Nje thirrje nga zemra e Faik Konices Muhamedane shqiptare bashkohuni me vellezerit e krishtere bashkohuni per te miren e kombit tone!

Një thirrje nga zemra e Faik Konicës: 'Muhamedanë shqiptarë, bashkohuni me vëllezërit e krishterë, bashkohuni për të mirën e kombit tonë!'
Është i njohur qëndrimi i Faik Konicës në çështjen e fesë tek Shqiptarët, të cilën vazhdimisht ai e ka parë të lidhur ngushtë me çështjen kombëtare, për çlirimin e vendit jo vetëm nga vargonjtë pesëqind vjeçarë të Turqisë otomane, por edhe për çlirimin shpirtëror të njeriut shqiptar, drejt emancipimit shoqëror të përparuar evropian.

Që më 1898, në gazetën e tij të mirënjohur “Albania”, Konica përcakton qartë faktorët që nxitën fanatizmin fetar në Shqipëri, tek i dhanë goditje të rëndë ndjenjës kombëtare. Në shkrimin e tij në frëngjisht “Shënime mbi kombësinë shqiptare – shkaku i mungesës së bashkimit”, ai i referohet studiuesit anglez Hobhouse (miku dhe shoqëruesi i Bajronit gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri), për të nxjerrë në pah idenë se gjer në fillim të shekullit XIX, kur pyetej një banor i Shqipërisë se “çfarë je?”, përgjigja menjëherë do të ishte: “Jam Shqiptar”, përgjigje plot krenari për një ndjenjë të theksuar kombëtare. Ndërkohë që, po të pyetej një banor i provincave të Turqisë evropiane se “çfarë je?”, përgjigja do të ishte “jemi turq”, a “jemi të krishterë”.

Pas shpalljes së pavarësisë greke në vitet 1820-1830 – ku elementi shqiptar, siç dihet, luajti rol themelor historik në arritjen e kësaj pavarësie me në krye Marko Boçarin me Suljotët e tij –, qarqet e jashtme (konkretisht Athina me kafenetë e saj, ku mblidheshin gazetarë që përpunonin opinione) shfrytëzuan ndjenjën e faktorit shqiptar ortodoks e muhamedan në Shqipëri të Jugut apo Epir për mëvetësi nga Stambolli (krejt politika e mëparshme e Ali Pashë Tepelenës), si dhe njëfarë naiviteti te ortodoksët shqiptarë që i varnin tanimë shpresat te Athina e pavarur, për një fat të tyre “më të mirë”. Veçse në këtë rast, për fat të keq, do mënjanohej mundësia e bashkëpunimit të këtyre ortodokseve me bashkëpatriotët e tyre muhamedanë. Në fakt, këta  ortodoksë të Jugut për nga gjuha e origjina ishin Shqiptarë të mirëfilltë. Fillimisht, i quajtën e u vetëquajtën shqiptaro-grekë, derisa e zhdukën fjalën e parë. “Mirëpo, thekson djaloshi njëzet e dy vjeçar Konica, ky evolucion i Shqiptarëve ortodoksë solli si pasojë izolimin e Shqiptarëve muhamedanë, të cilët, nga ana e tyre ndjenë tashmë nevojën për t’u afruar me Portën e Lartë. Kështu, vijon ai, kafenetë e bashkuara të Greqisë, të ngritura në mbretëri falë entuziazmit të dhunshëm të Shqiptarëve, nuk do bënin gjë tjetër veçse do t’i jepnin kombësisë sonë një goditje që mund të kishte qenë edhe fatale”...

Shkrimi i mëposhtëm “Kuitim” që kemi nxjerrë nga revista “Albania” përqendrohet në vitin 1893, kur djaloshi 17 vjeçar Konica shkon me pushime në vendlindje pas një udhëtimi plot peripeci. Sapo ka mbaruar maturën franceze për letërsi e filozofi me diplomën në xhep dhe me Çmimin e Nderit në Retorikë, ku emri i tij figuron tashmë çdo vit në Palmares. Me të drejtë, Konica djaloshar ndihet krenar për këtë çmim të lartë, sepse iu dha atij nga vetë gjenerali Dodds, i cili kishte udhëhequr me sukses Francezët në betejën e Dahomejit dhe kishte pasë qenë nxënës në po atë shkollë të Karkasonës ku Konica mbaroi maturën. E përfytyrojmë Konicën e asaj kohe djalosh të pashëm, me leshra të dendura e disi të gjata, shenjë mode e rinisë adoleshente franceze të kohës, me kostum të zi, këmishë të bardhë akull e papijon, si dhe me këpucë të bardha.

Mban një baule në dorë, ku ka tesha të pastra, orendi tualeti dhe libra. Është i përvëluar nga malli, mbas pesë vjet studimesh në Francë, ku iku që dymbëdhjetë vjeç, dhe mezi pret të takohet me familjen e tij të dashur, me prindërit, vëllezërit e motrat më të vegjël. E domosdo, ky djalosh mendjendritur që njeh tashmë shtatë a tetë gjuhë të huaja, me talente të rralla, që shumë shpejt do ta shndërronin në Shqiptarin më të ditshëm të të gjitha kohërave, në “Enciklopedi lëvizëse”, di të fotografë gjithçka me ata sy të gjallë, të shndritshëm në mënyrë aq të veçantë, di të regjistrojë në kujtesë çdo fjalë, bisedë, mendim të shfaqur mjediseve nga kalon, di të zbërthejë mentalitete e të depërtojë në botën shpirtërore të njerëzve, madje, të përdorë fuqimisht edhe armën e mprehtë të humorit e të sarkazmës. Kësisoj, shkrimi i tij “Vdekie e një lordi muhamedan dhe Kujtimet që e pasojnë”, botuar në tetor 1903, na shfaqen tashmë si një pelikulë filmike, ku shohim të gjalla skena e personazhe nga jeta reale e Shqipërisë në atë fillim të shekullit XX, pikërisht në vigjilje të kryengritjeve shqiptare që do çonin në shpalljen e Pavarësisë, kur ndjenja kombëtare, edhe pse e ndrydhur nën ndjenjat fetare, do ngadhënjente fuqimisht, nën moton e përhershme rilindase “Feja e Shqiptarit është shqiptaria”.

Lindur në Konicë nga familje shqiptare myslimane në mjedis rrethues ortodoks, njohës i mirë i Historisë së Turqisë, të cilën do ta njihte nga afër që në vitet e njoma të jetës kur mbaroi studimet në liceun perandorak të Galata Serajit në Stamboll, njohës tashmë edhe i fesë katolike, kur kishte ndjekur studimet në kolegjin Saverian të jezuitëve të Shkodrës, brumosur në Perëndimin evropian me ndjenjën e lirisë e të Iluminizmit, Konica shpejt do ndërgjegjësohej se tek njeriu shqiptar i kohës, lypsej mbi të gjitha të respektohej ndjenja shpirtërore fetare, në duheshin çelur sytë e mendjes për përparim shoqëror. Duhej pra ndjekur nga afër realiteti konkret, me këmbë në tokë, hap pas hapi, i duhej bërë thirrje nga zemra Shqiptarëve përpara rreziqeve që i kanoseshin nga fanatizmat fetare nxitur egërsisht nga jashtë për qëllime të mbrapshta, deri në zhdukje të identitet kombëtar. 
Dhe përpara Shqiptarit të fillimshekullit XX, ushqyer shpirtërisht jo më nga një fe e përbashkët, por nga katër fe të veçanta, ajo myslimane, katolike, ortodokse dhe bektashiane, Konica i ri dinte ta hidhte vështrimin edhe thellë në Histori të Shqipërisë, te feja e Skënderbeut, Heroit Kombëtar, te ato kohëra epokale shqiptare që mbetën përjetësisht të lavdishme.

Jo, Konica nuk kërkon doemos rikthim në fenë katolike të Shqiptarit, ai respekton dhe vetëm respekton (si përzgjedhje individuale) çdo fe, e në radhë të parë atë myslimane, por nuk e kursen penën e tij për të goditur ashpër praktikat dhe mentalitetet e prapambetura anadollake, errësimet e mendjes e të shpirtit, kur bota e qytetëruar ecën tashmë me hapa vigane drejt përparimit e lulëzimit. Në këtë aspekt, shkrimet e mëposhtme që po japim për botim kanë një theks tepër aktual për krejt botën e sotme shqiptare, kur mësymjet e furishme fanatike, deri edhe ekstremiste fetare kërkojnë si e si skllevër të rinj shpirtërorë, poshtërim të gruas, motrës e vëllait tonë shqiptar, për të shitur e mohuar gjer edhe identitetin e tij kulturor e kombëtar.

Serbia, Greqia, Maqedonia, deri edhe Mali i Zi, si morën padrejtësisht llokme të majme të trojeve shqiptare, si i asimiluan e dëbuan Shqiptarët që andej, sot këndojnë ende këngën ogurzezë të minoriteteve të tyre në Shqipëri e Kosovë mbi bazë feje, duke rritur artificialisht numrin e pakicave kombëtare, gjer edhe Turqia e Rumania, për të shpallur gjithë potere propagandistike shifra marramendëse artificiale, kaq mijëra që na qenkan vllehë, kaq mijëra e mijëra që na qenkan grekë, kaq mijëra trefish që na qenkan turq, e deri edhe egjiptianë, etj. për të mos mbetur hiç Shqiptarë e hiç troje shqiptare, për t’i zhdukur e fshirë nga faqja e dheut, ashtu siç u masakruan e dëbuan Çemërit nga trojet e tyre, ashtu siç u asimiluan krejt Shqiptarët e Moresë dhe të ishujve të Greqisë, Shqiptarët e Kostandinopojës e të Turqisë, të Malit të Zi apo Maqedonisë, e me radhë! E sot Greqia, ku ndodhen mbi 750 mijë Shqiptarë, por që asnjëherë nuk ka pranuar ekzistencën e minoriteteve, nuk ka hapur një shkollë shqiptare, nuk ka nënshkruar e ratifikuar Konventat evropiane për pakicat kombëtare etj. veç ulërin për censuse, ulërin për Himarën, për Jonin, për Epirin shqiptar që na e quaka grek e na i venka kufirin gjer në Elbasan e madje Tiranë. Ja rreziku real i kombit shqiptar, nga Mitrovica në Himarë e Korçë për të cilin jepte alarmin që njëqind vjet më parë Faik Konica, ambasadori i përhershëm e i përjetshëm i shqiptarisë dhe i Shqipërisë së qytetëruar. 

Po le ta lëmë lexuesin të nxjerrë vetë mësime nga këto shkrime të hedhura në kartë me një gjuhë të bukur letrare shqipe, si të ishin shkruar sot, pikërisht nga ai Konicë madhështor që dy herë me radhë do dënohej me vdekje nga vetë Sulltani, vetëm e vetëm sepse kërkonte e luftonte për mëvetësinë e Shqipërisë, për lirinë kombëtare dhe përparimin e kombit.

Faik Konica - Vdekie e një lordi muhamedan

Islamësia n’Inglie



Në ditë të para të dhietorit, vdiq n’Inglie një burrë fisnik e i mirë, lord Stanley of Alderley, i moshuar 76 vitesh. Zotëria e tij kish hyrë që i ri në fe muahmedane, e u mbulua pas këtij besimi. Një imam vajti nga Londoni në konak të tij në Weles, i lau trupin, tha lutiet e zakonshme, etj. e lordi u vu në dhe drejt për drejt, jo në qivur, se, si  duket, islamësia nuk e lejon të përdorurit e qivurit. Një çallmë e skalisur me mermer e hieshon varrin.

Lord Stanley of Alderley kish qenë në të ri diplomat, kish bërë disa viet exhe n’Ambasadë inglize të Stambollit. Si vdiq vëllai i tij më i madhi, titulli edhe kamia e shtëpisë i ranë atij. Zuri pra vendin e vet në Kuvent të Zotërinjve, ku zëri i tij u dëgjua shpesh për të përkrahur Hindasit të rënë në sëmundie e në zie.

Lord Stanley of Alderley nuk ish muhamedan vetëm me fialë si për të çuditur botën a miqt e tij; ish muhamendan me gjithë zemër, e thonë se nuk shkoj një ditë pa u falur pesë herë.

Në këtë shtëpie, thotë një e përkohshme, piestarët janë shumë të ndarë sa për fetë. “Tot homines, tot sententiae”. Lordi ish muhamedan. Vëllai i tij – lordi i ri – i njohur gjer më sot nën emër Mr. Lyulph Stanley shkon për njeri që s’beson gjë. Një tiatër vëlla është katolik : e thonë Imzot Algernon Stanley, është ipeshkëv in partibus i Emmausit, e ka qenë ndihmësi i Kardinalit Vaughan. Disa të tierë prindër [anëtarë të familjes] janë protestarë [protestantë]. Në vdekie të lordit, Imzot Algeron Stanley nukë kish vaitur.
Gazeta Evenig News, më 18 të dhietorit, thotë:

“Z. Quilliam, i pari a Sheih-Islami i muahmedanëve inglizë, merr ditë për ditë letra vetash që duan të kthehen n’islamesie që kur mësuan se lord Stanley ka pasur qenë muhamedan.

“Thonë se nër ata që duan të kthehen janë tregëtarë e punëtorë shumë, të gjithë Inglizë. Nër ata që u kthyen, thonë se janë dy mjekë, një prift protestar i Oxfordit, tre predikues Wesleyane (degë protestarësh) edhe një advokat.

“Sheih-ul-Islami i Inglies, i pyetur prej një gazetari, tha se nër ata që i shkuan për t’u bërë muhamedanë, janë disa që i pyesin gjëra të çuditshme. Shumë duan të dinë me sa gra mund të martohet njeriu kur është muhamedan.

“Po një punë, thotë Sheh-Islami ingliz, që e ndez’hu botën për islamësinë më tepër se sa të mbuluarit islamërisht të lord Stanley-t është mbledhia që bëmë tani shpejt në Liverpool për punët e Maqedhonisë. N’atë mbledhie, fola kundrë Turqisë për ligësitë që bën në Maqedhionie, ligësi që nuk i jep kanuni i besimit t’onë. Muhamedanë prej gjithë visesh të botës shkruajtën urime të ndzehta, si edhe të krishterët n’Inglie. Ditën e asaj mbledhieje, vetëm në Liverpool u kthyen tre veta.

“Z. Quilliam shtoi se është muhamedan ca më tepër se 15 viet. Që më 1883 qenkan kthyer n’islamësie nja 500 Inglizë. Tani, mot për mot, kthehen nja 15 veta.

“Shumë veta, burra e gra, po më tepër burra, kthehen, edhe  përgjithërisht janë njerës të ditshmë e priftërinj gjithë fesh.

“Disa nër më të ndzehtët devote [besimtarë] t’anë janë, thotë  Sheh-Islami, njerës të pasur e në shkallë të mbëdha, po s’duan të shfaqen”.

Kuitim 

Fialët e “Sheh-Islamit” ingliz, të shënuara më sipër, më kuitojnë një gjë për të qeshur që dua ta dëftoj këtu. N’Inglie, kthehen në mot-mot nja 50 000 protestarë në fe katolike, e me gjith’atë, jemi larg nga katholikësimi i gjith’Inglizëve. Sheh-Islami thotë se kthehen n’Islamësie mot për mot “nja 15 veta”. Do me thënë, që të islamësohen 30 milion Inglizë – në  qoftë se nuk shtohet numëri i të kthyerve – duhen të paktën dy milion viet! Me gjith’këtë, nuk është rallë të dëgjosh Turq të thonë se... në pakë viet “Avropa” e tërë do të jetë muhamedane... Në këtë e sipër, më vien kuitimi që dua të shkruaj.

*          *         *

Këtu e nja dhietë viet më parë, isha duke hyrë në Shqipërie me udhë të Serbies. Në Zibefshë – emri i kufirit – zbritmë: Me një herë,  na rethuan zaptienj e meemurë me fytyra të kungullta e t’égëra, e, duke na përmbledhur përpara, po-si dhen, na kallnë në një katua, ku, pas pakë, na suallnë edhe plashkat e vogëla që kishim. Pastaj, me një “tullumbe” plot me ujë të denikuar zunë të na lagin e të na shpëlajnë. Në protestimë t’udhëtarëve të qullur, të ndotur e të zemëruarë, një “bash-meemur” thosh me rëndësie: “Irade var. Karantena-nun nezamnamesene idshra idiorez”. Do me thënë, në gjuhën shkipe: “Kemi leje të viedhim [mbledhim] udhëtarët, se diku ka dalë kolera”. – Kolera kish dalë këtu e tre viet më parë... në Turqie, dhe Turqia kish urdhëruar karantinë për ata që vijn nga jashtë. Kolera kish shkuar, urdhëri kish mbetur.

Si na lagnë e na “qëruan”, na shpunë në një shtëpie të drunjtë e aty na lanë gjer të nesërmen. Tre a katër rogosë, e nja dhietë ndenjëtore të kalbura: aty duhej t’a shkojim natën. Ishim nja dy mbë dhietë veta, nër të tsilët një Frenk me të shoqen, edhe gruaja e një ish-ministori bullgar në kabinet të Stambullofit, fshtarakë me një bark si kade e me këmbë si magje, me një palë duar të trasha e të piekura, e me një fytyrë të fryrë e të kuqe si piper t’Ohrit. “Zonja ish-ministoreshë”, në mënyrë bullgare, kthehej në fshat të saj në “Matsedonié”, bashkë me të birin e saj gjashtë-mbë-dhietë vitesh e me një vaizë dy vitesh. Nuk më bie ‘nër mentt në kish shërbëtorë.

Kjo katundare e shkretë e shihte me frikë të qasurit e natës: jo vetëm nuk kish kamare [dhomë] për gratë, po s’kish as vent për të fietur. Çoi pra fialë te meemurët, që ish gati të jepte një lirë për të gjetur vent për të fietur; po nga se e kish thënë këtë me zë të fortë dhe sitsilido  kish’ dëgjuar, Turqitë nuk deshnë të duken se janë njerës të ergjendit. Pra, e miera grua u-shtrëngua të rijë tërë natën më këmbë.

Për të shkuar kohën, diali i saj, i tsili dinte tsa pakë frëngjisht, nisi të flasë me mua. Më thosh që, sikur të veja në Bullgarie, do t’më mirjin për pakryetar (anarshist), se në Bullgarie si duket të gjith’ata që i lënë leshërat të gjata i marin për pakryetarë. Një Turk që hiqte shibukun këmbë-kryq afër nesh, e që kuptonte pakë, zuri të qeshë: “Ojle-me? Hajr, hajr: uzun sach birakan felesofdur”. Do me thënë, kush i lë leshrat e gjata është filozof.

Ashtu, duke dëgjuar gomarërira të tilla, e pashë të gdhirët. Me mëngjes erdhi, që të na shohë mos kishim kolerën mieku, i veshur vetëm me këmishë të natës e me brekë. Zonja frënge, duke parë këtë Turk aqë çuditërisht të veshur, zu të tskuqet nga turpi, e buri i saj u qas të më pyesë në ish zakoni në Turqiet të dalin ashtu përpara botës. Thashë se me të vërtet, moda e lartë në Turqie është të dalin përpara botës me këmishë të natës.

Si e pa mieku se s’ishim të sëmurë – do me thënë, si e lozi lodrën që loste që nga tre viet për të dzveshur udhëtarët – ndzuarmë të paguajmë “visitën”, e zotëria e tij u hoq i kënaqur. Ahere, na çitnë nga kasolla e na shpunë në “jymryk” që të na vështrojnë plashkat edhe “passeportin”.

*          *         *

Me të parë se kisha libra, një “meemur” u mvrejt dhe më tha: “Puna jote ësht e ligë; ne këto libra nuk i kuptojmë; do ti dërgojmë pra në Stamboll, e ti do presh këtu. Dale të shohim sh’ke tiatër?” Zura të bie në sh’do fare mendimesh; më kishin shkruar se një fialë nga an’e Valiut te kryetari i kufirit do t’më kish shliruar edhe nga të tilla punë, edhe për passeport që s’e kisha; shfarë ishin këto tani, e sh’më duhej të lija vendet e lira që të vete të bije në duar t’egërsirave?... Isha duke menjtuar ashtu, kur meemuri më thotë me një zë t’egër t’i rëfej passeportin: si s’kisha, i rëfeva “nufus-tescérénë”. – Bu ne? tha duk’e marë. Para-etmez”. Po me të parë emrin t’im, u habit: “Hata-olldu”, thirri me një herë, libra, plashka e gjithë sh’kisha i mblodhi, e, duke më refyer udhën, më shpuri te kryetari i jymrykut. Këto u bënë në më pakë kohë se sa duhet për t’i shkruar, aqë shpejt sa s’pata kohë të marr vesh. Atie, meemuri më kërkoj prapë ndiesë, duke thënë se kishin shkruar për mua, e se, sikur të më kish njohur, as do të kish hapur plashkat as do të kisha ndenjur me të tierët.

Turku përpara të tsilit isha, ishte një Anadollak në mënyrë të vietër, do me thënë njeri baba e i mirë, i egër po e ngave në fe, po në të gjitha të tierat i urtë. Më priti fisnikërisht e, duke pirë kafenë, që si në përralla magjish, erdhi me një herë, po shikoja këtë fytyrë të gjerë me miekër të gjatë e me një palë sy gjithënjë si të hapura këtë shast gjuhmi. Po hiqte chibuk, duke menjtuar. Zumë të flasim. I thashë se në mes t’udhëtarve, ndodhej edhe e shoqia e një ish-ministori ne kabinet të Stambullofit, e tsila hoqi shumë në kasolle të karantinës. Si e pashë, Anadollaku ynë kish një mendim të math për Stambullofin, se, me të dëgjuar këtë emër, çoj e thirri zonjën e i dha një ndenjëtor (në funt të kamares). “Vaj, vaj, biçare kaden!” vente duke thënë. Mierisht, gruaja e shkretë kish një vaizë dy vitesh e tsila i a dha të qarit. “Artek, senda... Ghel!” thret Anadollaku më në funt e, shërbëtorit që vien, “ndzire këtë jashtë!”, i thotë.

*          *         *

Kish rënë fiala përmi Europe (Avropa) -, kur me një herë, Anadollakut i qeshi buza e, duke lënë chibukun, më pyeti me interest: “Bezum Abdullah ne ollijor?” – Abdullahu ynë ç’bëhet?

Mbeta një shast i habitur. Sh’do të jetë ky Abdullah? Pa fialë, nonjë njeri i njohur e që ndodhet n’ato vise ngaha vij. Po t’i rëfej se nuk di ch’është Abdullahu, do të më marë për njeri të humbur... Iu përgjigja pra: “Shum’mirë është. Ju dërgon selam”. – “Falem nderies, tha Anadollaku i mierë, sa-do-mos i habitur. Po ay s’më njeh: si do më dërgojë selam?” Eh dreq, rashë në gratskë! Po shpejt e mora veten e: “Vërtet, i thashë, nuk ju njeh, po më tha se sa Turq të mirë të gjej udhës, t’u thom selam nga ana e tija”. Në këto fialë, u kënac shumë. Po mua s’më jipte dore t’ia zgjat fialët përmi Abdullahun, zura pra të flas për të tiera. Lumtisht,  erdhi edhe koha për t’u ndarë, e e lashë Anadollakun duke hipur në tren t’udhës-së-hekurt.

Në qerre [vagonin] ku hipa unë, hynë edhe dy veta të tierë: njëri, kryepolitsi i kufirit; tiatri, mieku, po këtë herë i veshur. Vejin gjer në Shkup. U hap fiala me një herë, e kryepolitsi nuk më shuditi pakë duke ndzierë një librë turqishte për të mësuar frëngjisht! Një njeri i politsës turke të mësojë gjuhë të huaja! Dhe dinte jo pakë fialë. “Ne, më tha, kemi nevojë të mësojmë gjuhë të huaja, ose të dimë se ch’thonë Avropa-da për ne”. Në këto e sipër, zuri të qeshë si një njeri të tsilit i bie nër mentt një gjë për t’u gëzuar, e më pyeti: “Bezum Abdullah ne ollijor?” – Abdullahu ynë sh’bëhet?

Me të vërtetë dita lindi liksht për mua!... Ch’është ky Abdullah që s’më lë në paqe, i vërtetë mundim, e vërtetë persecution! [persekutim]. Isha i shtrënguar të gjej një udhë për të shpëtuar nga Abdullahu.

“Po nga e njihni Abdullahun?” i thashë. – “E kush nuk e njeh Abdullahun t’onë? Ay ka bërë aq punë të mbëdha!” m’u përgjigj kryepolitsi. Do me thënë, thashë me vete, Abdullahu ynë s’është një mik i veçantë i këtyrevet, po qenka një njeri botëtar, homme public [njeri publik]. “Mirë, vërtet, vërtet. Ka bërë, ka bërë.  Po jo dhe punë aqë të shuditshme”.  U hodh politsi: - “Ne demek! Abdullahu ynë i ktheu Inglizit me mijëra në islamësie. Abdullahu ynë është njeri i math”. E duke e lënë të flasë, menjtohesha: Do me thënë, Abdullahu ynë qenka një njeri që ka vajtur t’islamisojë Inglizët. Mirë. Po nga sh’vend është? Këtë të kuptojmë. “Ka kthyer e do kthejë. Abdullahu ynë është njeri me ment, i thashë. Po do të kish bërë edhe më tepër punë sikur ta dinte më mirë inglishten”. – “Po s’i s’e ditka? Më tha politsi. Abdullahu ynë është Ingliz. Si e dini, e si e di gjithë bota, ai u bë musliman kur ish një-zet-e-pesë vitesh”. E prisha punën pakë e, kur përpiqesha t’a ndërtoj, qëndroj treni një shast, e hyri një mylazim në kamare t’onë. Me të mësuar se vija nga Perëndimi: “Allah ashkena, thirri duke u qasur, bezum Abdullah ne ollijor?” Për dashuri të Perëndisë, Abdullahu ynë sh’bëhet?

“Për atë flisjim, thashë. Evropa e tërë Abdullahun ka në gojë”. – “Hamd ollsun, tha mylazimi. Inshallah e kthen Evropën e tërë”. “Inshallah. Po kam frikë se mos vonojë sa-do-mos ajo dit’ e madhe”. – “S’vonon, thotë politsi, s’vonon. Siz korkmainiz. Japar bezum Abdullah”. – “Mutllak japar bezum Abdullah”, tha mieku. – “Uallaha japar bezum Abdullah, tha mylazimi. Po në sa viet, pas mendies s’uaj? “ më pyeti pas pakë. “Në nja pesë-dhietë viet, Inglizët do të jenë të gjithë muhamedanë”, thash unë. “Ne demek? I’a bëri politsi. On sene-de japar bezum Abdullah!...” D.m.th.: Në dhietë viet e mbaron atë punë Abdullahu ynë.

“Në Shkup, më thotë mylazimi, mos harro, në u pieksh me ferikun, t’i zesh në gojë Abdullahun t’onë, se edhe atij shum’i ka ënda Abdullahu ynë”.

Udhëtimi u mbarua. Pashë Shkupin. Vaita në shumë vise të Shqipërisë: e kudo, që gjeja një Anadollak, e para fialë qe: “Bezum Abdullah ne ollijor?”; aqë sa, më në funt, zunë të më tingëllojnë në vesh nat’ e ditë ato fialë. Zura të shoh Abdullahun n’ëndër, herë në fytyrë të nonjë hodshe [hoxhe] që, me një shallmë të gjelbër, të lartë sa një minare, falej duke kënduar; herë nën fytyrë të nonjë shehu të hipur në një kalë të zi e të rethuar Arapësh me kama të dzveshura... U bë nevojë, për shëndetin tim, të largohesha sa më shpejt nga një qark i tillë; punë q’e bëra pa pritur.

Mësova më tutie se “Abdullahu ynë” ish një Ingliz i Manchesterit i kthyer në islamesie, e besonj të jet ay që, sot për sot, u bë “Sheh-Islam” i Inglizëvet e për të tsilat u bë fialë, më sipër, në këtë numër t’ALBANIES.

Kur u ktheva, shkova prapë me atë udhë me të tsilën kisha ardhur. Në Zibefsche, treni qëndroj vetëm pesë minuta: pra, me-zi pata kohën të përshëndoshem me efendinjtë. Po kur u ngrit treni, kryepolitsi më briti me një herë: “Bezum Abdullah selam!”

Faik Bèg Konitza. 

Faik Konica - Reziku i afërm i shqiptarëve muhamedanë

Një lajmërim i shkurtër Muhamedanëve  
 
“I hope very much that the Constitution may last long enough for the Albanian people tu pull itself together and be able to stand out for indepedence when Turkey in Europe breaks up”.

“Kam shumë shpresë që Konstitucia mund të rojë miaft kohë sa të bashkohet populli shqiptar dhe të jetë i zotë të qëndrojë për çlirim kur Turqia n’Evropë të thyhet”.
Nga një letrë të veçantë prej një Englizi të njohur te Dreqtori [Drejtori] i ALBANIES, vjeshtë III, 1908.

ZOTERINJ- E thëna e së vërtetës nukë sjell nonjë fitim; po ka një ëmbëlsie më vete, sepse të qetohet vetëdija kur fole ç’duhej të flisje. Unë e di fort mirë, ma kanë thënë edhe miq qindra herë që do t’ju pëlqeja shumë më tepër sikur të ju veja pas “qejfit”, sikur të flisja ashtu si jini të mësuar të dëgjoni prej të tjerësh. Po natyra ime është ndryshe. Dhe, i shtyrë prej kësaj natyre, dëshiroj sot të ju shkunt nga gjumi, të ju thom ca të vërteta t’ashpra, por të ftohta dhe të matura, dhe të ju bëj armiqt’e mi sa-do-që nuk më njihni: po të tilë armiq, që në ca vjet, në pakë vjet, të thoni: “Ah, ç’na këshillonte mirë! Ah sa të dreqtë [drejtë] kish! Ah sikur t’i kishim vënë veshin!” Po pendimi i vonuar nuk sjellë dobie.
Ç’kam për të thënë, mund të përmblidhet në një paragraf pesë frasash:

1° Osmanllinjtë në pakë vjet do të dbohen nga Evropa; - 2° Shqipëria e pabashkuar dhe e paqytetëruar, e mbetur nga faji i saj pa miq të fortë perjashta, do të ndahet; - 3° Shqiptarët muhamedanë do të dbohen duke humbur gjithë mallin dhe kamjen; - 4° Osmallinjtë nuk do t’i qasin n’Anadoll shqiptarët e dbuar; - 5° në mos idealismi, të paktën buka dhe detyra që kini te fëmija juaj ju shtrëngon të bëni nga dy gjëra njërën: a të kthehni te feja e stëgjyshërve tuaj, a të mbeteni muhamedanë, po duke u lidhur me aq vërtetësi dhe zemre me të krishterët nga gjaku juaj sa t’i jipni kombit t’uaj një karakter gjysmë të krishter.

Këto janë adfirmacione [pohime]. Zotërinj, po i provoj. Ju ftoj t’i bisedojmë. Ju hap ALBANIEN për kundërshtime, në qoftë që dini t’i bëni njerëzisht, dhe jo pas adetit të miletit osmanlli, duke u përgjëruar n’ato që nuk thashë dhe duke lënë pa përgjigjje ato që thashë me të vërtet.

Pika e parë është: Osmalinjtë në pakë vjet do dëbohen nga Evropa. Zotërinj, gjithë bota e dinë që, sikur të mos kish qenë kasnecuar e vetëthëna “konstitucie” në korrik 1908, Maqedhonia do të qe njohur për gjysmë autonome. Të rrenat e Xhonëve e qëndruan [frenuan] këtë plan, po jo për gjithnjë. Idealister dhe trima, bullgarët e Maqedhonisë shpejt a von do të ngrihen, këtë radhë të ndihur edhe nga Bullgaria, e cila është e zonja t’i thyej kokën Turqisë. Pastaj Bullgaria ka edhe Rusinë, ndofta Serbinë, Rumaninë, Malin e Zi. Ka tertib me të mirë se të Turqve, të cilët, më thosh një filaq, luftën e fundit me Grekët e fituan me të vështirë. Pra, në pakë vjet, Sllavët të bashkuar do t’i përzënë Osmanllinjtë nga Evropa.



Pika e dytë është: Shqipëria do të ndahet. Zotërinj, kush do t’ju njohë liri juve, kur s’jini të zotët as një shoqëri t’organizoni, jo më një administracje. Dhe ç’janë ato prralla për të luftuar dhe për të qëndruar? Lufta bëhet me fishekë, fishekët mbushen me barut, baruti bëhet me salpêtre [nitrat]; kjo lëndë e fundme vjen nga jashtë, dhe po të dojë Evropa jua a pret armët me një herë, si pritet ujët e një kroji. Çapëni ahere të bëni luftë me shkopinj. Apo a kujtoni se këto nuk i kanë mejtuar dhe nuk i dinë jashtë?... Evropës i është mbushur koka me kohë të ndahet Shqipëria. Lord Lasndowne-i tha katër vjet më parë që Toskëria i bie [i takon] Greqisë, etj.  

Ç’do komb i Ballkanit lakmon një copër të Shqipërisë dhe ka gjetur mpronjëtore që ia kanë taksur.

Pika e tretë: Shqiptarët muhamedanë do të xvishen dhe do të dbohen. Për të vërtetuar këtë, shikoni Vranjën dhe Leskovacin. Kur i mori Serbia këto vise, i përmblodhi të gjithë muhamedanët dhe i dboj, duke ua mbajtur tërë ç’kishin. A protestoj Evropa? Jo!  Po ndofta bëhet ndryshe gjetkë?  Jo, s’bëhet ndryshe; se në mos ju grabitshin çiltas gjene, do t’ju mundojnë aqë sa të shtrëngoheni ta shisni që t’ikni. Po ahere, do të ndodheni përpara një konspiracjes, e cila një tokë 1.000 lirash do t’ju forcojë ta lini për 25 lira. Njoha një dipllomat i cili më tha që kur u-bë Bullgaria më vete, vate një Turk dhe i proponoj t’i shesë për dhjetë lira një shtëpi të bukur me disa ara. Tre vjet më parë, flisja me një zot, mik të math të Shqipërisë. Më tha: “Ferid Pasha bleu një çiflik të ri afër Durësit”. Thashë unë: “Do të vlejë shumë ky çiflik kur të ndahet vendi nga Turqia”. “A me vërtet?” m’u përgjigj miku, “thoni që Feridi do ta humbasë fare, se do t’ia marin!” A ka fjalë më të zonjën të ju bëjë të mejtoheni?



Pika e katër është: Osmallinjtë nuk do t’i qasin n’Anadoll shqiptarët e dbuar.  Të ju thom, sepse gjer më sot, Turqia i ka pritur mirë muhaxhirët dhe u ka falur tokë; po politika e saj ish të bënte qentra fanatikësh, që me anë të këtyreve të çponte të mbeturit në vende të zaptuara. Kuptoni udobisht që kur të kthehet n’Anadoll Turku, do t’i pritet fare shpresa nga viset e zaptuara, dhe do ta lëjë politikën e zakonshme të saj. Pastaj Turku Shqiptarët nuk i do as tani që u ka nevojën; ahere do t’i dojë? Ahere kur fajin e dbimit do t’ua hedhë Shqiptarëve, se do të thotë këta i ngrenë qafiret duke i bezdisur me të këqijat e tyre. Hiqeni pra fare shpresën andej. Kur t’i veni Turkut n’Anadoll, në vent që t’ju thotë: “Hosh gjelden”, do t’i thërrasë ushtrisë: “Vur bu qerata Arnautllari mahv ollsun ibneler!”

Pika e pestë është: Si mund t’i largoni këto të këqijat? Unë ju thom: Në doni, kthehuni në fée të stërgjyshërve t’uaj, të cilët, si e bën “ispat” “tarihu”, ishin kaurë, gjaurë, qafirë, po që u bënë muslimanë nga “zullumi”. Këtë e dini edhe vetë, se edhe sot shihni për dita, në vilajet të Shkodrës, të krishterë që bëhen “turç”. Të kthyerit tuaj në fée të vjetër do të sillte me një herë bashkimin e kombit. Po këtë e thom se bie fjala, se e di që s’bëhet dhe s’duhet bërë. Mbetet islamismi. Mbajeni këtë besë, po duke larguar të ligën politikë që sjell, e cila është që i huaji nuk e ndan Turkun nga Shqipëtarin musliman.

Një shkronjëtor politik i njohur më thosh një ditë: “Evropa nuk do ta kish dhënë Vranjën te Serbia dhe Ulqinin te Mali i Zi, sikur të kish kuptuar që ka një komb shqipëtar të ndryshmë nga të Turkut. Po u lajthit puna e besës [ndërhyri puna e fesë]”.Duhet pra këtë ndryshim ta çfaqni: 1° duke lënë të përdorurit e fjals “turk” për “musliman” a “muhamedan”; dhe shihni sa të marrë jini: Turku vete ju thërret “musliman”, ju nuk e përdorni këtë fjalë po thoni “turk”! 2° të arrini pakë nga pakë të mos e njihni sheh-islamin, por të kini për punët e fesë një synod musliman, të quajtur “Arnautlluk mexhilis-i-‘ulemasi”, dhe kryetari t’emërohet “reis-ul-‘ulema”; 3°ky synod të bëjë ca kanune fetare sipas zakoneve të kombit t’onë; 4° sa për bektashinjtë, të reformohen e t’organizohen më mirë; të heqin dorë nga alkoolizmi; të kenë një seminar për dervishët, ku të mësohen filosofia dhe letrat më profesore nga Gjermania. Teqetë kanë para sa të duash për këtë punë. (Medreset’ e Turqvet këtej e tutje do të kenë edhe një mësonjës të frëngjishtes. Shihni sa poshtë kini rënë: edhe mollahët turq jua shkuan!)

Po të gjitha këto do të jenë më kot po të mos përhapni te populli mendime njësie dhe vëllazërie me të krishterët. Për këtë dhe për të tjera do të flas më gjatë një tjatër herë.
Ju hapa zemrën. Në u pezmatofshi, s’kini arsye, se ju fola lirisht për të mirën t’uaj, ashtu si ma pret mendja. Në mos u’ pezmatofshi, mejtohuni për këto që po ju thom, se s’janë prralla.

Në vapor “Princesse Clémentine” nga Doveri në Ostende, 1908.       








Artikujt e fundit


Reklama

Reklama