Akili i Murat Kerajt shitet në Korfuz.-

Nga: Fitim Çaushi 

-Skulptori Murat Keraj është autori i shtatores së Idriz Sullit në Zhulat, legjislatorit që me shartet e tij krijoi Kanunin e Labërisë në vitet 1765, si vazhdues i hartimit “Të drejtës zakonore” nga Papa Zhuli. Shtatorja u gdhend në trungun e rrapit shekullor që gjendej në mes të fshatit tharë nga faktorë atmosferikë, por me rrënjët në tokë. Në këtë traditë skulptori gdhendi edhe Akilin e goditur me shigjetë në thembër. Vepra është monumentale, 1 metër e gjysmë e lartë dhe dy metra e gjerë. Akili, një figurë muskuloze që përpiqet të heqë shigjetën nga thembra, i ulur në tokë. Në këtë përpjekje autori ka realizuar një plastikë mjeshtërore, raporte vëllimore realiste, duke dhënë psikologjinë e njeriut të përkulur, ndërkohë që ishte shpallur nga perënditë si i pathyeshëm.

Një dashamirës i artit, që banon në Korfuz, e bleu  atë për ta ekspozuar në biznesin e tij. Në Korfuz ekziston muzeu i Akilit, vallë do ta ketë fatin kjo vepër të përfundojë në këtë muzeun, apo do të mbetet anonime nëpër zyra biznesi?! Ç’e frymëzoi autorin të merret me figura legjendare nga Lufta e Trojës? Zhulati ka qenë qendër e banuar qysh në shek e IV p. e. s. i njohur për  pasuri folklorike dhe gojëdhënash mahnitëse. Bashkë me gojëdhënat për normanët në shek XI, për pashallarët turq, në të kanë qarkulluar edhe gojëdhëna për Baton dhe Luftën e Trojës.

Homeri tek “Iliada”, na sjell lutjen e Akilit drejtuar Zeusit të Dodonës, qendër shpirtërore dhe adhurimi e njohur qysh në kohët antike: “Mbreti i Pellazgve dhe i Dodonve,  o Zeus,/ Ti që nga larg nën urdhra mban Dodonën  / Me akuj dimrit, ku rrojnë priftërinjtë Selas” (Homeri,   Iliada  libri i XVI  f. 253).

Dodona, e cila ndodhet 150 km në vijë ajrore nga Zhulati, është djepi i kulteve edhe për Odiseun: “Dhe thonte se në Dodonë kishte shkuar për t’u këshilluar me hyun/ Dhe për të dëgjuar nga lisi i gjatë  fallxhor mendimin e Zeusit / Në se duke u kthyer në tokat  pjellore të Itakës së tij/ Pas një kohe të gjatë, të tregohej apo jo, se kush ishte”(Homeri-Odiseu  Tiranë  1976  kënga  XIV v. 412  f.216).

Vendlindja e Odiseut dihet –Itala, ndërsa vendlindjen e Akilit Homeri e vendos në Ftijë, në Argos: ”Tani do të përmend burrat e Argut,/ ku e kanë selinë  e tyre  ata pellazgët, ata të Ftijës, /Trikinës,  dhe Heladës” (Iliada, kënga e II v. 830-834, f. 34).

Autorët antikë kanë theksuar, se selia e pellazgëve të Argosit ishte Dodona. Në konfliktin mes Akilit dhe Agamemnonit gjejmë detaje interesante për përkatësinë etnike të Akilit: Jemi në një atmosferë, kreshnikësh, ç’do ndeshje midis tyre, në këtë situate të tejlodhur – 9 vjeçare,  do të bënte kërdinë, prandaj Akili, ndikuar edhe nga hyjnesha Athina tregohet i arsyeshëm. Ai e dorëzon Brizeidën te Agamemnoni pa luftë, duke iu drejtuar kasnecëve të Agamemnonit: “O lajmësa t’Zeusit  dhe kasneca burrash/ Ju faj s’më keni: e di që Agamemnoni / Ju ka dërgue për t’bukurën vashë Briseidën./ Patrokël, o fisnik ngrehu sille vashën,/ ju dëshmitarë ju thërras përpara Hujnive  t’lumë, / pse prap  dikur ka për t’ju ra nevoja / nga mënxyra të tjera  t’zeza t’i shpëtoj / Zemrimi e ka verbue e nuk kupton / As para as mbrapa nuk sheh se Argejt / Gjallë s’do shpëtojnë nga lufta pranë anijeve” (Iliada kënga e  I  v.416,  f.9).

Është shumë kuptimplote kjo dëshmi e Homerit- Akilit i vjen keq për Argejt, “që gjallë  nuk do të shpëtojnë nga lufta pranë anijeve”, ku herë pas here sulmojnë trojanët, pra nuk i vjen keq as për akejt as për danajt! Ai vendos të shpëtojë Argejt, luftëtarët e fisit të tij epirotas të Dodonës, nga lufta me Akejt, që mund të shpërthente në se Akili nuk do ta dorëzonte Briseidën. Ai i lutet nënës për hakmarrje të Zeusit kundër luftëtarëve të Agamenonit, pra kundër një fisi me përkatësi tjetër etnike, pavarësisht aleancës, për të shpëtuar fisin e tij- Argejt. Ai dëshiron përkohësisht fitoren e Trojanëve! Ai nuk do të kishte hyrë fare në luftë nëse nuk do t’i vritej Patrokli.

Kjo na krijon një mendim se fisi i Akilit duhet të ketë qenë fis i përafërt etnik me trojanët. Dhe nëna e Akilit, Tetida, mbretëresha e detit, ndërmjetëson pranë Zeusit: “O ati Zeus…plotësom dëshirën: djalin tim Akilin / Faqrebardhë qitma, pse pa t’drejtë  / prijësi i kreshnikëve, mbreti Agamemnon/ keq e turpëroi, dhunisht tuj i rrëmbye vashën / ti shpagueje, ban që fitorja le t’u qeshë  trojanëve( po aty kënga e I   v.625-633 f. 14).

Kjo dëshmi, në trajtën e elementit legjendar, merr vlerën e një dokumenti! Zeusi hakmerret ndaj ushtrisë së Agamenonit, ndaj ky i dërgon babait të vashës Odisenë: “M’dërgoi o Kriz, prijsi  kreshnikëve Atridi/ Me ta pru vashën dhe Feb Apolit / Me i true për Danajt Për t’u pajtue me zotin e zemëruar/ Që u dha Argejve një shuplakë të randë” ( Po aty,  kënga I v.549, f.12)

Sikundër shihet shuplakën prej Agamemnonit e morën Argejt. Homeri e përcakton qartë se Argejt janë tjetër etni. Prifti Kriz, në lutjen e tij konfirmon të njëjtën gjë, duke dashur që perënditë të ndihmojnë vetëm Argejt:M’ndigjo, Apolon, ti zot me hark argjendi,/ ti ma dëgjove e i gjujte rand Danajt / Ashtu dhe tash dëshirën krejt plotësoma:/ Shpëtoi Argejt nga kjo shuplakë e tmerrëshme” Iliada këngq e II, v.673,.f.13)

Në funksion të kësaj hipoteze na duket një  komunikim mjaft domethënës,  ai  midis Odomeneut dhe Ajaksit: “O Odomene, pusho mjaft llomotite/ Ti je ma i riu i gjithë argejsit”  (Iliada kënga VIII v, 485, f.125).

Odomeneu  i përgjigjet: “O Ajaks fodull, gërnjar e kokëmaloku,/ Që ndër Akej je hiç prej asgjëje” (Iliada kënga e XXIII f.366).

Këtë dallim Argej-akej e ka bërë edhe vet Menelau, vëllai i Agamennonit: “O Antilok , s’ka njeri n’fytyrë  të tokës / Ma t’lig se ty. Kalo e këput qafën!/ Me të padrejtë  të mbajnë  për t’urtë Argejsit” (Iliada kënga e XXIII, f263)

Duket qartë se vëllai i Agamemnonit, Menelau,  bën dallimin etnik të Argejvet me Akejt dhe Danajt, të cilëve i përket ai vet. Më e besueshme kjo hipotezë behet nga fjalët që lajmëtarja e Zeusit i thotë Priamit kur vendos të marr trupin e Hektorit në shtatoren e Akilit: “Gajret në shpirt Priam bir i Dardanit / Tek ti më çoi Zeusi që për ty kujdeset…/ As vdekja as tmeri  mos ta trazojë shpirin / Pse ty për prijs po t’jep  Gjaksin e Argut” (Iliada , klnga e II,v.468, f. 275).

Homeri e trajton vrasjen e Hektorit si “marrje e gjaku” për Patroklin nga ana e Akilit. Nuk është aspak e çuditëshme përse Zeusi urdhëron lajmëtaren, Iris, të paralajmëroj Athinanë dhe Herën që të mos ndërmarrin veprime kundër Trojanëve: “Nisu vrap si era o e shpejta Iris/ Prapso ato të dyja të mjera …/ Aq keq s’më vjen për Herën / Ajo është mësue të m’i bier ndesh dëshirës

(Iliada kënga e II v.589,f.16).

Çuditërisht dëshira e Zeusit është fitora e trojanëve, Irisi takon dy hyjneshat: “Po ç’farë tërbimi ju pushtueka zëmrën?/ Qëndroni në vend pse Zeus Kronjonit, hatri/ S’ja don aspak  t’u bahi krah akejve”(Iliada, kënga e II  f. 18).

Zeusi nuk do që perënditë e tjera t’u bëhen krah Akejve, prandaj i paralajmëron vetë Athinanë dhe Herën: “Athinë e Herë, pse rrini kaq të pikëllueme? / S’më duket t’ju ketë lodh aq tepër / Lufta e lavdishme  që me kaq urrejtje / ndërseni akejt për të çfaros trojanët” ( Iliada, kënga e II   f. 18).

Pse ky kujdes i Zeusit ndaj trojanëve? Arkeologu i mirënjohur Hamond,  sugjeron: “Kujtesa folklorike dhe konservatorizmi fetar kanë lënë gjurmë të pashlyeshme ndër mitet Eniane, ku dalin në pah dy çështje. Zakonisht, adhurimi i Zeusit mendohet të jetë Dorian, nga ana tjetër shfaqet mendimi se Zeusi  i Olimpias  e ka prejardhjen nga Zeusi i Dodonës”(Hamond, Epiri f. 121)

Ja pse Homeri theksonte pasthirrmën :”O Zeuz pellazgjik i Dodonës!”  Straboni, mbështetur në autorët para tij, shkruan se ”Thesalia …quhet Argos pellazgjik, sepse pellazgët dikur këtu qenë zotër” (Straboni v.c. f.152) Për ta përforcuar këtë përkatësi, po citojmë Polibin :”midis vetë etolëve ka një numur të madh që nuk janë helenë” dhe se “agrejtë, apodolët dhe amfilohët nuk i përkasin Helladës” (Polibi-Ilirët dhe Iliria f 241).

Më qartë nuk ka si thuhet – Akili nuk i përket Eliadës, por Argosit Epiriot. Prandaj në frymëzimin homerik argejtë mbroheshin nga Zeusi, sepse i përkisnin të njëjtës hapësirë Dodonase. Edhe Herodoti ka theksuar se popullsia e Thesalisë, korrespondon me një popullsi jo helene: “Çfarë gjuhe flisnin atëherë pellazgët është një çështje, për të cilën nuk  mund të them asgjë. Vetëm nëqoftëse mund të mësojmë, ndoshta, ndonjë mendim nga pellazgët e ditëve tona…të cilët dikur fqinjë të dorëve të sotëm, banonin në tokën  quajtur tani Thesali. Nëqoftë se këtyre pellazgëve u shtohen …ata që kanë banuar dikur me athinasit…del se pellazgët kanë pasë gjuhë barbare….del se popullsia e Atikës, me prejardhje pellazge, harron të folmen e saj, duke u kthyer në helenë, prej të cilëve mësoi edhe gjuhën” (Herodoti – Historitë, “Ilirët dhe Iliria”, libri i I, 57, f.16).

Pra Thesalia e dikurshme, ku disa studiues vendosin vendlindjen e Akilit,  ka qenë pellazge, me një gjuhë tjetër prej asaj helene, por ajo pas shumë shekujsh harron të folmen e saj, duke u kthyer në helenë.

Prej nga erdhën këta thesalianë?- pyet  Hamond dhe  citon Herodotin  (VII, 176) “Ata banojnë  këtej Thesprotëve e  Aheronit…Thesprotët janë fqinjë  ambrakasve  e leukadasve, që erdhën në këtë luftë nga skajet kufitare”(Herodoti-po aty L.VIIIf.21) Hamond thekson origjinën e thesalianëve: ”Ata pushtuan Thesalinë Eolike (në jugperëndim) pasi erdhën nga Thesprotia – zonë kjo që përfshinte  Dodonën  dhe Epirin jugor deri në Ambraki dhe Leokadi” (Herodoti II56, VIII 47 – Hamond  v.c.f.110)

Edhe Eskili te “Lutëset” deklaron të njëjtën gjë: “Përpara teje ndodhet pellazgu, zot i vëndit,/ I bir’ i Palektonit, të lindurit nga dheu/ Dhe fisi i pellazgëve që rron në këtë truall/ Pushteti im arrin te trojet e  perrëbve/ Tej viseve të Pindit gjer pranë Peonisë  / Mbi malet e Dodonës” (Eskili- Tragjeditë, f.131)

Madje Homeri regjistron edhe numrin e barkave me luftëtarë, që kanë shkuar në Trojë nga  Dodona: “Njëzet e dy  barka  solli Guneu nga Kifi/ Me Enjenë dhe trima Perebë që banonin / N’Dodonë, ku dimri ban me borëra e akuj” (Iliada-kënga e dytë v. 910 f. 36)

Nuk ka asnjë dyshim se luftëtarë nga rrethinat e Dodonës së Epirit, kanë marrë pjesë në luftën e Trojës dhe ata kanë pasur një gjuhë tjetër nga ajo helene, që duhet të ketë qenë paraardhësja e shqipes së sotme. Edhe Tukididi hedh dritë mbi fiset epiriote dhe jep të dhëna mbi qytetin Argos: ”…nga fundi i verës ambrakasit me ushtrinë e tyre dhe me shumë barbarë, që kishin marrë me vete, u sulën kundër qytetit Argo të Amfilohisë … shkak i armiqësisë ishte kjo: Argo e Amfilohisë dhe Amfilohinë tjetër, që është në gjirin e Ambrakisë e mori Amfilohi, të cilin kur u kthye nga lufta e Trojës në atdhe nuk e kënaqte gjendja në Argo. Ky qytet ishte më i madhi në Amfilohi dhe popullsia e tij më e pasura. Pas shumë brezash banorët e këtij qyteti ftuan të ngulen në qytetin e tyre ambrakasit fqinjë me Amfilohinë dhe greqishten, që flasin ata sot, e mësuan nga ambrakasit e ardhur, amfilohenët e tjerë janë barbarë “(Tukididi- Historitë L. III-“Ilirët dhe Iliria”  f. 28).

Tukididi thekson qartë se në Argos duhet të ketë pasur një popullsi “barbare”, me shumë fise, me gjuhë tjetër nga ajo helene, të cilët vazhdon Tukididi: Këta “barbarë” (amfilonët e Argosit) në kohën e luftës (Pelaponezit)  ndërmorën fushatën e tyre së bashku me kaonët dhe me disa barbarë të tjerë fqinjë…”(Po aty   libri  III-    f.28)

Nga kjo dëshmi kuptojmë, jo vetëm se në epokën e Luftës së Trojës, Argosi kishte fise të ndryshme nga ato helene, qysh në kohën e luftës së Trojës, si popullsi me fizionomi etnike iliro-epiriote dhe më vonë me një kuptim politik të përcaktuar, e cila ka marrë pjesë edhe në luftën e Pelaponezit si aleate e Spartës. Shënimi i Tukididit, se “Korinthasve u erdhën në ndihmë shumë barbarë të bregdetit, banorët e këtushëm kishin prej kohësh marrëdhënie miqësore me ta”(Po aty-f.29) na dëshmon për lidhjet reciproke që kishin fiset etnike kufitare, epiriote dhe helene. Efori, historiani grek i shek IV, bën një përcaktim të qartë: “…nga ana e perëndimit Hellada fillon me Akarnaninë, sepse ajo takon e para me fiset epiriote”(Efor. FGr. H., 70 f 143, Strabon  VIII 1-3 C 334) Këtë përcaktim e rithekson edhe gjeografi grek i shek IV Skylax-I: ”Pas Mollosisë vjen Ambrakia, qytet helen, këtej fillon Hellada…”(Scylak, Periplus, kap 20-27)   Pra Greqia fillon nga Gjiri i Ambarkisë.

Homeri e quan “Akil këmbëshpejti”, “i shpejtë”—karakteristika më e rëndësishme e Akilit,  që ishte i shpejtë në lëvizje, në vrap. Mollosët  Akilin e quanin  “Ashpët” -“a shpëton”,. Sipas studiuesve mund t’i përshtatet edhe fjala “shpëtoj”, njeriu që nuk e arrin askush, sikundër del edhe nga ndjekja që i bën Hektorit rreth mureve të Trojës: “Ati i njerëzve dhe i zotav – na thotë Homeri – e shikon me ankth këtë ndjekje…turravrap  gjithnjë Akil  kambëshpejti/ S’iu ndante Hektorit…/ Që s’mujti me i bishtnue dhe ikun./ Atherë u rrek me u kap te dyert dardane/ Tue prit prej trojasve nga lart me shigjetue / T’i dilnin zot, aq herë Akil këmbëshpejti/ Tue ja pre rrugën  me u kthye  dalë e bante” (Iliada-  kënga II v.220-250 f.348).

Homeri e thekson vazhdimisht këtë karakteristikë të Akilit. Gjatë garave, pas vrasjes së Hekorit, Homeri vendos këto fjalë në gojën e Antilokut: ”asnjë prej Akejve me të, vrap s’mund të matet,/ Përveç Akilit që ua del të gjithëv” (kënga e XXIII v 930, f.376).

Në këtë mendim ka qenë edhe Hamond: “Përveç Thesalisë Akili adhurohej edhe në Epir me emrin Aspeti…le ti kthehemi Spartës që është çelësi për shpjegimin e këtyre kulteve. Pauziana, Hesichinois dhe Stefan Bizantini na bëjnë të ditur se ”Praksi erdhi nga Epiri, duke sjellë me vete kultin, që na kujton edhe një herë tjetër se Akili adhurohej në këtë vend me emrin Aspeti

Lind pyetja: përse Akili dhe Odisea preferuan tempullin e Dodonëa për t’i dërguar lutjet e tyre Zeusit? Përse kreshnikët e akejve dhe danajve: Ajaksi, Menelau, Agamemnoni etj. luftatarë me petkatësi etnike greke, Homeri nuk i drejtoi në Dodonë?! Sepse Dodona duhet të ketë qenë monument kulti vetëm për etninë johelene, sikundër ndodhi edhe me Enean pas djegies së Trojës.

Dionisi i Halikarnasit, i cili ishte vendosur në Romë në kohën e Augustit, sqaron: ”Enea, në anën tjetër, me ushtarët më të zgjedhur, pas një udhëtimi që mbajti dy ditë, arriti në Dodonë, me qëllim  që të kërkonin mendimin e perëndisë; këtu gjetën edhe ata trojanë  që kishin ikur bashkë me Helenin. Si morën përgjigjen hyjnore mbi punën e kolonisë, i dhuruan zotit, dhurata trojane edhe kratere bakri, disa nga të cilat ndodhen edhe sot akoma me mbishkrime shumë të vjetra, që tregojnë emrat e dhuruesve”(Dionisi iHalikarnasit, libri II 51, f. 168)

Sipas legjendave duket qartë se Enea me trojanët e tjerë, duhet ta kenë pasur Dodonën orakullin e tyre, sikundër e kishin edhe Akili e Odisea. Hamond, komenton: “Tek “Odisea” Dodona dhe Thesprotia njihen si kufijtë veriorë të botës perëndimore Akease …Odiseu mendonte se paracaktimi i fatit të tij ishte në Thesproti dhe shkoi të pyeste Orakullin në Dodonë”(Hamond v.c. f. 126).

Hamond bën një saktësim shumë të vlefshëm: “Po sollëm ndërmend pozitën e Thesprotisë, del se kjo është një fushë e pasur bregdetare…prandaj ndikimi Akeas kufizohej në bregdet dhe peligranazhi për në Dodonë nënkuptonte një vizitë për te faltorja që ndodhej jashtë mbretërisë Akease”( Hamond, Epiri QSN 2004 f.10).

Sipas Homerit, autorëve antik dhe autorëve modern si Hamond,  trojanët me Dodonën e Epirit i lidh përkatësia e tyre fisnore dhe i njëjti orakull, i cili ishte kulti i të gjithë pellazgëve. Gërmadhat e këtij orkulli të shenjtë janë zbuluar në afërsi të malit Tomar pranë Janinës. Por, shtrirja e influencës së tij, pushteti i tij shpirtëror, kanë qenë përtej kufijve të Kaonisë.

Skilaki, kur flet për Ilirinë sqaron: “Fqinjë me gjithë këta, në viset e brendshme, janë atintanët, sipër Orikisë dhe Kaonisë  gjer në Dodonë…Në këto vise janë malet Keraune (Epir)  dhe aty  afër është një ishull i vogël që quhet Sason” (Skilaki-Lundrimi-“Iliria dhe Ilirët” f.36)

Ndërsa Plini ka saktësuar “Epiri i marrë në përgjithësi  fillon në malet Keraune. Ai përfshin në fillim kaonët prej nga vjen edhe Kaoni, thesprotët…mollosët, ku ndodhet tempulli i Zeusit të Dodonës, i përmendur për orakullin e tij, mali Talar me njëqind burimet,  që gurgullojnë  në këmbët e tij”(Plini  Historia e Natyrës  libri IV (1) f..195)

Tek Homeri gjejmë edhe ngjashmëri të kulturës shpirtërore midis trojanëve dhe popullsisë së Labërisë, konkretisht Ligjërimet në ceremoniale mortore, sikundër ai i Patroklit ku ligjëron Akili dhe ai i Patroklit, ku ligjëron: Andromaka, Hekuba, Helena, Briseida. Kjo traditë në Labëri quhet “e qarë me ligje” dhe është identike edhe sot me atë të trojanëve.

Dihet se këngët homerike mësoheshin përmendësh nga një kategori njerëzish, që kishin si mjeshtëri të deklamonin veprat e poetit. Këta u quajtën homeridë dhe deklamonin në qytete të ndryshme, nëpër festa dhe  gostitë mbretërore.  Pisistrati i regjistroi poemat homerike kur ishte tirani i Athinës (605-527 p.e.s.). Jemi në kohën kur Ilirët dhe fiset që ishin të përafërt me ta, për nga origjina, kultura dhe gjuha, sikundër epiriotët, kanë patur kuptim të njëjtë  etnik. Pas shek të V p.e.s. veç kuptimit etnik ata marrin edhe të njëjtin kuptim politik- formohen shtetet Ilire. Në këtë kohë parapëlqimet dhe lufta për të përvetësuar vlera kulturore dhe personalitete, nga shteti fqinjë duhet të ketë qenë e madhe. Kjo nuk duhet nënvlerësuar, ndërkohë që kanë ekzistuar luftërat për plaçkitje, zaptime territoresh e ngulime nga njëri fis etnik apo tjetri.

Pikërisht kjo atmosferë historike dhe gojëdhënat e shumta, e frymëzuan skulptorin e Zhulatit Murat Keraj, ta gdhendte në dru Akilin e Epirit, e ta shiste në Korfuz.