8 Nentor 2022

Nga Sidorela BRAÇJA

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shtuar prezencën e tyre në Shqipëri, ndërsa duket se janë të shqetësuar për sulmet kibernetike të kryera ndaj vendit tonë nga hakerat iranianë dhe ndikimin rus në rajon. Presidenti Bajram Begaj mori dje, gjatë takimit me Përfaqësuesen e SHBA-së në OKB, Ambasadoren Linda Thomas-Greenfield, një mesazh falënderimi dhe mirënjohjeje nga presidenti Biden për Shqipërinë dhe popullin shqiptar për bashkëpunimin e fuqishëm në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe, stabilitetin rajonal dhe sigurinë globale.“Si aleatë të NATO-s, kemi punuar së bashku për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë në të gjithë botën. Përballë agresionit rus kundër Ukrainës, kemi qëndruar krah për krah në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe kemi bashkëpunuar për rezoluta të lidhura me luftën e padrejtë dhe të paprovokuar të Rusisë si dhe për adresimin e sfidave të tjera globale”, shprehet Presidenti Biden në mesazhin e tij.

Presidenti Biden vlerëson ndihmën bujare të Shqipërisë për strehimin e refugjatëve ukrainas dhe afganë, si kontribut për një botë më të sigurt. “SHBA mbetet e përkushtuar për ta ndihmuar në mënyrë domethënëse dhe të vazhdueshme Shqipërinë në forcimin e mbrojtjes kibernetike, përfshirë mbështetjen financiare dhe ngritjen e një grupi pune për sigurinë kibernetike”, theksohet në mesazh.

Me rastin e 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, Presidenti Biden nënvizon se në vitet e ardhshme dëshirojmë që ta thellojmë edhe më tej partneritetin tonë strategjik, si dhe do të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për një rol më të madh lidershipi, përmes promovimit të stabilitetit dhe sigurisë energjitike në Ballkanin Perëndimor. Letra e Biden vjen pasi rezoluta e propozuar nga Shqipëria dhe SHBA-ja në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për referendumet e Rusisë në Ukrainë është miratuar me 143 vota pro, 5 kundër dhe 35 abstenuan, duke përfshirë Kinën dhe Indinë.

Greenfield: Faleminderit për partneritetin tuaj të jashtëzakonshëm

Përfaqësuesja e SHBA-së në OKB, ambasadorja Linda Thomas-Greenfield, zhvilloi dje një takim edhe me kryeministrin Edi Rama. Nga ana e saj diplomatja amerikane vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve dhe veçanërisht mbajtjen e presidencës së këshillit të sigurimit nga Shqipëria.“Faleminderit shumë, faleminderit që më pritët. Ju bëra një premtim, do t’ju them një gjë. Nuk i mbaj gjithmonë të gjitha premtimet e mia, por përpiqem t’i mbaj premtimet që bëj dhe mora një angazhim personal që të vija në .

Unë kam pasur përvojën që të punoj në Këshillin e Sigurimit me ambasadorin Hoxha dhe ai ka qenë një partner i jashtëzakonshëm dhe një fqinj i jashtëzakonshëm në Këshill. Ne kemi qenë në të njëjtin mendim dhe në atë Këshill në momentin që ulemi të 15 në ato karrige, të gjithë jemi të barabartë, zërat tanë janë të barabartë dhe zëri juaj në këshill ka qenë tejet i fortë, tejet i respektuar dhe kemi ndarë të njëjtën mendësi dhe kjo ka qenë një nga marrëdhëniet më të rëndësishëm që kam pasur mes 10 anëtarëve të zgjedhur të Këshillit”, tha ajo. Greenfield falënderoi qytetarët shqiptarë, për partneritetin e jashtëzakonshëm.“Jam këtu për t’ju falënderuar! Për të falënderuar qytetarët shqiptarë, për partneritetin tuaj të jashtëzakonshëm, për miqësinë tuaj për të nderuar 100 vjetorin e marrëdhënieve tona përgjatë uljeve dhe ngritjeve dhe sigurisht kjo është një kohë në ngritje për të sjellë një mesash të fortë mbështetjeje nga populli amerikan. Sërish faleminderit shumë që më pritët, faleminderit shumë për partneritetin tuaj, për marrëdhënien tuaj, ndërkohë që përballemi me çështje të një shqetësimi të përbashkët në këtë rajon.

Na duhet dëshpërimisht shi për shkak të faktit që energjia hidrike është i vetmi burim i yni por u siguruam që kur të vinit ju të ishte diell. Ndaj po e bëjmë edhe këtë sakrificë për të mos pasur shi për ju. E vlerësoj këtë dhe natyrisht do të lutem për shi kur të largohem. Faleminderit!” u shpreh ajo gjatë takimit.