Administrata si kazani i shtrigave të Makbethit. –

02/05/19

Nga Erion Kristo

Në pjesën e parë të Triptikut folëm për policinë dhe rolin e saj në zhvillimet e sotme. U ndalëm te koncepti i një policie që na do, dhe jo i një policie që duam. Sepse ndodh shpesh që janë pak ata që e duan një gjë ashtu siç është. Ndërkohë që detyrimi është që shteti t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve, edhe kur ata mendojnë në mënyrë të ndryshme nga shteti. E themi këtë, sepse ka logjikë në vetvete: shteti duhej të ishte i të gjithëve, por te ne nuk ndodh kështu. Shteti është vetëm i atij që është në krye. Prandaj nuk na do të gjithëve njëlloj. Sloganet shpesh tradhtojnë vetveten dhe shfaqin qëllimet reale të politikës që duket se janë të ndryshme nga shtetformimi. Por le të shqyrtojmë çështjen e dytë: administratën. Si gjithmonë nuk do të mëtojmë ta trajtojmë çështjen me themeli dhe në mënyrë të përpiktë. Kjo bëhet me qëllimin e lënies së një hapësire debati, qoftë dhe kundërshtimi, por mbi të gjitha përplotësimi. Sepse mendojmë sinqerisht se i qasemi të vërtetës më mirë në mënyrë plurale. Gjithsesi disa tragjizma brenda administratës do përpiqemi t’i cekim.

Ndërkohë nuk do të flasim për aspektet pozitive, sepse mjafton një pikë bojë për ta zhyer një vozë me ujë. Le të fillojmë nga hyneri i fundit: futja e 1000 ekselentëve në administratën e lartë shtetërore. Pas protestave interesante të studentëve, ku Kryeministri u vu shumë në vështirësi, por me një përpjekje titanike arriti t’i mposhtë dhe t’i shuajë protestat, një nga premtimet ishte dhe punësimi i ekselentëve nëpër ministri. Këtu shohim disa probleme. Fillimisht, kemi një shkelje të ligjit, sepse ligji e kërkon shprehimisht që punonjësit e administratës publike, nëpunësit civilë, të kenë përvojë pune. Edhe logjika e kërkon këtë. Si mundet që një person që nuk di se nga lidhet gomari, t’u japë drejtim problematikave të mahisura të jetës sonë, që nuk janë zgjidhur në tri dekada? Por premtimi i të madhit është si fjala e Zotit në Tokë, dhe duhet të shkelet çdo ligj që të përmbushet.  Është me vlerë të pyesim: sa njerëz u hoqën nga administrata që të hapeshin 1000 vende të reja pune? Apo u shtuan automatikisht këto vende, duke rritur barrën buxhetore? A u bë ndonjëherë pyetja se cili do të ishte kontributi i këtyre të rinjve në administratë? Apo është thjesht si ata të rinjtë fatlumë që puthnin dikur ish-Diktatorin dhe u ecte jeta vaj për shumë dekada? A është ky proces i ekselentizimit të administratës një blerje studentësh apo është një marifet zgjedhor? A të kap ligji për këtë shkelje të ligjit? Fjala përvojë, a ka më kuptim në administratën e sotme? Dhe nuk po flasim këtu për turrën e ministrave dhe zëvendësministrave apo drejtorucëve kalamaj që kanë pushtuar shtetin si një luzmë milingonash.

Në fakt, krahasimi është i padrejtë: milingonat e dinë me saktësi se çfarë u takon të bëjnë. Kurse këta matrakët dhe të paftilluarit që marrin direkt çelësat e Kullës së Barit në dorë, që lënë nam me komentet dhe qëndrimet e tyre amatoreske, saqë nuk ka mbetur njeri pa u tallur me ta, nuk e kanë idenë se ku janë dhe për çfarë janë. Të gjithë janë surrogatë të të madhit. Dhe në këtë pikë, një meritë gjenialiteti duhet t’ia njohim Atij. Ai qeveris shumë herë më tepër gjëra se sa i takon të qeverisë, dhe këtu nuk kemi futur median, se dhe atë e drejton me sukses në disa aspekte. Pra, si përfundim, në shtet janë shtuar disa qindra punonjës që s’kanë punuar kurrë. Dhe këta janë në majë të piramidës. E pse të mos e fillonin nga institucione të tjera, dhe jo detyrimisht nga Kryeministria apo Ministritë? Kjo të krijon idenë e shtetit si biçikletë mësimore. Por a e justifikon ekselenca e tyre këtë vendimmarrje? Jo. Sepse shumica e këtyre ekselentëve janë thjesht nxënës me nota të mira. Duhet shumë për të qenë ekselentë, shumë më tepër se sa notat e mira. Le të hidhemi në një aspekt të dytë, shumë më dramatik: hiqevëniet e shpeshta të nëpunësve. Kjo është një nga plagët më të rënda të administratës publike.

Me largimin e një punonjësi, ndodh dukuria e vitit zero, që në fakt është dukuria e hardiskut zero. Kur dikush ikën, nuk lë asnjë fletë apo dokument për pasardhësin. Kostot e trajnimit të nëpunësve janë një barrë gjiganteske për shpatullat e shqiptarëve. Shumë nga këto kosto paguhen drejtpërdrejt nga taksapaguesit, për shkak se largimet nga puna në një masë dërrmuese janë të padrejta, dhe ne paguajmë pasojat gjyqësore të këtyre vendimeve. Vetëm vitin e kaluar kjo barrë ishte 80 milionë dollarë. Por, gjithashtu të tërthorta, sepse shumë para janë harxhuar nga ndihma e vendeve evropiane që kanë dhënë për administratën tonë. Kosto që ne i paguajmë në formë kredie apo borxhi ose asistence. Pra, ka kosto kujtese dhe kosto financiare. Ka gjithashtu kosto të tjera që kanë të bëjnë me ngecjen e projekteve në vend, për shkak të largimeve. Bota e ndërkombëtarëve ankohet jashtëzakonisht për këto lëvizje. Madje shpesh ndërhyn që këto largime të kthehen mbrapsht dhe kjo është një kosto e madhe morale për administratën se bëhet qesharake dhe në sy të botës: sot të heq, nesër të ndreq. Ky largimi i vazhdueshëm i njerëzve ka një të mirë, që edhe për pak kohë, s’do ketë mbetur asnjë individ pa punuar në strukturat shtetërore. Me pak fjalë, gjithë shqiptarët do marrin vesh nga punët e shtetit, nga punët çorap të shtetit. Po heqja dhe vënia nuk janë dhe aq të këqija po ta shikosh përballë një dukurie tjetër: nepotizmi. Nëse njerëzit vijnë dhe ikin në administratë si në një autobus urban, kjo lejon shanse të hapura për njerëzit, mban shpresën gjallë, se një ditë, jo të largët, të gjithë do bëhemi këshilltarë ministrash apo shefa kabinetesh, ose drejtorë tatimesh.

Po çfarë t’i bësh plagës më të rëndë: farefisizimit të shtetit. Para pak kohësh dolën emrat e pafund të shumë njerëzve që punonin nëpër ministri, nëpër universitete, nëpër ambasada, ose kudo ku ka lekë. Janë ata: fara më me fat, fara më e përshtatshme, e vetmja që mund të mbijë kudo dhe kurdo. Njerëzit e pushtetshëm, po e ndajnë pushtetin me fëmijët e tyre, nipërit e mbesat, kunetër e baxhanakër. Vetëm gratë e politikanëve janë sipërmarrëse të zonjat kur merren me biznes, ose vetëm ato mund t’i gjesh kudo në administratë. Fëmijët e shqiptarëve të thjeshtë e kanë të pamundur të ngjiten shumë lart, sepse lart, rrinë vetëm ata që janë lart. Aq sa të vjen ndonjëherë të falënderosh faktin që ka korrupsion me vendet e punës, pra që vendet shiten e blihen; sepse kjo bën që shqiptarët e thjeshtë, ata që nuk janë fryt i disa farave të përzgjedhura nga Zoti, mund t’i qasen administratës dhe të punojnë ca kohë e të krijojnë atë pak përvojë që mund të krijojnë, derisa t’i ndjekin. Ka plot raste kur njerëzit thërriten në zyrë dhe u kërkohet shprehimisht të japin dorëheqjen se shefave u duhet vendi i tyre i punës. Duhen larë nderet me ndere. Këto quhen ndere me administratë, ose administratë pa nder fare. Sëmundja e nepotizmit është me rrënjë të vjetra në historinë tonë. Në të gjitha kohërat: në kohërat pa shtet, sapo u krijua shteti, në kohën e mbretërisë, në kohën e komunizmit, në kohën e postkomunizmit.

Erion Kristo

Nepotizmi është fillesa më e madhe e korrupsionit, sepse me njerëzit e tu mund të bësh namin i parrezikuar se përflitesh. Po dhe kjo e nepotizmit është si shaka përpara faktit që njerëzit e fuqishëm të këtij vendi, jo ata të politikës, por ata të biznesit, të krimit apo medias, vendosin nëpër poste kyçe njerëzit e tyre apo të dashurit e zemrës. Problemi nuk është pse e dashura e dikujt ka post kyç në administratë: pra është emëruar për merita joprofesionale. Problemi është se këta njerëz, me këtë trajektore, janë antishteti dhe antiligji i mirëfilltë. Ata punojnë vetëm për padronët e tyre, dhe kundër të tjerëve. Kështu lindin dhe forcohen monopolet. Kështu pengohet biznesi. Kështu lulëzon krimi. Kështu ecim mbrapsht. Kështu ikin investimet serioze të huaja. Kështu digjen vendet e reja të punës etj. etj. Kështu ngelemi në vend, te fjala “administrata punëpaka”, që thoshin dikur themeluesit e shtetit tonë. Pas kaq e kaq reformash, pas kaq e kaq ndryshimesh, mbetet një vlerësim për administratën, vlerësimi që i bën vetë Kryeministri asaj. Ai e quan kazan dhe shumë përfaqësues të saj i quan legenë, duke harruar shpesh se ai ka dorë në këtë kazan dhe në emërimin e këtyre legenëve, që më shpesh janë qoka politike, se sa përzgjedhje meritokratike. Mjafton të kujtojmë këtu një fakt publik të padiskutuar gjerësisht: marrëveshjen politike të koalicionit me të cilin mazhoranca e sotme do të paraqitet në zgjedhjet e ardhshme. Aty thuhet shprehimisht se nga partitë e koalicionit do të punësohen individë që kanë moralitet të lartë (për këtë do komunikojë ndokush me Shën Pjetrin?) dhe profesionalizëm të lartë. Po a nuk e ndalon ligji shprehimisht këtë idenë e premtimit të vendeve të punës? A nuk e përcakton ligji se si duhet të përzgjidhen shumica e nëpunësve civilë? A ekziston prokuroria në këtë vend? Apo shfaqet si me magji vetëm në ditën që merret rroga?

Pas shumë mundimeve kemi arritur në pikën kur trysnia nga lart e Kryeministrit, njëlloj si “kontrolli punëtor” i dikurshëm, të zgjidhë hallet e njerëzve përmes një portali. Në fakt ky quhet Portali i Bashkëqeverisjes, ose Shqipëria që Duam. Do ta sqarojmë rolin e tij në pjesën e tretë të triptikut. Por sa për tani mund të themi se gjithë drejtuesit dhe punonjësit e administratës nuk janë në funksion të ligjit, por në funksion të ankimimit. Pra, ata nuk janë aty për të kryer detyra funksionale, por për të përmbushur idetë qiellore të liderit, i cili të shkarkon nga detyra direkt live nga televizioni, pa asnjë procedurë apo tagër ligjor. Mjafton që t’i prishet mideja atij. A thua se njerëzit janë gogla në duart e tij piktorike. Gjithë administrata është në funksion të portalit. Nuk po flasim për paaftësinë e administratës, as për arrogancën e saj të hapur. E keni vënë re, se si nëpunës të thjeshtë të shtetit nuk pyesin për askënd kur komunikojnë edhe përballë kamerave. Nuk kanë për orientim ligjin, por interesa të errët. Ku bazohet fuqia e tyre ekstraligjore? Kush u jep guxim? Kush i mban në administratë? Pse drejtorucët nuk japin informacion publik përpara kamerave? Pse u mbyllen dyert e institucioneve mediave? Pse është vetëm media që denoncon shkeljet që u bëhen qytetarëve? A ka struktura të posaçme shtetërore që luftojnë korrupsionin brenda administratës? A ka duk kjo puna e “bilbilenjve”? Si shpjegohet që janë punësuar dhjetëra njerëz me precedentë penalë në administratë? Ku i marrin dokumentet e “virgjërisë” këta? Kush ua kontrollon? Të paktën 70 nëpunës janë larguar këto ditë vetëm nga ligji i dekriminalizimit. Dhjetëra të tjerë kanë shfaqur paaftësi të theksuar. Tre vetë që paguhen për të njëjtin vend pune. Strukturimet e famshme, mjeti më antiligjor për të larguar punonjësit nga puna. Paaftësia për të thithur projekte dhe fonde nga BE. Emërimet dhe shkarkimet e drejtorëve kudo në Shqipëri. E plot e plot bëma të tjera, që ndoshta do vijë një ditë kur të shkruhen plotësisht.

Ne nuk duam ta nxijmë administratën, as të mohojmë dhjetëra projekte të mbështetura nga BE për modernizimin e saj, as punonjësit e shkëlqyer të saj. Ne thjesht jemi nisur nga komunikimet publike të tre personazheve të rëndësishëm të qeverisjes: batutat dhe komentet e Kryeministrit, sidomos ato që bëri në çastin e shkarkimit të fundit të ministrave në Asamblenë e PS, pra në ndryshimet e fundit qeveritare, si dhe në pothuaj të gjitha komunikimet e tjera; perceptimi që vjen nga deklarimet pothuaj javore të ministres së Drejtësisë, e cila na njofton vetëm për personat që janë hequr dhe proceduar nga administrata; ndjesia që vjen nga kontrollet e befasishme të zv.Kryeministrit, i cili synon të rikthejë zbatimin e ligjit në zyrat provinciale të shtetit. Pra, nëse mendoni se perceptimi ynë është vetëm se negativ, duhet të kontrolloni një herë perceptimet e krijuara nga krerët më të lartë të qeverisjes, që pohojnë gati të njëjtat gjëra, sidomos lidhur me nepotizmin, mungesën e përgjegjshmërisë, mungesën e llogaridhënies, pakorrektësinë, paaftësinë, korrupsionin etj. Por po e mbyllim këtu, me idenë e shprehur sa herë, që vetëm sa i kemi cekur dhembjet tona; me idenë që t’i përthellojmë në kohën e duhur, apo me gjasë dhe të tregojmë rrugët e shërimit.

Nga: Gazeta Mapo