20 Prill 2026

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja u shpreh këtë të hënën se Konispoli po hyn në fazë të re zhvillimi, që do ta shndërrojë atë në një pol turistik dhe kulturor.

Gonxhja tha se programi operacional 2026–2029 që do të zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, do të ketë një buxhet prej 500 milionë lekësh investim, për projektin “Ndërhyrje të integruara për zhvillimin e ofertës turistike kulturore dhe agroturistike– Rajoni 4”.

Projekti do të zhvillohet me bashkëpunimin e koordinuar institucional ndërmjet MTKS, Bashkisë Konispol, Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe FSHZH.

Ndërhyrja përfshin krijimin e një kompleksi muzeal dhe zhvillimin e ofertës agroturistike në Konispol.

FOTO+VIDEO/ Gonxhja: 500 mln për Konispolin, investimi për ta

Investimi i Konispolit synon jo vetëm ruajtjen e trashëgimisë, por edhe transformimin e saj në një motor zhvillimi ekonomik dhe social për zonën.

Ky investim do e kthente Konispolin në një destinacion të rëndësishëm historik dhe komunitar për vendasit dhe të huajt.

Vitin e kaluar ,më datë 31 korrik , me vendim të Këshillit të Ministrave, Konispoli u shpall Ansambël Arkitektonik Urban me vlera të veçanta historike dhe kulturore.