Nje Hostel ne Tirane

Një Hostel në Tiranë

Duke u ndarë gjithçka, çmimi për tu paguar është më i ulët për të gjithë.. "Shpirti i miqve" është i vështirë për tu përshkruar, për të kuptuar më mirë gjithçka dhe si funksioon kjo është e nevojshme që të provohet një eksperiencë e tillë. Në fakt është një vendqëndrimi.. Nuk bëhet fjalë për Hotel as për Motel.. Nëse nuk e keni kuptuar ende se ku ndodheni, po ju themi që bëhet fjalë për një Hostel..

Fjala hostel nuk përshkruan një vend, përshkruan një sjellje, nje filozofi, një mundësi njohje mes njerzve të kulturave të ndryshme, që bashkë ndajnë gëzimin, trishtimin, eksperiencën e aventurës dhe të udhëtimeve. Një hostel mund të quhet ndryshe dhe një hotel i të rinjve, është një vendstrehim ekonomik me kualitet të mirë, në të cilin do të kaloni netë të mira, në një ambjent mikpritës dhe me çmime të arsyeshme.

***
Deri para disa vitesh termi Hostel në Shqipëri pothuajse ka qenë i panjohur për pjesën më të madhe të të rinjve.. Edhe sot jo shumë shqiptarë e dinë se çfarë është një hostel.

Por të huajt që vijnë në Tiranë e dinë. Ka shumë prej tyre të cilët para se të vijnë për të bërë një vizitë në vendin tonë interesohen nëpërmjet internetit, për të parë se në çfarë hosteli mund të qëndrojnë.. Bëhet fjalë për ata q duan të ndajnë me dikë shpirtin e aventurës dhe që sigurisht nuk kanë shumë para në xhep..

E nëse hyn në internet për të kërkuar një të tillë në Shqipëri, në vend të hosteleve të dalin disa emra hotelesh që në fakt nuk kanë asnjë lidhje me hostelet. Por që prej verës së vitit 2005 dhe Shqipëria, dhe kuptohet Tirana ka një ambjent të tillë, madje jo një, por dy.

Njëri prej hosteleve gjendet në rrugën e Elbasanit, afër Liceut Artistik. Ne takuam ideatorët dhe pronarët e këtij hosteli, ai që na foli ishte Edvin Paruca, dikur spiker në një prej televizioneve informative të vendit. Ideja se pse kishte vendosur të hapte një vend të tillë i kishte ardhur nga takimet që ai kishte bërë me të huajt, të cilët vazhdimisht ankoheshin dhe faktin që Tirana nuk kishte vende të tilla e quanin shumë shqetësues. Duke parë interesimin e madh dhe nevojën për të patur një vend të tillë, Edvini vendosi të merrte një iniciativë të tillë.

Hosteli është një vilë dy katëshe, në të cilën gjendet 4 dhoma me nga 18 shtretër marinari dhe që nuk janë të ndara për meshkujt dhe femrat.. Një hostel ndarjen gjinore nuk e ka kusht të domosdoshëm. Vila rrethohet nga një kopësht mjaft i bukur, për të cilin sipërmarrësit kujdeseshin mjaft. Tani është edhe fillim pranvere dhe kur vizituam Hostelin, i gjetëm duke u kujdesur për lulet, pemët, madje këtë vit ata kishin menduar që në një pjesë të kopshtit të kultivonin perime të ndryshme. Ervini na tregon se është hera e parë që merren me këtë gjë dhe ende nuk janë të sigurt nëse perimet do të bëhen të mbara apo jo. Për këdo që ka kaluar një eksperiencë të tillë është shumë e thjeshtë të kuptojë se hostelit tonë „tironas", krahasuar me hostelet e tjera nëpër botë nuk i mungojnë shumë gjëra. Ambjentet janë po aq të gjalla, po aq harmonike, po aq famljare, sa janë dhe në hostelet nëpër botë, të cilat kanë shumë më shumë vite jete.

Ambjenti familjar kuptohet më së miri në kuzhinë, pasi siç thotë dhe një shprehje e vjetër, "dashuria vjen nga stomaku". Kuzhina është kolektive.. Të gjithë miqtë mund të gatuajnë sipas dëshirës së tyre dhe pse jo, të shfaqin dhe mjeshtërinë e tyre në artin e gatimit e në të njëjtën kohë të shpalosin dhe një pjesë nga kultura e tyre.

Gatimi është një nga ato fusha, i cili nuk është pak i rëndësishëm në kulturën e një populli. Pasi miqtë gatuajnë, ulen dhe hanë së bashku, si një familje e vërtetë, në një ambjent që të relakson.. Pasi ka mbaruar ngrënia mund të kthejnë ndonjë gotë birrë, duke biseduar e duke kaluar orët në shoqërinë e njëri tjetrit. Madje ka dhe nga ata që miqësohen aq shumë me njëri- tjetrin, saqë udhëtmin e radhës, për të vizituar një shtet tjetër e bëjnë bashkë, e prandaj hostelet njihen si një mënyrë e mirë për të njohur miq të rinj.

Nga viti kur është hapur e deri tani, hosteli ynë ka mikpriturtë rinj të ardhur kryesisht nga Australia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe sigurisht Evropa. Ajo që të bën përshtypje, është se në hostel nuk ka pasur miq nga vendet fqinjë si: Greqia, apo Maqedonia. Arsyeja e kësaj mungese të këtyre vendeve nuk është shumë e vështirë për tu shpjeguar.. Po të hysh në internet shikon që dhe këto vende nuk e kanë shumë të zhvilluar një aktivitet të tillë dhe siç ndodh në Shqipëri, ndodh që dhe në këto vende, kjo lloj aventure dhe eksperience të mos njihet në masë nga të rinjtë.

Disa hostele jashtë shtetit kanë një limit të caktuar ditësh, për të cilat mund të qëndrosh, ndërsa në hostelin shqiptar periudha që mund të kalosh në të është pa limit, madje ndryshe nga hostelet e huaja nuk ka as kriter moshe. Pagesa për një natë në hostel është 12 euro, në të ndryshe nga çfarë ndodh në shumicën e hosteleve nuk përfshihet mëngjesi..

Hosteli ende nuk bën pjesë në shoqatën ndërkombëtare Hosteling International, por nëse kërkohen të dhëna në internet ato janë të disponueshme, madje edhe në guidat për Shqipërinë që botohen jashtë.

Hosteli gjithashtu është i pajisur me një bibliotekë të vogël dhe një kinema, e cila ndodhet brenda ambjenteve të hostelit. Aty sipas orareve mund të shijohen filma të ndryshëm. Në oborrin e hostelit na ranë në sy dy motorra të mëdhenj, një herë menduam se mos ishin pronë e hostelit dhe jepeshin me qera, por më vonë na shpjeguan se ishin motorrët e një çifti zvicerian, të cilët kishin tre net që ndodheshin në Shqipëri. Donim tu merrnim një mendim, pasi ishte hera e parë që ata shkelnin vendin tonë, po në ato momente kishin dalë për të njohur qytetin dhe meqë motorrat i kishin aty, kishn preferuar të ecnin në këmbë.

Ka dhe të rinj shqiptarë që e kanë provuar një eksperiencë të tillë

Serena, është një nga të rejat shqiptare që ka provuar një eksperiencë Hosteli jashtë Shqipërisë..E ajo nuk është e vetmja. Ka qenë pjesë e një projekti të organzuar gushtin e verës së kaluar nga një organizatë rinorenë bashkëpunim me Ambasadën Gjermane dhe Presidentin e Republikës.

Projekti mbante emrin "Euroudhëtim" dhe kishte si qëllim të përhapte kulturën shqiptare nëpër botë, të bënte studentët shqiptarë të ndjeheshin evropianë të vëretë e kuptohet që kjo iniciativë nuk mund të përfshinte të gjithë studentët e republikës, po ishte bërë një lloj përzgjedhjeje duke u bazuar në rezultatet e tyre, aftësitë komunikuese dhe njohja e gjuhëve të huaja. Megjithatë ishte një projekt ku ishin të përfshirë 33 të rinj nga qytete të ndryshme të vendit.

Këta 33 të rinj, të cilët dhe e kanë provuar një eksperiencë të tillë e kuptojnë më së miri se çdo të thotë Hostel.

Nga eksperienca që ka pasur, Serena, studente e filozofisë pohon se Hostelet janë një vend ideal për të rinjtë, janë një vend ku të jepet mundësia të takosh të rinj nga e gjithë bota dhe pse jo të krijosh kontakte me ata. Ajo pohon se shumë nga miqtë e saj të huaj janë miq, të cilët i ka njohur në ambjentet e hosteleve. Dhe ç´është më e rëndësishmja, për studentët janë një vend shumë favorizues nga ana ekonomike, mund të gjesh shumë gjëra, dhe mund të kursesh shumë.

"Janë një vend i mrekullueshëm për të rinjtë që kanë dëshirë të njihen dhe kanë shpirt aventure, mendoj se është një gjetje shumë e arrirë nga ana e tyre që kanë ideuar krijimin e një vendi të tillë. Të rinjtë shqiptarë kanë shpirt aventure dhe mendoj se po tu jepej mundësia, të gjithë do të provonin një eksperiencë të tillë, e nëse s'do të kishim probleme me sigurimin e vizave, këto lloj pushimesh për mua do të ishin të preferuarat. Nuk jam e mirëinformuar se çfarë ndodh në Shqipëri, nëse ka apo jo vende të tilla, por besoj se ekzistenca e tyre do të ishte një grep i mirë për të tërhequr turistë të rinj e të reja nga të gjitha anët e botës", këto fjalë thotë Serena, duke kujtuar me mall gushtin e kaluar dhe duke uruar që të gjithë të rinjtë shqiptarë të kenë mundësinë që një ditë ta bëjnë të arritshme një eksperiencë të tillë.

Nga Elona Demollari  Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama