Në PivArte do jenë të ekspozuara 64 vepra, ndër të tjera 3 vepra fotografike, një video "Harvest Moon" 6'13'', 51 vizatime (teknika është: ngjyra smalti mbi xham, laps në karton të prerë në formë sagome mbi letër).
Tema e krijimeve të Venera Kastratit duket sikur vjen nga autorët antikë, pra tema për gruan që ka për të vdekur nga e njëjta dorë e fëmijëve të saj dhe sipas Bertit qëllimi i artistes shqiptare është analiza e fazave infantile të secilit prej nesh, filozofi që autorja e shpjegon më hollësisht në një nga të paktat intervista që mund të ketë dhënë për shtypin shqiptar.
Venera Kastrati është lindur në Tiranë më 1975 dhe aktualisht jeton e krijon në Milano. Gjatë viteve 1993-1997 studioi në Akademinë e Arteve në Tiranë. Më 1998-2004 studioi në Akademinë e Arteve të Bukura në Brera, për pikturë në Milano. Ka ekspozuar në shumë vende dhe galeri dhe në Tiranë në disa ekspozita grup. Ekspozita në fjalë është personale. Një të tillë Venera përgatit thuajse çdo vit nën kujdesin e kuratorëve të njohur të arteve pamore.
Është mbresëlënës titulli i ekspozitës: "Gruaja krijoi burrin, burri e vret atë". Ku e ka origjinën ky definicion?
Ekspozitën e kam titullar "Gruaja e prodhoi burrin. Burri do ta vrasë atë", sepse më pëlqeu titulli pak profetik. Tregon fillimin dhe fundin e një historie, por asnjë element real, për gjithçka i lihet vend imagjinatës.
Kisha kohë që doja të realizoja këtë projekt dhe më në fund, ndiej sikur të jetë realizuar një ëndërr e imja më e vjetër.
Kisha para syve këtë figurë gruaje të krahasuar me një makinë prodhuese, mekanike, që nuk përdorte trurin dhe që harronte që nëpërmjet qenies së saj varej e ardhmja e saj. Këto qenie, prodhimet e saj, që dalëngadalë shndërrohen në monstra dhe që në fillim ishin nën kujdestarinë plot dashuri të gruas, fillojnë të kthehen kundër saj. Videoja që kam realizuar për këtë projekt është simbol i gruas pa përgjegjësi ku nga toka që ajo mbjell, pak nga pak dalin barëra të këqija që e bëjnë të mbytet dhe të mbetet mbrenda e kurthëzuar pa asnjë rrugëdalje.
Nëpërmjet gruas kam dashur të simbolizoj ambientin social ku shoqëria jonë rritet e formohet. Aty lindi edhe kërkimi im, drejt përdorimit të lodrave në të gjitha kohët nga periudhat më antike e deri në ditët e sotme. Lodrat si element për të ndikuar e pse jo për të transformuar atë që është e do të jetë e ardhmja e çdo shoqërie. Kështu, nëpërmjet këtij projekti analizoj periudhën më kryesore, atë të fëmijërisë.
Biznesi dhe shoqëritë komerciale më të mëdha që merren me prodhimin e lodrave nuk shqetësohen për t'iu ofruar fëmijëve një botë që mund ta ndërtojnë e krijojnë, por u ofrojnë atyre një botë të gatshme për t'u përdorur. Kështu nëna zgjedh lodrat për t'i ofruar diçka fëmijës së saj. Pakujdesia dhe mungesa e përgjegjësisë së saj janë shkas që luftërat imagjinare të cilat bëjnë fëmijët meshkuj nëpërmjet lodrave plastike - ushtarakë të vegjël - e të tjera personazhe të dhunshëm, të bëhen lodra reale kur bëhen burra. E ja pra, kjo dorë që nëna e rriti, kthehet kundër saj, pikërisht nga humbja e përgjegjësisë kundrejt krijesës së vet. Ndarja rrënjësore seksuale, në fillim në formë loje më vonë në adoleshencë duke marrë gjithmonë e më shumë një ndarje reale gati raciale. Për këtë arsye i kam ndarë vizatimet që i dedikoj lodrave në disa kategori, ku ato më kryesoret jane lodrat mashkullore e ato femërore.
Nëpërmjet një instalacioni me vizatime, kam krijuar edhe një seri të kukullave e lodrave "raciste". Një nga këto është seria e "White Doll". Një kukull që në fillim njihet në tregti si kukullë e zezë, por shitja e saj falimenton pasi asnjë klient nuk është i interesuar ta blejë, kështu fabrika krijon më pas të njëjtën kukullë me ngjyrë të bardhë për t'iu afruar gjithmonë e më shumë kërkesave të publikut.
Ju i besoni thënies se dora që përkund djepin ajo drejton botën?
Thënie e bukur. Kisha kohë që nuk e kisha degjuar.... Po, i besoj shumë kësaj thënieje. Është pikërisht, çelësi i temës së këtij projekti të fundit që kam realizuar për ekspoziten personale që hapet pas pak ditësh në Bolonjë. Besoj që ajo dorë mund të evitojë katastrofat në gjithë botën.
Kuratorja e ekspozitës vë në dukje hijen që lëshojnë "objektet" tuaja. Me çfarë ka lidhje ky element?
Në vitet e fundit jam duke analizuar a bërë kërkime mbi një gjuhë vizive multimediale. Kërkimet e mia nga ato më të parat drejt formimit si piktore, e më vonë këtu në Itali, kinemaja pa zë dhe periudhat e para kinematografike, fotografia, e disa studime të shkurtra të miat mbi teatrin e hijeve kontemporane, kanë ndikuar tek unë me seri pasurish të shprehive.
Ambienti i ekspozitës do të jetë një pjesë e ndriçuar e tjetra në erresirë komplet, ku disa llampa do hedhin dritë mbi vizatimet e mia që janë punuar direkt në xham. Kështu këto vizatime do projektojnë siluetat e sagomave të vizatuara. Disa mund t'i shihni në imazhet që jua kam dërguar.
Përveç kësaj, në zemër të ekspozitës do jetë varur një plexiglass i madh transparent ku është stampuar figura femërore prodhuese, që paradoksalisht, në vend që "të prodhojë" qenie humane, prodhon ushtarë lodra të vegjël e të armatosur të të gjitha kohëve. Një burim drite do projektojë kështu vizatimin mbi faqen e murit, e ndërkohë vizituesit kanë për të qenë pjesë integruese e ekspozitës, duke lënë edhe ata në mur hijet e sagomave të tyre. Të gjithë këta persona që kalojnë, janë bijtë e një nëne krijuese.
Veprat e mia fotografike të këtyre viteve të fundit dhe po ashtu videoja e fundit kanë të bëjnë shumë me teknikat e teatrit të hijeve. Duke shpjeguar me dy fjalë, unë krijoj teatro të vegjël të hijeve në studio, dhe më pas i fotografoj ose i animoj për të realizuar ndonjë skenë, psh ky rast i përket videos së fundit që kam realizuar, "Harvest Moon".
Gjetja e temave është një fazë bazë për të krijuar. Me ju si ndodh?
Për mua tema që propozoj është një nevojë dhe ndoshta lind shumë kohë para projektit, ndoshta edhe vite. Është një zë i imi i brendshëm që do t'i flasë të gjithë botës, që kërkon të ndajë idetë me idetë e të tjerëve, dhe ndjenjat me ndjenjat e të tjerëve. Kam gjithmonë parasysh një thënie të François Truffaut: "Un'idea del mondo è un idea del cinema" (Një ide e botës është një ide e kinemasë).
A vazhdon të jetë emigracioni subjekt aktual për ju?
Emigracioni është një element me të cilin bashkëjetoj përditë. Herë pas here kthehet tek unë si nevojë për të treguar diçka të re nga ajo që unë përjetoj ditë pas dite. Kështu, kam në mend një projekt të ardhshëm që nuk lidhet drejtpërdrejt me temën e emigracionit, por aty mund të shihet ndonjë pikë e përbashkët.
Një nga veprat me të cilat mbaheni mend në galerinë e Tiranës ishte videoja e gruas shtatzanë që shkruante në bark emra fëmijësh. Një videoart i krijuar në kohën kur diskutimi për "bashkëjetesë të diversiteteve kulturore" ishte në kulmin e modës. Pyetja është çfarë e bën autentike sipas jush një vepër arti në kohën e nuk përtojnë të vihen në funksion kulturat, idetë, motivet, edhe mediumet e artit vetë?
Është tamam ajo që të mos ndjekësh modën. Çdo artist ka një personalitet që është i ndryshëm dhe i ngjashëm në të njëjtën kohë me shumë të tjerë. Autenticiteti është pikërisht kultivimi i atyre pjesëve të ndryshme, që krijojnë individualitetin dhe personin e papërsëritshëm tek artisti. Shumë artistë i kanë qëndruar kohëve, dhe shumë janë bashkëkohorë akoma sot, edhe pse kanë kaluar vite; si për shembull në kinema Murnau, Hitchcock, Renoir, Bergman, Jean Vigo, Lubitsch, Fritz Lang e shumë emra të tjerë që u ka kaluar koha por që vazhdojnë të jenë të imituar e të kopjuar në të gjitha format e artit.
Në një projekt tjetër tuajin ekspozuar në Tiranë mbi memorien, ju merreni me funksionin bazë të kujtesës për të sjellë afër vende dhe njerëz. Të jetosh me kujtesën do të thotë të jetosh me të shkuarën, si mund të përditësohet, aktualizohet kujtesa në art? Pse është me interes për ju shfrytëzimi i "depozitës së kujtesës"?
Kujtesa është realiteti i kaluar i çdokujt. Është e vështirë t'i shkëputesh realitetit tënd të largët e të kaluar. Shpesh lë gjurmë të pashërueshme, përvojat e këqija që kërkon të harrohen por kthehen vetëm në formë kujtese e duken se dhembin si dje. Të tjera herë, janë nostalgjira që të bën të rikthehesh në ndjenjat më të bukura të fëmijërisë, në sigurinë e përqafimit të prindërve, aromën e drurit të djegur dhe zhurmën e ëmbël të bukës së thekur. Nuk mendoj se jetohet me kujtesën por e shkuara ështëe rëndësishme në formimin e individualitetit. Edhe pse eksperiencat e reja që përjetohen shpesh janë të forta e plot me energji të reja.
A keni një mendim për arsyet pse arti pamor shqiptar brenda Shqipërisë nuk po mundet të ballafaqohet jashtë kufijve? A është ky tranzicion në art i shpjegueshëm rrethanat e vendit tonë? A ka shembuj për pak optimizëm?
Unë jam optimiste, pasi besoj në energjitë e reja, besoj tek më të rinjtë. Nuk e njoh shumë realitetin e artistëve shqiptarë brenda Shqipërisë në këto vitet e fundit, ndërkohë që mund të përmend disa emra të atyre jashtë kufijve si Adrian Paci, Anri Sala etj. që i kanë dedikuar maksimumin e energjive artit. Mendoj që një artisti në të gjitha kohët i është dashur të lëvizë nga vendi i lindjes për të stimuluar kreativitetin, hapjen mentale, e sigurisht edhe për të pasur njohje të reja. Unë besoj që kufijtë nuk është e nevojshme të ekzistojnë më. Udhëtimet, shkëmbimi i ideve, e njohja me të ndryshmit nga ne japin energji të reja.
Elsa Demo Gazeta Shekulli











