Rikthimi i franceskaneve

Rikthimi i françeskanëve

Françeskanët janë të njohur për kontributin e madh në kulturën shqipe, për krijimtarinë e gjerë duke filluar nga mbledhja e Eposit të Kreshnikëve e deri tek poezia e Fishtës, por edhe për institucionet kulturore që ata krijuan. Biblioteka e tyre ishte një prej këtyre institucioneve.E krijuar që në vitin 1858, vit kur vetë ideja e kombit ishte ende e vagullt, kjo bibliotekë u shndërrua në një qendër të rëndësishme informacioni, edukimi për qindra intelektualë. Në vitin 1967 ajo pëson fatin e të gjitha objekteve të kultit dhe shkatërrohet tërësisht. Françeskanët, besnikë të traditës së tyre kulturore dhe intelektuale e kanë rindërtuar sërish bibliotekën e tyre në të njëjtin vend, duke ruajtur në formë origjinalitetin e plotë të asaj të mëparshme, ndonëse të bindur në pamundësinë për të gjetur të njëjtën cilësi apo pasuri titujsh. Falë respektit të një prej rregullave të tyre të brendshme sipas të cilit fretërit që ndahen nga kjo jetë duhet që pasurinë e tyre, përfshi këtu edhe bibliotekat, t’ia lënë urdhrit që i përkasin, në bibliotekën e tanishme të françeskanëve në Shkodër janë bashkuar bibliotekat profesionale të At Daniel Gjeçaj nga Roma, të At Paulin Margjokajt (i njohur mes të tjerave për letërkëmbimin me Mustafa Krujën), të profesorit të Bolonjës At Luigj Marlekaj si edhe Koleksionet e “Hyllit të Dritës”, “Lekës”, “Albanisë” e libra të tjerë që të marra së bashku përbëjnë disa mijëra volume.

Bibliotekat në Shqipëri, përjashto ato familjare si ajo e Bushatllinjve, Vlorajve, Lumo Skëndo dhe Lef Nosit, apo e ndonjë tjetri, janë të një datimi të vonë. Biblioteka e parë enjë institucioni ndonëse privat por e përdorimit publik është ajo në Shkodër në vitin 1858 gjë që përkon me vendosjen e kuvendit me të njëjtin emër. Qenë misionarët e huaj ata që e ndjenë domosdoshmërinë e një biblioteke si bazë kulturore për meshtarët që duheshin përgatitur. Me kalimin e viteve, ajo u bë mjaft e njohur për vetë rrethanat historike që gjendej vendi ynë, aq sa nga fillimi i shekullit e deri në vitin 1944 biblioteka mbante primatin si biblioteka më e mirë shqiptare, opinion ky lehtësisht i provueshëm nga dëshmi të shumta të shkruara. Në fillimet e veta ajo ishte konceptuar në dy dhoma të mëdha në kuvendin e Gjuhadolit, por meqenëse prurjet librare dhe kërkesat shtoheshin vazhdimisht, lindi si nevojë ndërtimi i një biblioteke të re, projektin e së cilës e bëri At Gjergj Fishta në vitin 1935. Ambienti i ri pat gjallur shumë kureshti në Shqipërinë e asaj kohe, sepse ishte një kombinim i elementit klasik me atë modern, i ngjashëm me ato të universiteteve katolike evropiane. Elementë të tillë si hapësira, ndriçimi, ngjyra e mobiljeve, vendosja e orendive ishin kombinuar sipas shijeve të Fishtës, i cili aty kalonte një pjesë të madhe të kohës. Druri i përdorur ishte prej gështenje në mënyrë që t`i rezistonte lagështirës dhe me ndarje prej dy katesh pa cënuar hapësirën. Ndarjet lidheshin njëra me tjetrën me një shkallare rrethore hekuri. Në mes të sallës gjendej një glob gjigant i ardhur nga Italia me fuqi ndriçuese 500 Ë, cili siguronte ndriçimin dhe për habinë e frekuentuesve të jashtëm një buf i balsamosur si simbol i inteligjencës ishte vendosur në ballë të sallës.

Por sigurisht nuk janë vetëm elementët e estetikës së brendshme dhe të jashtme ato që i dhanë atë famë që ajo gëzoi për disa dekada. Natyrisht është fondi librar që e shndërroi atë në “Votër të kulturës shqiptare”. Pasuria e saj ishte disa mijëra volumesh dhe që në vitet ‘20, ajo ishte marrëdhënie partneriteti dhe këmbimi me bibliotekat kryesore të Evropës me preferencë ato gjermanike, nga të cilat merrnin rreth 200 libra në vit dhe nga ana e tyre u dërgonin botimet shqiptare. Si çdo bibliotekë ajo ishte e ndarë në sektorë, por vlerat më origjinale dhe unike për kohën ishin antikuaret, fondi albanologjik dhe historik pa lënë pas dore atë filozofik, teologjik letrar me nëndarjet e veta. Nga misionarët shqiptarë dhe të huaj ishin blerë me shumicë relative “Historia e Skëndërbeut”, si dhe shumë libra të tjerë të vjetër si “Rituali Roman”, “Doktrina e Krishterë”, “Çeta e Profetëve”, “Fjalori shqip-latinisht”, “Apologjia e Skëndërbeut”. Në vitin 1929 u fotokopjua në bibliotekën apostolike të Vatikanit dhe u soll për herë të parë dokumenti më i vjetër i gjuhës shqipe “Meshari” i Gjon Buzukut nga gjuhëtari At Justin Rrota. Dora – dorës krejt letërsia e vjetër shqipe me Barletin, Biçikemin, Frangun, Buzukun, Budin, Bogdanin, Bardhin ishte mbledhur në këtë bibliotekë. Ndër shumë gjëra të rralla aty ishte dhe e para gramatikë e gjuhës shqipe e hartuar nga frati Françesko da Lecce e 1716-tës, Farlati me “Iliricum Sacrum”, libra të akademisë së Voskopojës si dhe fjalori shqip-greqisht ndër më të hershmit. Kronika dhe kujtime të Erazmo Balneut fratit që u bë “eminenca gri” i pashallarëve Bushatllinj. Gjithashtu që nga letrat e Lajbnicit i njohur si i pari albanolog, studimet e Tyn-it mbi gjuhën shqipe e më rrallë Taloci, Fallemajeri, deri tek bashkëkohësit Jolki, Nopçka, Pekmezi ishin prezentë me veprën e tyre tek françeskanët. Aty gjendeshin edhe letërkëmbimet, epistolarët e personaliteteve më të rëndësishme të kohës ai Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Esat Toptani, Fishta e të tjerë. Skedari i asaj biblioteke është i pamundur të citohet, por thjesht përmendëm disa tituj themelues të kulturës kombëtare, të cilët na krijojnë një imazh. Dëshmi të shumta që vijnë nga Shkodra na pohojnë se të gjithë shkrimtarët shkodranë pa përjashtuar edhe ateistin Migjen ishin anëtarë të asaj biblioteke, po një vizitor i shpeshtë i saj ka qënë Eqerem Çabej, kur ishte mësues në Shkodër, por edhe më pas. Për mirëmbajtjen e librave dhe marrëdhëniet me publikun, kujdeseshin studentët e kolegjit nën mbikëqyrjen e një kujdestari të caktuar nga provinca françeskane që zakonisht ishte një nga profesorët e gjimnazit “Ilirikum” dhe i fundit që mbahet mend ishte At Leon Kabashi. Duket se në çdo vend dhe kohë, ka patur libra të ndaluar dhe në bibliotekën françeskane ata ishin të institucionalizuara në një raft mbi të cilin shkruhej “Libra të ndaluar” dhe aty brenda mbretëronin “antikrishtët” Niçe, Dostojevski, etërit e revolucionit francez, iluministët e të tjerë. Lexuesit e atëhershëm, adoleshentë e tani të moshuar njëzëri, pohojnë që e kishin thyer rregulloren e vendosur nga superiorët dhe kishin ndjekur “këshillën Dorjan Grejt që thoshte se e vetmja mënyrë për t`i ikur tentacionit është që të biesh në të”.

Më pas për arsye që dihen këto dorëshkrime iu nënshkruan një odiseje të vështirë. Po ashtu edhe hulumtimet etnografike e gjuhësore e punime të tjera të etërve françeskanë.

Në fillim të vitit 1945, forcat partizane në Shkodër u kujtuan për bibliotekën dhe u shfaqën aty herë pas here duke marrë me vete natyrisht pa leje, antikuare e libra me vlerë të patjetërsueshme. Ndërsa në vitin1946 ajo do të sekuestrohej nga shteti. Gjatë kësaj kohe shumë zëra pohojnë se mjaft libra me vlerë janë vjedhur, por pjesa kryesore e tyre është dërguar në bibliotekën kombëtare, çka përbën edhe bazën themelore të kësaj biblioteke sot. Në vitin 1967, kur ateizmi u shpall dhe u konkretizua, kuvendi i Gjuhadolit u tjetërsua dhe një pjesë e tij u rrënua e këtë fat pati dhe zona e bibliotekës e cila u zhvesh nga orenditë e fondet e tjera.

Agron Gjekmarkaj : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama