Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Propozim per nje BS

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 9 vite më parë

Edmond Tupja
Propozim per nje BS

Që në krye të herës, më duhet të nxitoj për të shmangur çdo keqkuptim nga ana e lexuesit tim serioz e me kulturë politike: në mendjen dhe në penën time BS sot nuk do të thotë aspak se e kam fjalën për të dikurshmin Bashkim Sovjetik! Sigurisht, lexuesi im kureshtar kërkon të dijë menjëherë se çfarë fshihet pas këtyre dy germave.

Le të ketë atëherë durimin qytetar të presë fundin e këtij shkrimi për ta mësuar gradualisht të vërtetën ëmbëlsisht të lëngshme. BS-ja është një institucion relativisht i ri në botë, që u shfaq andej nga fundi i viteve ’70 në vendet më të zhvilluara të Europës e të Amerikës Veriore.

Fatkeqësisht, në vendin tonë, përderisa sundonte diktatura e proletariatit nën udhëheqjen e PPSH-së, askujt nuk i shkoi në mendje të propozonte krijimin e një BS-je kombëtare, për qëllime kombëtare, qoftë edhe sipas parimit të ndërtimit të socializmit me forcat tona.

Megjithatë, për hir të së vërtetës lakuriqe, më duhet të pranoj se, asokohe, kafshët e fermave shtetërore e të kooperativave bujqë- sore, përfituan nga disa elemente fillestare të institucionit në fjalë, por vetëm ato, pra, kafshët dhe kurrsesi njerëzit.

Pas shembjes së diktaturës komuniste, askush nuk u kujtua për të ngritur një BS qoftë edhe modeste, themelimi i së cilës, me shumë gjasë, do ta kishte nxitur e përshpejtuar krijimin e elitave jo vetëm në art, kulturë dhe ekonomi, por, me siguri edhe në politikë, çka do ta kishte pasuruar dhe emancipuar më shpejt, më bukur dhe patjetër më lirë shoqërinë shqiptare në përgjithësi.

Sot, kam miq e shokë plot, si për shembull të mirënjohurit Aqif Qifa, Françesk Armadhi dhe Vangjel Lezeti, të cilët e kanë peng të madh dhe të pakapërcyeshëm faktin që mungesa e ngritjes dhe e funksion imit të rregullt të një BS-je, qoftë në gjirin e Akademisë së Shkencave, qoftë pranë Këshillit të Ministrave, qoftë nën ombrellën e Kuvendit, e ka frenuar zhvillimin global të Shqipërisë duke ngadalësuar integrimin e saj në Bashkimin Europian dhe, rrjedhimisht, kontributin e saj në mbarëvajtjen e çështjeve të mëdha të njerëzimit në të gjitha sferat e jetës në shkallë planetare.

E ndiej që lexuesi im i mençur po fillon ta humbë pikërisht durimin legjendar që e karakterizon (por a nuk thotë proverbi ynë i lashtë “I duruari, i fituari”?) dhe po zien përbrenda tek më sheh që e kam marrë kaq shtruar çështjen e BS-së në fjalë duke i dhënë asaj një ngjyresë fort të mistershme, a thua se kërkoj të zgjoj interesin e CIA-s, e KGBsë e të SHISH-it tonë vigjilent njëkohësisht.

Në fakt i jap njëfarë të drejte, por do t’i lutem të mos më gjykojë par kohe dhe të vazhdojë të më lexojë me besim të plotë tek aftësitë e mia rrëfimtare. Për vonesën e krijimit, në Republikën e Shqipërisë, të institucionit tani për tani të emëruar BS, unë do të bëja përgjegjëse në radhë të parë, të dytë e të tretë politikën shqiptare të periudhës së tranzicionit, si krahun e djathtë ashtu edhe atë të majtë.

Po ta kishin krijuar politikanët tanë me kohë BS-në aq të domosdoshme e të mezipritur për fatet e shtetit tonë dhe për të ardhmen e tij të ndritur, duke i falur asaj para së gjithash diçka nga esenca e tyre jetike, Shqipëria do të ishte pajisur më së miri me pasardhës të denjë të tyre, të përzgjedhur shkencërisht dhe të brumosur me tiparet më të shkëlqyera të politikanit kurdoherë të suksesshëm; këto kuadro drejtuese do ta kishin ngritur vendin tonë në lartësi të paimagjinueshme falë politikave të ndriçuara që do t’i kishte pasur zili mbarë bota demokratike.

Përveç kësaj, BS-ja shqiptare do të kishte eksportuar edhe në drejtim të vendeve më të zhvilluara politikanë të ngjizur në laboratorët e saj të mahnitshëm, ku ADN-ja e politikës shqiptare me prejardhje pellazgo-iliro-shqiptare do ta përshkonte përfundimisht si një fill i kuq spermatozoidal të tashmen e të ardhmen e njerëzimit! Besoj se tani, ti i nderuar lexues i vë- mendshëm që di sidomos të lexosh midis rreshtave, besoj, pra, se tani e ke të qartë si dritën e diellit se ç’kuptoj unë me BS.

Gjithsesi, nëse ende nuk i ke rënë në të, po të them se B-ja është shkronja e parë e fjalës “bankë” dhe se S-ja është shkronja e parë e fjalës s… Ende nuk po e përcakton se cilën fjalë kam në mendje? Oh, ti nuk do që të ta them menjëherë, apo jo?

Pastaj, si ish-pedagog i rreptë dhe i paanshëm, e kam shumë të vështirë të të jap kopje. Për pasojë, vetëm mund të të sugjeroj të hapësh “Fjalorin e gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006) te shkronja S dhe t’i marrësh me radhë tërë fjalët që fillojnë me këtë shkronjë, por kjo do të të kërkonte shumë kohë sepse janë saktësisht 45 faqe me nga dy kolona secila, prandaj të sugjeroj të kërkosh te faqja 978 dhe do ta gjesh fjalën e famshme, burim jete, që fillon me germën “s”.

Nëse ti nuk ke fjalor në shtëpi, as ndonjë fqinj aty pranë të pajisur me një të tillë, atëherë, meqë bibliotekat janë të mbyllura ditën e diel, po të them se një bankë s… është një institucion ku njerëzit e shquar, përfshirë edhe politikanët, depozitojnë, kundrejt pagese sigurisht (ja, pra, edhe një mënyrë tjetër se si ata mund të pasurohen ndershmërisht), depozitojnë, po e përsëris, disa pika nga esenca e tyre jetike për të mirën e zhvillimit të sotëm e të ardhshëm të njerëzimit. A e kuptove më në fund se për ç’lloj banke e kam fjalën?

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama