Mesatarisht mendohet që të shfaqen 2 koncerte në javë. Janë 400 studentë dhe pedagogë të Fakultetit të Muzikës, të cilët do të japin koncerte solistike, koncerte me muzikë dhome, si dhe koncerte me orkestrën dhe korin e Fakultetit të Muzikës. Do të luhen gjithsej 149 vepra të kompozitorëve të shquar shqiptarë e të huaj, ndër të cilat mund të përmendim veprat e njohura botërore të Requiem Gabriel Fauresë, apo operën “Dasma e Figaros” të Moxartit etj. Shupo thekson se “ndër koncertet me vepra të kompozitorëve shqiptarë dua të veçoj koncertin me veprat e kompozitorit Lec Kurti, i cili është një pararendës i panjohur deri tani në muzikën artistike shqiptare”. Në mbyllje prof. Shupo shton se “unë e dija që Fakulteti i Muzikës do të rizgjohej një ditë. Por e dija se kjo gjë do të ndodhte vetëm atëherë kur zelli, kërshëria dhe përkushtimi do të mblidheshin tok e do të lëshoheshin në një garë të paqme, të hapur e të patëkeq. Ajo që po ndodh qysh prej afërsisht dy muajsh në Akademinë e Arteve nuk është vetëm e vërteta e thjeshtë se dikush, disa, apo të tërë bashkë po ngjitemi pa pushim në skenë.
Dhe nuk mund të përcaktohet vetëm me shprehjen që dikur na ngjallte siguri e përgjumje ‘po ngjisin shkallët e karrierës’. Sepse në Akademinë e Arteve po ndodh diçka shumë më e madhe se kaq. Në të po rizgjohet shpirti i konkurrencës dhe i krahasimit”. Gjithashtu, rektori i Akademisë së Arteve, prof. Petrit Malaj është shprehur me entuziazëm: “Jam shumë i kënaqur që në institucionin tonë, krahas përmbushjes së misionit të edukimit artistik, po startojmë me stinën koncertore të Fakultetit të Muzikës, të cilën në forma të tjera do ta organizojmë dhe në fakultetet e tjera. Ky është realizimi i një prej objektivave tona shumë të rëndësishëm, atë të kthimit të Akademisë së Arteve në një qendër të rëndësishme kombëtare të promovimit të vlerave dhe mendimit artistik. Kjo ndërmarrje do të përkrahë studentët më të talentuar, ata që punojnë dhe me vlerat e tyre tregojnë më së miri nivelin e shkollës sonë”. Ai shton më tej se “na takon ne, pedagogëve dhe studentëve të Akademisë së Arteve, që me profesionalizmin tonë të bëhemi promotorë të shpalosjes së cilësive krijuese të nivelit të lartë. Duke e vlerësuar dhe nxitur këtë nismë të Fakultetit të Muzikës, njëkohësisht dua të shpreh mbështetjen time ndaj të gjithë projekteve të studentëve dhe pedagogëve të Akademisë së Arteve.
Përsa i përket përgatitjes së Stinës Koncertore të Pranverës në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, për organizimin e këtij evenimenti, veç grupit të punës, janë angazhuar edhe 63 pedagogë të jashtëm dhe të brendshëm. Ky aktivitet organizohet nën kujdesin e zonjës Liri Berisha, presidente e fondacionit të fëmijëve shqiptarë “Domenic Scaglione”.
Petrika GROSI : Gazeta Albania