Artizanët e Gjirokastrës

Pëlhurë, guri dhe druri janë tre elementët bazë të zbukurimit të banesave në qytetin e rrallë te Gjirokastrës. Dritaret të zbukuruara me perde të bardha qëndisur me mjeshtëri, gurët si themelet e mbajtjes së shtëpive ku gjalloi e mbeti zanafilla e qytetit, ndërsa druri është çatia mbi kokën e gjirokastritëve që ndërtuan jetën në një qytet të pasur me zgjuarësi.

Artizanët e Gjirokastrës

Në Qafën e Pazarit gjen Vjollca Mezinin, një qëndistare që sytë dhe shpirtin ia dedikon prej vitesh zbukurimit të pëlhurave, duke skalitur me gjilpërë e penj shumëngjyrësh Gjirokastrën, qytetin e saj. Gishtat e shpejtë luajnë me gjilpërën duke lënë mbi dantella vizatime të qytetit, shtëpive karakteristike, kalasë së Argjiros, urave dhe sokakëve që janë frymëzimi i artizanëve. Nuk është e thjeshtë me kokën ulur për orë të tëra të endësh në qëndisje. Për Vjollcën, zbukurimi i pëlhurave shpërblehet nga sytë dhe interesi i turistëve e vizitorëve. Puna e dorës është e rrallë dhe gratë shqiptare e kanë kultivuar këtë mjeshtëri për shekuj. Tek Vjollca gjen shumëllojshmëri, nga motivet gjeometrike të qëndisura bukur mbi beze e deri tek fistonët e bardhë që ravijëzojnë Kalanë e Gjirokastrës apo Qafën e Pazarit, krenaritë e arkitekturës së gurtë.