15 Tetor 2022

Në Iran vijojnë protestat kundër qeverisë pas vrasjes së 22-vjeçares Mahsa Aminit nga policia e moralit.

Mbrëmjen e sotme janë dëgjuar tre shpërthime në burgun Evin të Teheranit, i cili mban të burgosur politikë, ndërsa dëgjoheshin të shtëna dhe një alarm. Media shtetërore citoi një zyrtar të sigurisë që fajësonte “elementët kriminalë” për trazirat, ndërsa pamjet e shpërthimit janë shpërndarë në mediat sociale.

“Dëgjohen të shtëna armësh nga burgu Evin dhe mund të shihet tym,” tha uebfaqja e aktivistëve 1500tasvir, e cila shpërndau gjithashtu pamjet.

“Familjet e të burgosurve janë mbledhur para derës kryesore të burgut Evin”, tha një dëshmitar i kontaktuar nga Reuters.

“Unë mund të shoh zjarr dhe tym. Shumë forca speciale. Ambulancat janë gjithashtu këtu.”- shtoi ai.

Ky burg është kritikuar prej kohësh nga grupet perëndimore të të drejtave dhe u fut në listën e zezë nga qeveria amerikane në vitin 2018, për “shkelje të rënda të të drejtave të njeriut”. Nga ana tjetër, deri më tani plot 233 persona kanë vdekur gjatë revoltave.

Protestat shpërthyen pas zemërimit për vdekjen e 22-vjeçares Mahsa Amini nga policia. Ajo u arrestua nga policia e Iranit për shkelje të kodit të rreptë të veshjes së Republikës Islamike. Qeveria e Iranit këmbëngul se Amini nuk u keqtrajtua në paraburgim nga policia, por familja e saj thotë se trupi i saj kishte mavijosje dhe shenja të tjera rrahjeje pasi u ndalua.

Të paktën 233 protestues janë vrarë që kur filluan demonstratat që përfshinë Iranin më 17 shtator, sipas monitoruesit të të drejtave të njeriut me qendër në SHBA, HRANA. Grupi thotë se 32 nga të vdekurit ishin nën moshën 18 vjeç.

Gazeta Shqip