500 milion euro gjoba e çiftit Rama-Balluku për shqiptarët, pas 200 milionëve të Becchettit gati fatura tjetër e…

6 Gusht 2026
Taksapaguesit shqiptarë mund të përballen me një tjetër faturë të kripur nga gjykatat ndërkombëtare. Sinjalet e dhëna ditën e djeshme nga biznesmeni Behgjet Pacolli se kompania e tij MABCO Constructions SA po përgatitet t’i drejtohet arbitrazhit nëse qeveria anulon kontratën për Aeroportin e Vlorës, kanë rikthyer në skenë hijen e përplasjeve të kushtueshme ligjore me investitorët e huaj.
Pavarësisht se deri tani nuk ka një padi të regjistruar zyrtarisht, deklaratat e fundit tregojnë se palët po shkojnë drejt një krisjeje të thellë që mund të përfundojë në dyert e drejtësisë ndërkombëtare. Sipas reagimit publik të Pacollit, kompania e tij ka marrë dje njoftimin zyrtar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për nisjen e procedurave të ndërprerjes së kontratës koncesionare.
“MABCO Constructions SA mori edhe shkresën zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, me të cilën është iniciuar procedura për zgjidhjen e Kontratës së Koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Në thelb, ky veprim synon t’i heqë investitorit të drejtat që burojnë nga kontrata e partneritetit publik-privat më e madhe e realizuar ndonjëherë në Shqipëri. Fatkeqësisht, kjo nuk është më një surprizë. Shumë njerëz e kishin kuptuar që në gusht të vitit 2025 drejtimin që po merrte kjo çështje”, shprehet Pacolli.
Arbitrazhi
Ai thekson se kjo lëvizje e institucioneve shqiptare e detyron kompaninë të ndjekë rrugën e arbitrazhit ndërkombëtar, si mjeti i vetëm ligjor për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e saj. Sipas tij, gjatë këtij procesi do të paraqitet i gjithë dokumentacioni dhe provat që disponon kompania, ndërsa shprehet i bindur se arbitrazhi do të zbardhë të vërtetën e plotë mbi projektin dhe rrethanat që çuan në këtë konflikt. Pacolli përllogarit se kompania është e ekspozuar me mbi 320 milionë euro, pa llogaritur këtu fitimin e munguar dhe shpenzimet e proceseve ligjore, që kapin shifrat e 500 milionë eurove. Gjendja e projektit: Sipas tij, punimet ishin drejt fundit dhe projekti ndodhej vetëm pak para procesit të certifikimit.
Problem me kantierin: Ndër të tjera, biznesmeni pretendon se pas një vendimi gjykate kompania u bllokua të hyjë në kantier, çka solli dëmtim dhe vjedhje të pajisjeve. Ai thekson se shteti nuk mund të përdorë si pretekst për anulim kontrate ngjarje të shkaktuara nga vetë veprimet ose mosveprimet e tij. Pacolli akuzon institucionet shtetërore për veprime dhe mosveprime që kanë ndikuar drejtpërdrejt në bllokimin e projektit, pavarësisht se kompania ka kërkuar vazhdimisht dialog institucional dhe transparencë. Një nga pikat kyçe të pretendimeve të tij lidhet me refuzimin e kërkesës për një auditim të pavarur ndërkombëtar, i cili do të verifikonte investimet dhe ecurinë e projektit. Sipas Pacollit, kjo kërkesë është injoruar në mënyrë të përsëritur.
Ai përmend gjithashtu një sërë situatash problematike, duke përfshirë masa gjyqësore kontradiktore, përjashtimin nga administrimi i investimit dhe bllokimin fizik të aksesit në kantier, çka sipas tij ka ndikuar drejtpërdrejt në vonesat e projektit. Pacolli argumenton se ndërprerja e kontratës bie ndesh me marrëveshjet ligjore në fuqi, përfshirë kontratën koncesionare dhe marrëveshjet ndërkombëtare për mbrojtjen e investimeve, duke theksuar se askush nuk mund të përfitojë juridikisht nga pengesat që vetë ka krijuar.
Në fund të reagimit të tij, ai shprehet se nuk ka dashur që kjo çështje të përfundojë në arbitrazh, por sipas tij situata e krijuar nuk i lë alternativë tjetër. Pacolli shton se ky proces nuk është i dëshiruar nga kompania, por është pasojë e drejtpërdrejtë e mënyrës se si janë trajtuar çështjet nga institucionet përgjegjëse.
Pesha e precedentit “Becchetti”
Kjo përplasje ngjall shqetësim për shkak të precedentëve të mëparshëm që i kanë kushtuar miliona euro shtetit. Rasti më tronditës mbetet ai i sipërmarrësit italian Francesco Becchetti. Në vitin 2024, gjykata e arbitrazhit (ICSID) e detyroi Shqipërinë t’i paguante atij dhe kompanive të tij rreth 110 milionë euro dëmshpërblim bashkë me interesat që kapin vlerën e 200 milionëve, duke shënuar një nga humbjet më të mëdha financiare të vendit në gjyqet ndërkombëtare.
Pazaret e fshehta Rama-Balluku
Në mënyrë identike sikurse akuzohet nga SPAK për manipulimin e tenderit të tunelit të Llogarasë, Rama dhe Balluku duket se kanë vepruar edhe për atë të aeroportit të Vlorës. Një rrëfimi i gjatë i biznesmenit Pacolli ka hedhur më shumë dritë për mënyrën se si bëhen “garat” e koncesioneve të mëdha në Shqipëri, ku personat dhe kompanitë paracaktohen paraprakisht. Pacolli ka rrëfyer më pare se kur ai vendosi të konkurronte për aeroportin e Vlorës, e mori në telefon një i njohuri i tij, pronari i kompanisë turke YDA Group që e njoftoi se bashkë me të do të futej edhe ai. “Ai më tha se e kishin njoftuar nga presidenca turke se duhej të merrin pjesë në këtë garë”, tregoi Pacolli.
Ashtu sikurse dihet YDA Group, u fut në tendër vetëm për të plotësuar kriterin e një firme që kishte eksperiencë në punime të tilla që ishte një kusht për të marrë pjesë në konkurrim. Por sapo puna u krye turqit u larguan duke arkëtuar sipas Pacollit 3 milionë euro vetëm se kishin dhënë letrat. Me sa duket Balluku kishte një marrëveshje sekrete me ta sepse kur përfaqësuesi i YDA dhe Pacolli shkuan për takim në zyrën e saj, ajo as i adresoi fjalën biznesmenit kosovar. Ajo foli vetëm me turkun dhe e detyroi Pacollin të largohej nga takimi e të dilte jashtë.
Pse i takoi Balluku fituesit para garës? Ç’kishte për ti thëne ajo palës turke? Këto insinuata nuk përbëjnë të vetmin dyshim. Njësoj si në tenderin e tunelit të Llogarasë aty përmendet emri i Erdoganit. Te tuneli, Balluku ka transferuar një mesazh, të kapur më pad nga SPAK, ku kompania turke Interkar ASL pretendon se është “e preferuruara e presidentit”.
Në të dyja rastet turqit futen në tender vetëm formalisht pa bërë asnjë punë. Në të dyja rastet ata largohen me miliona të pamerituara që “nuk dihet” pse i kanë përfituar. Por Behgjet Pacolli as nuk u pyet, as nuk u përgjigj, vetëm për një gjë. Si është e mundur që ai bashke më turqit e YDA Group u bënë fitues të një “gare” të manipuluar e cila gjithashtu ka përfunduar në SPAK me akuzën e “shkeljes së barazisë në tendera” njësoj si për tunelin e Llogarasë.
Prapaskenat
Në tenderin e shpallur në fund të 2020-ës ka pasur një varg shkeljesh. Fillimisht ishte kërkuar që të ndërtohej një aeroport për 10 milionë pasagjerë dhe me dy kulla kontrolli. Që fituesit të ishin ata që u paracaktuan, katër ditë para garës, kapaciteti u zbrit në 2 milionë dhe kullat përfunduan në një. Për më tepër kompania tjetër konkurrente, britanikja AL-DE, ndonëse me kushte shumë më të favorshme për interesin publik, u skualifikua nga gara me justifikimin banal se nuk kishte dorëzuar dokumentacionin e plotë. Britanikët e AL-DE Corporation LTD e denoncuan garën e paregullt dhe për këtë çështje SPAK ka njoftuar se ka hapur hetim, për shpërdorim detyre, favorizim të palëve të caktuara dhe shkelje të pabarazisë në tendera.
Por nuk përfundon këtu. Pas marrjes së tenderit fiktiv kompania fituese kishte tre aksionerë: Mabco Construction e Pacollit me 58 për qind, YDA Group, e turqve që kishin ndërtuar edhe spitalin elektoral të Fierit me 40 për qind dhe 2A Group e Valon Ademit me 2 për qind. YDA Group, siç u tha, ishte përfshirë në koncesion për shkak të përvojës së saj për ndërtimin e aeroportit, pa të cilën nuk mund të justifikohej përmbushja e kritereve të garës. Prandaj ajo u “shpërblye” me 40 për qind të aksioneve.
Po ç’ndodhi? Ndonëse u shpallën fitues, turqit e YDA Group u tërhoqën menjëherë pas përfundimit të procesit duke paguar një shumë qesharake, 4200 euro për 40%-shin e tyre. Në fakt, sipas rrëfimit të fundit të Pacollit ata u larguan me 3 milionë euro ndërkohë që kishin kërkuar 5 milionë. Që këtu autoritetet shtetërore duhet të ndiznin sinjalin e kuq të alarmit sepse ligji për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat detyron që përpara ndryshimit të çdo aksioneri në kontratat koncesionare, duhet marrë fillimisht miratimi i Autoritetit Kontraktor dhe Ministrisë së Financave.
A e bënë këtë gjë? Natyrisht që jo. A dëshmon kjo se ishin palë në organizimin e një gare fiktive me një kompani turke të futur vetëm për letra? Natyrisht që po. Këtë e vërteton fakti se shitja e 40% të aksioneve që kaluan nga turqit tek Pacolli, në dhjetor të vitit 2022 (pikërisht ato aksione për të cilat po bëhet sherri i sotëm), është miratuar nga titullari i Autoritetit Kontraktor, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ministrja e Financave!
