Dhurohen 2 fotografi te Princ Vilhemit dhe Sofies

Dhurohen 2 fotografi të Princ Vilhemit dhe Sofies
E bija e tij, Godiva, me shpirtin fisnik dërgoi në bibliotekën publike një fond prej 696 libra si dhe 41 tituj gazetash, 17 copë libra fetarë të cilat ishin pjesë e pasurisë kulturore që ruante në banesën e tij patrioti Ibrahim Shyti në arkivin e tij të madh dhe të shumtë. Këta libra u kaluan në fondin e albanologjisë duke shtuar numrin e librave që iu dhuruan kësaj biblioteke pas zhuritjes që iu krye këtij institucioni publik kulturor në orët e zjarrit të vitit më të mbrapshtë ’97. Citojmë një shënim të të ndriturit Ibrahim Shyti: "Bibliotekës së Vlorës po i dhuroj këta libra e revista me dëshirën e nxehtë të zemrës sime, sepse për gati gjysmë shekulli ne u përgjakëm me armiqtë e kombit tonë, që të fitonim lirinë dhe pavarësinë duke ndriçuar mendjet e njerëzve me dituri e kulturë. Dritëroftë në jetë kujtimi i Tij!” Ndërkohë, fondit të kësaj biblioteke iu shtuan kohët e fundit dy fotografi të rralla të bëra në vitet ’30, ku janë princi Vilhelm me mbishkrimin -mbreti i shqiptarëve dhe fotoja tjetër me Sofien, me mbishkrimin Sofia - mbretëresha e shqiptarëve. Fotot janë të zverdhura nga qëndrimi i gjatë në ambiente të mbyllura. Ato janë ruajtur nga patrioti Shyti në arkivin e tij personal, që si shumë familjeve të tjera me traditë të këtij qyteti, kanë pasur libra, gazeta, revista në shumë gjuhë.

2- Lidhur me traditën dhe kohën kur shfaqen qartazi gjurmët e saj, mësojmë se tradita e kësaj biblioteke zë fill herët, prapa kohëve me mjegull, me Kodikët, dorëshkrimet e rralla të Himarës dhe Vlorës në shekujt XIII-XVI, bibliotekën e Mëkatit 1672, atë të familjes Vlora në shekullin e XVIII, bibliotekën e Manastirit të Zvërnecit, atë të Kishës Ortodokse 1916, të Odës së Tregtisë 1920, Bibliotekën e Arsimtarëve 1939, librarinë “Shpresa” të Ibrahim Shytit, si dhe mjaft biblioteka të pasura në familjet qytetare vlonjate. Zanafillën e ka në vitet ‘36-‘37 dhe në të dytin, besohet në vitin ’37, u konsolidua si një e tërë. Merren si pikë referimi një grup intelektualësh, kuptohet s‘mund të ishin ndryshe të asaj kohe, që formuan “Bibliotekën e Arsimtarëve”. Por nga kujtimet që kam për A. Asllanin shfaqet edhe dora e tij, një dorë pushtetari e mirë. Këta intelektualë dhuruan nga pjesa e tyre libra, duke përbërë një fond të tillë me rreth 2000-3000-4000 tituj, që përveçse dëshirës, përmbante edhe shenjën e respektimit të kulturës sonë dhe pasurimin e saj në traditën dhe kulturën e Vlorës, ku një vend të veçantë zë Biblioteka e Vlorës. Në mjaft dokumente të shekullit të 18, shprehet ajo midis qendrave të tjera kulturore, përmendet biblioteka e familjes Vlora, Ismail Vlora, Ibrahim Pasha, Mustafa Pashë Vlora, të cilët rreth viteve 1812 kishin në banesat e tyre 5200 ekzemplarë, libra, dorëshkrime. Pas kohës së Mustafa Pashë Vlorës, në vitin 1895, nga udhëtarët e huaj vihet në dukje se krahas familjes Vlora, një pasuri kulturore si libri zotëronin familjet e Elmaz Xhafer Kaninës, Ibrahim Abdullait, Hamza Isait, Kolë e Kristo Karbunarës, Xhavid Vranarit, Jani Mingës, Dom Mark Vasa, Osmen Shehu dhe Tol Arapi. Duke zbritur nëpër “orbitën” e kohërave në vitet ’20, siç përmendet edhe në shtypin e kohës, vend zë biblioteka e Syrja Eqrem Vlorës. Një fakt gati i çuditshëm është se në këto biblioteka të rralla private përkarshi librave të botuar gjendeshin dorëshkrime të cilat përmbanin vlera enciklopedike, historike, letrare, etnografike, ku studiues si Karl Patçh, Mis Durhan, Zhusten Godar, Herbert, janë ndeshur me këto materiale etnografike dhe këto ata i përshkruajnë në studimet e tyre. Krijimi i këtyre bibliotekave ishte iniciativë e personave të veçantë privatë, që të shtyrë nga ndenja patriotike vunë në shërbim të kësaj kulture fondet e tyre të librave, ndërtesat e banimit, si dhe derdhën financa. Biblioteka e këtij qyteti detar, në ringritjen e saj në zhegun e verës, më 22 gusht 1946, ka regjistruar si fond themelor bibliotekën private të familjes së njohur Vlora. Kjo pasuri kulturore ishte mbledhur me durim, ishte gjurmuar si bleta nga diplomati Syrja Vlora dhe intelektuali, deputeti dhe diplomati Eqrem bej Vlora. Në vitin 1914, sasia e librave të kësaj biblioteke shënohet aty te 14640 vëllime. Librat ishin në këto gjuhë: latine, arabisht, turqisht, gjermanisht, italisht, greqisht, shqip. Brenda këtij thesari kulturor kishte dorëshkrime të pasura arabe, libra fetarë si Bibla, Kurani. Por librat e familjes Vlora ishin të llojit albano-ballkanologjik, gjendeshin aty dorëshkrime, korrespodencë, ku e veçanta ishte korrespodenca me shkrimtarin Duma. Nga fondi tepër i madh i Vlorajve, në këtë bibliotekë gjendet albanologjia, fondi i kësaj familjeje me rreth 2000 libra të rrallë, që përbëjnë fondin e artë të bibliotekës së Vlorës. “Biblioteka e Arsimtarëve” është biblioteka e parë zyrtare e qytetit detar në pjesën jugperëndimore, ku ndihej era e valëve dhe prushëzimi i historisë. Daton vitin ’37, si kohëlindje shërbyen dy dhoma të godinës së familjes Harxhi. Shtypi i kohës bënë fjalë për 7156 libra fond të kësaj biblioteke. Në gazetën “Jeta e re”, që e kishte syrin e botimit në këtë qytet, intelektualët i shtruan bashkisë kërkesën për të ngritur një bibliotekë publike. Kohë më vonë, kryesisht pas Luftës së Dytë, me fondin ekzistues, atë të Eqrem bej Vlorës, mori formë ky institucion kulturor në këtë qytet. Është pasuruar nga dhurimi i revistave, librave etj. nga patriotë si Ibrahim Shyti, Ali Asllani, Musa Jonuzi, Dr Ali Mihali, Jani Minga, Reis Golemi, Kristo Karbunara, Mateo Matathia, Pepe Zevi, Murat Tërbaçi, Ahmet Muka. Në Ujët e Ftohtë, është shprehur shkrimtari Petro Marko, ishte një bibliotekë e shkollës tregtare. Kurse shtegtimet e bibliotekës kanë një itinerar të zgjatuar duke rënë rreth e kryq e tërthor, qytetit me erën e jodit. Fillimisht në ndërtesën në Ujin e Ftohtë fillojnë lëvizjet, për një transferim tek shkallët e Kuzum Babasë, në lagjen e njohur “Muradie”, tek godina e shtëpisë së Eqerem bej Vlorës. Në vitin 1974 transferohet përsëri nga ajo godinë në ndërtesën e familjes Matathia, ku qëndroi për gati 22 vjet, sepse fondet dhe kërkesat e lexuesve për salla u shtuan. Drejtimi i bibliotekës ka qenë pasurimi dhe përpunimi shkencor i fondit, në mënyrë që krejt kjo pasuri të arshivohej në bazë të teknikës bibliotekare. Theksohet se pasuria e kësaj biblioteke në fillimvitet 1993-’94 shkonte në 120 000 ekzemplarë, pasuri kjo e kulturës shqiptare e asaj botërore. Trashëgimia e saj u ka shërbyer brezave për kulturimin e tyre, pajisjen me dije. Në fondet e kësaj biblioteke qëndrojnë vepra të tilla si enciklopedia italiane, franceze, greke, ruse. Krahas këtyre zënë një vend të rëndësishëm vlerat albanologjike të autorëve botërorë, si Pouqeville, Antonio Baldaci, Justin Godart, Miss Durhami, Gazi Mustafa Kema, Aleksandër Ragkov I, P.Fulvio Cordignano, Giovanna Biasotti, Hobhouse, J.C nga Petro Garzone Senatore, Thiers, Lamartiner, Lebeau. Në këtë fond, një vend të rëndësishëm zënë botimet me vlera shumë të mëdha për Skënderbeun, Ismail Qemalin, flamurin tonë kombëtar, vepra të akademikut Shaban Demiraj, Aleks Buda, nga shkrimtarët tanë Kadare, Agolli, Arapi, Marko, Musaraj, Asllani. Thesarit që disponon biblioteka e Vlorës, kohët e fundit iu shtuan vepra të një rëndësie të veçantë nga Prof. Shaban Demiraj, Nermin Vlora, Renzo Falaski dhe nga fondacioni Soros. Në vitin ’88, më 24 shkurt, bibliotekës së Vlorës, themeluar nga fondi i pasur i Vlorajve, çuditërisht regjimi i kohës i vuri emrin e shkrimtarit vlonjat Shevqet Musaraj, duke lënë në harresë Vlorajt dhe veprën e poetit pushtetar Ali Asllanit, që i kishte kënduar Vlorës. Deputeti i Vlorës Bujar Leskaj e pasuroi këtë bibliotekë me një ndihmë financiare prej 5 milionë lekë dhe 200 libra.

3- Disa të dhëna për personazhet e fotografive të marra nga shtypi.

Princi Vilhelm Vidi arriti në Durrës më 7 mars 1914, në orën 3 pasdite. Rrethet patriotik,e radhët e çifligarëve e pritën me entuziazëm ardhjen e tij. Për kryeqytet të Shqipërisë Princ Vidi zgjodhi pikërisht Durrësin. Më 17 mars, Vidi formoi qeverinë e re shqiptare, në krye me Turhan Pashë Përmetin. Kabineti qeveritar përbëhej: 1. Esat Pashë Toptani - ministër i Luftës dhe i Punëve të Brendshme; 2. Aziz Pashë Vrioni - ministër i Bujqësisë dhe i Tregtisë; 3. Myfit bej Libohova - ministër i Drejtësisë dhe i Kultit; 4. Dr. Mehdi bej Frashëri - ministër i Financave; 5. Hasan Bej Prishtina - ministër i Postë-Telegrafikeve; 6. Dr. Mihal Turtulli - ministër i Arsimit; 7. Prenk Bib Doda - ministër për Punët Botërore.

Regjimi i Vidit u sanksionua nga Statuti Organik i Shqipërisë dhe bazohej kryesisht në vendimet themelore të marra nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, më 29 korrik 1913. Neni1 te Shqipëria: “Principatë kushtetuese e pavarur dhe e trashëgueshme”, nën garancinë e Fuqive të Mëdha. Neni 2: Fuqitë e Mëdha garantonin gjithashtu tërësinë dhe paprekshmërinë e tokave të Shqipërisë në kufijtë që kishin caktuar ato. Neni 3: Shteti shqiptar do të ishte asnjanës dhe kjo asnjanësi garantohej po nga Fuqitë e Mëdha.

Organi legjislativ i Shqipërisë ishte Asambleja Kombëtare. Gjuhë zyrtare dhe e detyruar në shkolla ishte shqipja. Shqipëria ndahej në 7 sanxhaqe (prefektura), të cilat ndaheshin në kaza (nënprefektura) dhe kazatë në nahije (komuna). Princ Vidi u largua nga Shqipëria pas gjashtë muaj qëndrimi, më 3 shtator 1914.

 
NGA GEZIM LLOJDIA  Gazeta Metropol
 

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama