SOS Trashegimia Amantia po shkaterrohet shteti ne gjunje

SOS Trashegimia, Amantia po shkaterrohet, shteti ne gjunje

Askush s’mund t’i ndalë më vandalët që po e prishin me nge Parkun Arkeologjik të Amanties. Të gjithë i shohin në fshat, por askush nuk guxon t’i ndalë. “Thesarkërkuesit” shqiptarë po kalojnë në maniera të frikshme, duke mos e kuptuar dot, se me pamundësinë e misionit të tyre, po shkatërrojnë pakthim kujtesën kombëtare

Dy studiuesit e brezit të tanishëm të arkeologjisë shqiptare kanë mbetur të shastisur, kur ndërsa kanë shkuar të punonin këtë fundjavë, janë gjendur përballë shkatërrimeve të fundit në Amantia. Gërmime klandestine, marrje të dukshme objektesh, zhvendosje dhe dëmtime gjithfarëlloj. Ato janë sot aq shumë prezente në qytet sa nuk të lënë më të jesh i qetë. Por më e tmerrshme për dy arkeologët janë gërmimet pa sens dhe masive të personave të ndryshëm të paautorizuar, që nga komuniteti nuk “identifikohen”, por që kuptohet se duhet të jenë fare të njohur.

Kështuqë, Elio Hobdarit dhe Jamarbër Buzos, dy punonjësve të Institutit Arkeologjik, që po merren me Amantien, s’u ka mbetur më asgjë, përveçse të bëjnë telefonat e radhës për alarm dhe të fotografonin për dokumentim.

Por, s’ia vlen vallë? Kjo është dilema e sotme e arkeologëve shqiptarë? Të sensibilizojnë apo thjesht të pajtohen me situatën! Në këtë rast të fundit s’kanë mëdyshuar, kanë vënë alarmin kudo nëpër rrethe shkencore dhe në autoritetet lokale dhe ato të policisë.

Alarmi i tyre ka ardhur pak orë para botimit të këtij artikulli, kur kanë sensibilizuar për situatën në Amantie dhe sidomos dëmtimin e një monumenti funeral të njohur, që njihet në mënyrë konvencionale si “Varri i Çifutit”. Ky i fundit, aktualisht objekt i punës së tyre arkeologjike (në përputhje me projektin e aprovuar në KKA), është dëmtuar aq rëndë saqë tashmë mendohet që të jetë i parekuperueshëm në tërësinë e tij si monument. Puna në të filloi që në korrik të këtij viti, por pa mundur të vazhdonte, ngaqë vandalët jo vetëm kanë thyer blloqet e gurit in situ në monument, por edhe kanë gërmuar në disa pika në të me qëllim grabitjen. Fatkeqësisht mania e “thesarkërkuesve” shqiptarë dhe historitë fantatomatike të ekzistencës së thesareve, që fryhen nga forca të panjohura, po inkurajojnë kudo dëmtime masive të trashëgimisë kulturore në Shqipëri. “Nga gërmimet voluminoze me mjete të mekanizuara këtu po vazhdohet me gërmime masive nga individë që përveç grabitjes po shkatërrojnë monumente edhe aty ku kjo nuk sjell një përfitim. Problemi është që kjo po bëhet kulturë dhe komuniteti ndjehet si në vitet më të errëta të Shqipërisë ku shteti është krejt absent”, thotë Elio Hobdari në një bisedë telefonike nga siti, që po shqyrtojmë në këtë artikull.

Policia është shumë larg këtij problemi, sipas specialistëve, megjithëse në rastin e dëmtimeve, hasur fillimisht që në muajin korrik, u kalua me denoncim. Deponimet e bëra nga arkeologët iu përcollën edhe drejt kryetarit të atëhershëm të komunës Sevaster. Në këto kushte, duke parë shkatërrimet janë bërë sërish veprimet e nevojshme edhe me policinë dhe u informuan institucionet përgjegjëse në vartësi të Ministrisë së Kulturës (struktura e vjetër), Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Vlorë dhe Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë. Por, duke ditur shkrehjen e shtetit në muajt e fundit, kuptohet se nuk është bërë asgjë. Vandalët kanë vazhduar dhe puna e tyre ka qenë sistematike, njësoj si edhe në shumë site arkeologjike të vendit.

Për arkeologët, një nga shkaqet kryesore të kësaj katrahure mbetet pa asnjë dyshim edhe prania e kantiereve të ndërtimit të dy rrugëve, Kotë – Ploçë dhe Ploçë – Amonicë. E megjithatë, është kaq e rëndë situata, saqë arkeologët janë shumë skeptikë për rikthimin e mundësisë së ruajtjes së tij. Për të kuptuar rëndësinë e faktit, arkeologët sensibilizojnë se: “Nekropoli monumental i Amantias duhet parë si një nga pasuritë më të rëndësishme arkeologjike të Shqipërisë dhe se duhet shpallja e një emergjence që të shikohet ruajtja nga fenomeni i shkatërrimit”.

Kjo do të thotë që arkeologët, në këto kushte jo vetëm nuk mund të punojnë, por u duhet të bëjnë çmos të sensibilizojnë për masat për ndalimin e këtij fenomeni. Nëse kjo nuk frenohet atëherë ky vend nuk mund të konsiderohet më asesi Parku Arkeologjik, ashtu si nuk mund të merret asnjë lloj aktiviteti jo vetëm gërmues, studiues dhe restaurues, por edhe promovues. Ç’është më e keqja është se komuniteti i shikon nga keqbërësit, por s’ka mundësi dhe fuqi t’i ndalojë ata!

Projekti

Dy arkeologët kanë kohë që po merren me një projekt, ku fillimisht po punohet për të hedhur dritë mbi mungesën e zonifikimit arkeologjik (në kompetencë të institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës) dhe e inventarit të monumenteve në këtë sit, që ende duken në sipërfaqe. Problemi është fare i pazgjidhur pasi në nekropolin shumë të gjerë, konturet ende nuk janë identifikuar plotësisht. “Me gjithë kërkimet sipërfaqësore të bëra në raste të ndryshme, siti asnjëherë nuk i është nënshtruar një kërkimi të përgjithshëm (survey) që të përfshijë të gjithë sipërfaqen, në të cilën duhet të ketë qenë shtrirë vendbanimi dhe nekropoli. Ky është realizuar pjesërisht , deri tani, nga ekipi i Institutit të Arkeologjisë”. Ajo që propozojnë arkeologët  synon të eksplorojë Amantian në të gjitha drejtimet, por që kuptohet në këtë stad është e pamundur të fillohet një gërmim në shkallë të gjerë në sit. “Synohet që i gjithë siti të mbulohet me një kërkim sipërfaqësor (survey). Në veçanti zonat ku kjo nuk është bërë më parë. Deri tani janë vëzhguar sektorët e nekropolit në verilindje, juglindje (Bregu i Varreve) dhe jug (Vërri dhe Vrakal), si dhe pjesërisht sipërfaqja brenda fortifikimit”, shkruhet në projektin e tyre.



Por, ky është synimi, ndërsa realiteti është shumë larg. Amantia po humbet dhe po transformohet prej grabitësve dhe pamundësisë së shtetit për të vënë dorë. Ky është problemi i vërtetë. Një problem, që e tregon shtetin shqiptar të dorëzuar jo vetëm financiarisht, por edhe moralisht para vrasësve të monumenteve.

Historiku i Amantias

Amantia është një nga qendrat arkeologjike më të rëndësishme në territorin e Shqipërisë dhe një nga të parat që ka tërhequr vëmendjen e arkeologëve. Është ndoshta i pari sit, nga i cili është publikuar një planimetri monumenti [PATCH 1904, varr monumental], është vëzhguar intensivisht nga L.M. Ugolini dhe nga të parët, në mos i pari, në të cilin janë kryer gërmime intensive dhe me rezutate shumë të mira nga Instituti i Arkeologjisë [S. ANAMALI 1958, [ANAMALI 1972]. Megjithatë nga viti 1960 e prapa ai është lënë relativisht në harresë dhe përparësia kaloi në qendra të tjera (Apoloni, Bylis, Klos-Nikaia, Butrint, Dimal, Lezhë etj).


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama