Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Palladium

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 10 vite më parë

Edmond Tupja
Palladium

Palladiumi është një ele ment kimik që bën pjesë në grupin e platinit dhe në atë të metaleve tranzitore. Ngaqë është i rrallë (me vetëm 0,015 për milion në koren e tokës), ai bën pjesë në metalet e çmuara. Në vitin 2007 Rusia zinte vendin e parë si vend eksportues i tij me 44% të prodhimit në shkallë botërore, e ndjekur nga Afrika e Jugut me 40%, Kanadaja (6%) dhe SHBA (5%). Këto të dhëna lexuesi im kureshtar mund ti gjejë aty ku i gjeta edhe unë, pra, në Internet, te Wikipedia.

Sot, shtatë vjet më vonë, për shkak të përdorimit të tij përherë e më të dendur në disa fusha me rëndësi ekonomike (si prodhimi i makinave, ndër të tjera) dhe për pasojë të krizës botërore, çmimi i tij po vazhdon të rritet. Megjithatë, habitem se si, me gjithë strukturat shkencore, dijet dhe shërbimet informative që kanë në dispozicion, këto vende të fuqishme ende nuk kanë zbuluar që vendi më i pasur me palladium jo vetëm në botë, por pa pikë dyshimi edhe në sistemin tonë diellor, madje në galaktikën tonë, është… Shqipëria. Po, po, Shqipëria, veçse bashkatdhetarët e mi, sot, në epokën e imejllit e të sms-së, ia kanë shkurtuar emrin: nga "palladium" ia kanë bërë "palla". Po, palla(diumi) ndodhet me shumicë, madje nuk është aspak nevoja të gërmosh tokën: palla(diumi) ia bën muuuuu(t) çdo ditë e çdo natë, kudo, në fshat e në qytet, në kafene e restorante, në rrugë e në sheshe publike, nëpër institucione nga më të ndryshmet, që nga më modestet deri te më të lartat.

E ndiej që, pas këtyre pohimeve, lexuesi im i vëmendshëm dhe i paanshëm, për të më besuar, kërkon prova e dëshmi të bazuara në fakte dhe unë nuk do ta zhgënjej. Nuk do ta zhgënjej sipas mënyrës sime, sigurisht, duke i bërë propozimin e mëposhtëm: Së pari, le të dalë ditën e të shëtisë, të paktën në kryeqytet (me rreth një milion banorë) dhe në qytetet kryesore thjesht për të parë, riparë e stërparë se kafet, baret, restorantet rrugët e sheshet janë, në shumicën e kohës, plot me njerëz të ngeshëm që bëjnë pall(adium). O Zot, sa na gëzon, eksiton e entuziazmon palla(diumi) ne! Vetë termi "palladium" a nuk të kujton togfjalëshin "pallë duam"? Aq sa mendja të shkon menjëherë tek ai emigranti i papunë shqiptar që, në sheshin "Omonia" të Athinës, kur një qytetar grek iu afrua për ti propozuar njëfarë pune, i pëshpëriti shokut të vet shqiptar: "Po pse ore, mua më gjeti ky që të më fusë në punë në pikë të mëngjesit!".

Së dyti, do ti kërkoj lexuesit tim të dalë fshatrave e të vërejë se sa toka të lëna djerrë ka rreth e rrotull atij. Në fakt, pronarët e këtyre tokave nuk kanë përse ti punojnë ato: A nuk thamë se palla(diumi) në Shqipëri gjendet kudo? Meqë ra fjala për fshatrat, ja një shembull konkret pranë një institucioni krejt modest në një fshat malor, ku para një viti e gjysmë kisha shkuar për të admiruar ca ujëvara të mrekullueshme rrëzë një mali madhështor; banorët shumë mikpritës të fshatit më dhanë një udhërrëfyes të shkathët e të zgjuar, që sapo kishte mbaruar klasën e nëntë.

Tek ecnim e pyeta se çgjuhë të huaj kishte bërë në shkollën e fshatit. "Frëngjisht", mu përgjigj. Në çast i bëra disa pyetje, por e kuptova që ai nuk dinte më shumë se njëzet fjalë nga gjuha e Molierit dhe e Hygoit. Njëzet fjalë për katër vjet! Kur e pyeta nëse kishin frekuentuar rregullisht, më tha se po, se nuk kishte bërë thuajse asnjë mungesë, por mësuesi i tyre luante me letra dhe pinte raki, prandaj bënte rrallëherë mësim.

Kur e pyeta nëse ishte ankuar te drejtori, udhërrëfyesi im buzëqeshi dhe më tha: "Po mësuesi i frëngjishtes është vetë drejtori i shkollës!" A e shihni, pra, sa me bollëk gjendet palla(diumi) edhe në fshatin më malor të një zone shumë të thellë të vendit tonë! Së treti e së fundi, më e bukura është se në Shqipëri na qenka zbuluar edhe një mineral tjetër, madje më i çmuar se palla(diumi)! Ky supermineral me rëndësi strategjike qenka edhe më i rrallë se palla(diumi), atë e gjen vetëm në Shqipëri, por ekskluzivisht në institucione me peshë në politikën shqiptare.

Ky supermineral u quajtka "rrumpalladium" dhe shkencëtarët e Akademisë sonë të Shkencave, në bashkëpunim të pashmangshëm me disa kolegë të shquar ndërkombëtarë (madje edhe ndërplanetarë), e paskan zbuluar javën e kaluar (shët, mos ia tregoni njeriu se ende është sekret shtetëror!); ai u quajtka "kacarrumpalladium" dhe, falë atij, njeriu, sidomos ai homo albanicus, mund të fluturojë pa qenë nevoja ti hipë avionit apo raketës, duke e skualifikuar kështu edhe të famshmin pras Kashari si mjet fluturues.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama