 24 në negociatat e anëtarësimit.

Derisa vendet e BE-së të mos e miratojnë në mënyrë unanime IBAR-in, Shqipëria nuk do të mund të ecë përpara në mbylljen e kapitujve.

Mali i Zi, për shembull, është dashur të presë për IBAR pozitiv, i cili është miratuar në qershor të vitit 2024, në mënyrë që të nisë mbylljen e kapitujve. Para këtij vendimi, hera e fundit që ka mbyllur kapituj ka qenë vitit 2017.

A mund të mbyllet njëri sy?

Pranimi i anëtarëve të rinj pa të drejtën e vetos, që aktualisht e kanë të 27 vendet anëtare të BE-së, është diçka për të cilën kanë avokuar, edhe Edi Rama, edhe Aleksandar Vuçiq në një artikull të përbashkët muajin e kaluar në të përditshmen gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung, i cili i ka shtuar spekulimet se shtetet e Ballkanit Perëndimor “mund ta mbyllin njërin sy”.

Florian Bieber beson se brenda këtij kuadri ligjor është e pamundur të ndahen konsideratat politike nga kriteret e sundimit të ligjit.

“Sigurisht, elitat politike në Mal të Zi dhe Shqipëri e njohin momentumin politik dhe kanë prirje të jenë më pak të rrepta në lidhje me zbatimin. Megjithatë, në fund të fundit, nevojitet pëlqimi i 27 shteteve anëtare, i cili është larg të qenit i garantuar”, paralajmëron Bieber në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Komisionarja Kos ka folur në këtë drejtim në Parlamentin Evropian në fillim të marsit, duke e theksuar se statusi i liderit në këtë proces nuk garantohet përgjithmonë.

Ajo u ka thënë Shqipërisë, Malit të Zi, Ukrainës dhe Moldavisë që “përparimi duhet të arrihet përmes reformave” – shkruan REL.

Nga: Gazeta Dita