Regjistroni domainin tuaj .al

Ja "kokat e prera" në art e kulturë, pas Festivalit të 11-të

Shkruar nga:  
Postuar më: 7 vite mĂ« parĂ«

Ja
Ja "kokat e prera" në art e kulturë, pas Festivalit të 11-të

Në një lajm tjetër të agjencisë italiane, "Ansa", theksohet se Festivali i fundit i Këngës në Tiranë, me dy paraqitës të programit, me orkestrën e madhe dhe dy orkestra të vogla, me jurinë në sallë dhe juritë në disa qytete te tjera të Shqipërisë, ishte një kopje e bukur e Festivalit të Sanremos, që dëshmon se sa ka ndikuar TV italian në përpunimin e shijeve moderne te shqiptarët. Më tutje, një relacion nga Ministria e Punëve të Brendshme: "Burime nga organet tona të Sigurimit të Shtetit bëjnë të ditur se në shumë qytete, këngët e Festivalit të11-të, regjistruara në magnetofonë, këndohen madje dhe në dhoma shtëpish, ku të rinjtë e ndikuar, kërcejnë e këndojë në mënyrë amerikane…". Enver Hoxha zbehet, shtrëngon dhëmbët dhe vendos të marrë masa, ashtu siç bëri në fakt…

...Të themi të drejtën, po të kishte ndodhur kështu, diktatori edhe mund të kishte pasur të drejtë të revoltohej dhe ta dënonte Festivalin e 11-të. Por nuk ndodhi asnjë nga këto hamendësime.

Kur ngjarjet e Festivalit të 11-të dhe pasojat e tjera të tij, për të cilat po shkruaj në vazhdim, ua kam rrëfyer tani vonë disa miqve të mi italo-amerikanë, që banojnë në Boston, ata kanë mbetur të habitur dhe kanë shtuar se këto mund të ndodhnin vetëm në periudhën e inkuizicionit mesjetar.

Por dihet se regjimi i kohës nuk u kufizua vetëm me goditjen barbare që i dha Festivalit të 11-të. Ai hobenë e tij e vërtiti dhe në fusha të tjera të artit.

"Në letërsi dhe arte, -theksohej në materialet e Partisë, kushtuar Plenumit të 4-t,-elementët armiq, nën maskën e luftës kundër konservatorizmit, kishin bërë përpjekje për t'i hapur rrugën liberalizmit, për të larguar letërsinë dhe artet tona nga rruga e realizmit socialist". Në qendër të goditjes ata kishin çdo tendencë që mund të cenonte parimin e udhëheqjes së Partisë në letërsi dhe arte. Në plenum u kritikua Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve, disa drejtues të së cilës kishin lejuar përhapjen e koncepteve e teorizimeve të huaja për letërsinë dhe artet tona. Përgjegjësi për këto kishte edhe Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, e cila kishte nënvleftësuar rrezikun e liberalizmit dhe ishte tërhequr para presioneve liberale...

Si pasojë, u lirua nga detyra Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Dhimitër Shuteriqi, sekretari i saj, Vilson Kilica, u largua me dënim të rëndë, kryeredaktori i gazetës "Drita", Ibrahim Uruçi, u qarkullua redaktori i saj, Moikom Zeqo. Nga revista "Nëntori", u larguan kryeredaktori dhe kritiku i njohur, Dalan Shapllo, redaktorët Gjergj Zheji, Anton Kuqali, Sulejman Mato; nga Shtëpia Botuese "Naim Frashëri" u larguan redaktorët, Dilaver Dilaveri, Rinush Idrizi, Aristidh Ristani, i cili kishte lejuar botimin e veprave të huaja me pikëpamje të shtrembra ideo-estetike. Kjo fushatë vazhdoi me qarkullime e dënime të tjera shkrimtarësh, si Teodor Laço, Pëllumb Kulla, Leka Bungo… Shpëtoi çuditërish pa u dënuar poeti i njohur, Xhevahir Spahiu, i kritikuar dy herë hapur nga vetë Enver Hoxha për ndikime në krijimtarinë e tij nga filozofia "reaksionare" e Sartrit.

Më pas, pasojat u bënë tragjike: për prirjet e tyre abstraksioniste dhe surrealiste në artet figurative, u arrestuan dhe u dënuan me burgim të gjatë piktorët Edison Gjergo dhe Ali Oseku, shkrimtari Zydi Morava, poetët Jorgo Bllaci, Frederik Reshpja, Visar Zhiti, Daut Gumeni, Uran Kostreci, regjisori dhe dramaturgu, Kujtim Spahivogli dhe më vonë arkitekti dhe piktori, Maks Velo.

Vëllimi i poetit të njohur Fatos Arapi, "Më jepni një emër", për gabime ideore nuk doli në qarkullim dhe ai u dënua të kalonte nga UT, ku ishte pedagog, mësues në një shkollë mbrëmjeje. Nuk u botua në gazetën "Drita" dhe u dënua drejtpërdrejt nga Enver Hoxha poema "Pashallarët e kuq" e Ismail Kadaresë, i cili u degdis të kalonte disa muaj nëpër fshatrat e Myzeqesë. Kurse Abdurrahim Myftiu, Sekretar i Kolegjiumit të kësaj gazete, që kishte aprovuar këtë poemë për ta botuar, u pushua nga puna. Kulmi i dënimeve absurde arriti me pushkatimin e dy poetëve të rinj, Genc Leka dhe Vilson Blloshmi…

Të gjitha këto dënime nuk ishin gjë tjetër, veçse vazhdë e dënimeve që ishin ndërmarrë kundër shkrimtarëve që më 1945: vrarë, a vdekur nga torturat, shkrimtarët priftërinj katolikë, Vincens Prenushi, Bernardin Palaj; pushkatuar, Lazër Shantoja, Anton Arapi, Trifon Xhagjika; burgosur, Et`hem Haxhiademi, Gjergj Bubani, Arshi Pipa, Mitrush Kuteli, Ibrahim Dalliu, Kasem Trebeshina, Mehmet Myftiu, Bedri Myftari, Kin Dushi…

Pa kaluar ende një vit, hobeja që mbante në dorë udhëheqja, u shndërrua në shpatë, në Plenumin e 5-të të KQ të PPSh-së, që u mbajt më 25-28 korrik të vitit 1974. Aty u analizua dhe u dënua veprimtaria armiqësore e Beqir Ballukut, ish-ministër i Mbrojtjes, armik i betuar i Partisë dhe i popullit, agjent në shërbim të armiqve të jashtëm të RPSSH dhe një vit më pas në Plenumin e 6-të, që u mbajt më 16-17 dhjetor, i cili dënoi veprimtarinë armiqësore të pasuesve të Beqir Ballukut, Petrit Dume, Hito Çako etj., gjithnjë në fushën e Ushtrisë. Kjo shpatë pastaj u vërtit në fushën e ekonomisë, duke

prerë koka të tjera në Plenumin e 7-të, (25-26 maj 1975), ku anëtarët e Byrosë Politike dhe ministrat, Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi etj., për gabime të rënda në fushën ekonomike u dënuan si armiq të Partisë.

Apogjeun e kësaj fushate dënimesh e spastrimesh të papara, regjimi i kohës, i drejtuar nga Enver Hoxha, e arriti më 1981-'82, kur eliminoi me vetëvrasje (a vrasje), kryeministrin, Mehmet Shehu dhe ministrin e Mbrojtjes, Kadri Hazbiu, të cilët prej vitesh përgatitnin një komplot të madh dhe të rrezikshëm për të rrëzuar pushtetin popullor, "komplot" ku bënte pjesë edhe Todi Lubonja e Fadil Paçrami...

Edhe shkrimtari i madh francez, Zhyl Vern, po të ishte gjallë, do t'ia kishte zili këtë fantazi të harlisur të udhëheqjes së kohës, që sajonte komplote pas komplotesh, të cilat zbuloheshin me vigjilencë… nga Partia...

*

**

Nga sa mësohet në këtë cikël, pas Festivalit të 11-të, qëllimet e tij, Enver Hoxha i nisi me një diskutim të mbajtur në një mbledhje të Presidiumit të Kuvendit Popullor, më 9 janar të vitit 1973, ku kritikoi TVSH-në për shfaqje të huaja, që "janë kontrabandë". Vazhdoi më pas me porosinë e dhënë që gazetat "Zëri i Popullit dhe "Drita" të sulmojnë Festivalin e 11-të Këngës në RTVSH, e thelloi atë edhe më shumë në mbledhjen e Sekretariatit të KQ, (mars 1973), kur i bëri i pyetje Fadil Paçramit: "Ne bëjmë pyetjen: "Ju jeni me tezat e Partisë, apo me tezat e armikut?", dhe arriti kulmin me sulmin ndaj tij e Todi Lubonjës dhe letërsisë e arteve në Plenumin e 4-t, (qershor 1973) dhe, siç e pamë, e përdori këtë plenum si shkas që në plenumet e tjera, në vitet që vijuan, të asgjësonte të ashtuquajturit armiq, që nuk ishin veçse bashkëpunëtorë të tij besnikë.

Pas përjashtimit nga Byroja Politike dhe Partia dhe internimit të Liri Belishovës, si agjente e revizionizmit sovjetik, më 1960, Enver Hoxha, siç e pamë, pati një pauzë disavjeçare deri më 1972, kur shpata e tij mbeti në…"mill".

Më 8 nëntor të viti 1961, në një vizitë që bëri së bashku me anëtarët dhe kandidatët e tjerë byroistë në shtëpinë ku u themelua Partia Komuniste Shqiptare, me rastin e 20-vjetorit të saj, ai doli së bashku me ta në një foto. Të tërë ata ngritën lart duar, të bashkuara, si simbol i besnikërisë së pathyeshme midis tyre. Ishte tërthorazi një kundërpërgjigje që u jepte Hrushovit dhe pasuesve të tij që, ç'është e vërteta, kishin pritur se mos ky unitet do të thyhej.

Në atë fotografi, sipas alfabetit shihen: Abdyl Këllezi, Adil Çarçani, Beqir Balluku, Gogo Nushi, Hysni Kapo, Kadri Hazbiu, Koço Theodhosi, Mehmet Shehu, Petrit Dume, Ramiz Alia, Rita Marko, Spiro Koleka, Pilo Peristeri. Gjashtë prej këtyre besnikëve të tij deri në fund, pra gjysmën e tyre; Mehmet Shehun, Abdyl Këllezin, Beqir Ballukun, Kadri Hazbiun, Koço Theodhosin dhe Petrit Dumen, pa përmendur anëtarë të tjerë të KQ, ministra e ushtarakë madhorë, demoni Enver Hoxha, ose i vrau, ose i kalbi nëpër burgje, duke dëshmuar në sy të botës mbarë se ai nuk ka, as unitet dhe as besë, me askënd. Dhe të gjitha këto ngjarje e patën pikënisjen vetëm një festival…

Të mos jetë kështu?!...

Epilog

U mbushën 35 vjet nga zhvillimi i Festivalit të 11-të të Këngës në RTVSH. I ndodhur kaq larg atdheut, kujtoj këtë shfaqje të bukur, kujtoj ç'ndodhi më pas, ngjarje të cilat jam munduar t'i përshkruaj në romanin tim, "Festivali i Njëmbëdhjetë" dhe, shkurt e paraprakisht në këtë cikël shkrimesh. Kujtoj atë natë të festivalit, kur shkova pas skene për të uruar, si plot të tjerë, dy paraqitësit e programit, Edi Luarasin dhe Bujar Kapexhiun, regjisorin Mihal Luarasi, disa nga këngëtarët që i njihja, midis të cilëve Justina Aliajn, drejtuesin e orkestrës së vogël frymore, Gaspër Çurçinë etj…

...

(Fund)

Një relacion nga Ministria e Punëve të Brendshme, mbështetur në burimet e organeve të Sigurimit të Shtetit bëjn të ditur se në shumë qytete, këngët e Festivalit të11-të, regjistruara në magnetofonë, këndohen madje dhe në dhoma shtëpish, ku të rinjtë e ndikuar, kërcejnë e këndojë në mënyrë amerikane....

Ardhja e "dorës së fortë" në krye të RTVSH-së pas Festivalit të 11-të të Këngës, në dhjetor 1972, në vend të "armikut" Todi Lubonja, që u dënua si shkaktari kryesor i përhapjes së "tendencave të huaja në fushën e artit", u hartua dhe u vu në zbatim një listë e gjatë të ndëshkuarish në fushën e kulturës. Todi Lubonja, pasi përfundon si punëtor krahu në Ndërmarrjen e Ujërave Shkodër, për "mëkatin" e rëndë (Festivali i 11-të) del para togave të zeza dhe dënohet me 15 vite burgim. Spikeri i aktivitetit, artisti Bujar Kapexhiu përfundon në punëtor llaçi, në Fabrikën e Tullave në Tiranë, Mihallaq Luarasi, po punëtor në një kantier ndërtimi në Ballsh, Justina Aliaj, transferohet në Shkodër. Sherif Merdani, pas Festivalit të 11-të arrestohet dhe dënohet nën akuzën e "interpretimit e përhapjes së muzikës dekadente".

7

Fituesit e çmimeve

-Çmimin e Parë e fitoi kënga "Erdhi pranvera", interpretuar nga këngëtari Tonin Tërshana.

-Çmimin e Dytë e fitoi kënga "Udhët janë të bukura", interpretuar nga këngëtarja Lindita Sota.

-Çmimin e Tretë e fitoi kënga "Kush më njeh mua", interpretuar nga këngëtarja Ema Qazimi.

1972. Festivali i 11-të

Repertori dhe interpretuesit

Ja interpretuesit, kompozitorët dhe këngët që u interpretuan në këtë festival, të kryqëzuar nga udhëheqja e kohës:

-Françesk Radi, interpretoi këngën "Sonte u takoj të gjithëve!"

-Justina Aliaj, interpretoi këngën "Në ekranin e televizorit!"

-Sherif Merdani, interpretoi këngë "Vajza e qelqtë" dhe "Rruga e Dibrës".

-Tonin Tërshana, interpretoi këngën "Erdhi pranvera"

-Vaçe Zela, interpretoi këngën "Natën vonë"

-Ema Qazimi, interpretoi këngën "Kush më njeh mua"

-Liljana Kondakçi, interpretoi këngën "Mozaik tingujsh, mozaik ngjyrash"

-Dorian Nini, interpretoi këngën "Erdh' një djalë në fshatin tim"

-Lindita Sota, interpretoi këngën "Udhët janë të bukura"

-Zija Saraçi, interpretoi këngën "Sonte u takoj të gjithëve"

-Bashkim Alibali, interpretoi këngën "Nata e fundit e studentëve"

-Iliriana Çarçani, interpretoi këngën "Sytë e një vajze"

-Valentina Gjoni, interpretoi këngën "Stina më e bukur"

-Petrit Dobjani, interpretoi këngën "Këngë për anijen "Tirana"

-Ilmi Hoxha, Fatbardha Rakipi dhe Lefter Agora, interpretues të dytë

-Suzana Qatipi, interpretoi këngën "Vajza dhe kompozitori"

-Shkëlqim Pashollari, interpretoi këngën "Dhoma 23"

Ndëshkime dhe në ushtri e ekonomi

"Festivali që parapriu të tjerë grupe armiqësorë"

Ardhja e "dorës së fortë" në krye të RTVSH-së pas Festivalit të 11-të të Këngës, në dhjetor 1972, në vend të "armikut" Todi Lubonja, që u dënua si shkaktari kryesor i përhapjes së "tendencave të huaja në fushën e artit", u hartua dhe u vu në zbatim një listë e gjatë të ndëshkuarish në fushën e kulturës. Todi Lubonja, pasi përfundon si punëtor krahu në Ndërmarrjen e Ujërave Shkodër, për "mëkatin" e rëndë (Festivali i 11-të) del para togave të zeza dhe dënohet me 15 vite burgim. Spikeri i aktivitetit, artisti Bujar Kapexhiu përfundon në punëtor llaçi, në Fabrikën e Tullave në Tiranë, Mihallaq Luarasi, po punëtor në një kantier ndërtimi në Ballsh, Justina Aliaj, transferohet në Shkodër. Sherif Merdani, pas Festivalit të 11-të arrestohet dhe dënohet nën akuzën e "interpretimit e përhapjes së muzikës dekadente". Sipas dëshmive e dokumenteve të kohës, lufta ndaj tendencave perëndimore në art e kulturë, që nisi me Festivalin e 11-të, vazhdoi dhe me ndëshkime dhe në fusha e institucione të tjera kulturore në vend. Kështu, Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Dhimitër Shuteriqi shkarkohet nga detyra, sekretari i saj, Vilson Kilica u largua me dënim të rëndë, kryeredaktori i gazetës "Drita", Ibrahim Uruçi u largua, redaktori i saj, Moikom Zeqo, gjithashtu. Nga e vetmja revistë letrare në vend (revista "Nëntori") u larguan kryeredaktori, Dalan Shapllo, redaktorët, Gjergj Zheji, Anton Kuqali, Sulejman Mato etj. Edhe shtëpia botuese "Naim Frashëri" u "shkri" me ndëshkimin e krijuesve Dilaver Dilaveri, Rinush Idrizi, Aristidh Ristani etj. Nuk u shpëtuan ndëshkimeve e masave dhe shkrimtarë e krijues, si Teodor Laço, Pëllumb Kulla, Leka Bungo…

Por, shpejt u pa se ky mund të quhej vetëm fillimi i ndëshkimeve. Lista në vazhdim me arrestime e burgime, përfshin piktorët Edison Gjergo e Ali Oseku, Frederik Reshpja, regjisorin Kujtim Spahivogli; më vonë dhe arkitektin dhe piktorin e njohur, Maks Velo etj.

Pas kryqëzimeve të rënda në fushën e artit e kulturës, pasojnë ndëshkime dhe më të rënda në fusha të tjera të vendit. Në Plenumin e 5-të të KQ të PPSh-së, që u mbajt në korrik 1974 u dënuan Beqir Balluku, ministër i Mbrojtjes, i cili së bashku me dy bashkëpunëtorët e tij në krye të Ushtrisë, gjeneralët Petrit Dume e Hito Çako, u pushkatuan si pjesëtar të grupit "armiqësor e puçist" në ushtri. Radha e "kokave të prera" vazhdon më pas (Plenumin e 7-të i KQ të PPSH, 25-26 maj 1975), në sektorin e ekonomisë, ku anëtarët e Byrosë Politike dhe ministrat, Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi pushkatohen si "armiq" të Partisë. I njëjti fat do të rezervohej më 1981 dhe për Mehmet Shehun, që vrau veten (versioni zyrtar) e Kadri Hazbiun, që u pushkatua si "armik".

Kujtim Boriçi

Ekskluzive/ Në përfundim të Festivalit të Këngës në Radiotelevizion, nisën analizat e kryqëzimi i organizatorëve të aktivitetit. Skifter Këlliçi, ish-gazetar i RTVSH dhe dëshmitar i Festivalit të 11-të të Këngës, në vazhdim, sjell fakte të reja të ndëshkimit të ashpër nga Enver Hoxha e regjimit ndaj artistëve, organizatorëve e njerëzve të artit dhe kulturës në vend.

kifter Këlliçi : Gazeta Shekulli

Regjistroni domainin tuaj .al

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema të nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi