“Destinatorët e aktiviteteve janë bashkitë e përfshira që do të punojnë në individualizimin e
një metodologjie të përbashkët në planifikimin territorial, duke u nisur nga vlerësimi i rrezikshmërisë sizmike të qendrave historike dhe të vulnerabilitetit të ndërtesave që
ndodhen në të”, thotë Bilushi.
Sipas tij, objektivi kryesor është arritja e një integrimi më të madh në planifikimin urbanistik ndërkufitar të rrezikut sizmik të qendrave urbane, me vëmendje të veçantë në ato zona që kanë pasur edhe më parë raste tërmetesh ose që kanë rrezikshmëri të lartë, duke promovuar një administrim korrekt të territorit nëpërmjet mbrojtjes së strukturës urbane të qendrave historike, të pasurisë arkitektonike dhe historike lokale në zonat me rrezik të lartë sizmik.
“Në këtë projekt kanë marrë pjesë anëtarët e grupit tekniko-shkencor, grupet e kërkimit, specialistë dhe 8 studentë të Institutit “Fazzini-Mercantini” në Grottammare (Itali). Gjatë fazës së parë janë hedhur në mënyrë të detajuar, duke përdorur edhe teknologjitë më fundit, mbi 1200 ndërtesa të qendrës historike të Gjirokastrës nga katër grupe pune, të përbërë nga 6 persona”, pohon koordinatori i projektit “TRANSISMIC”, duke shtuar se “materialet e mbledhura gjatë rilevimit do elaborohen nga studiot e profesionistëve italianë që bashkëpunojnë për këtë projekt”.
Gjithashtu, Bilushi theksoi se në këtë projekt do të angazhohen edhe disa ekspertë me famë ndërkombëtare, të cilët janë treguar të gatshëm të mbështetësin shkencërisht këtë projekt të rëndësishëm për dy qytetet historike: Grottammares (Itali) dhe Gjirokastrës.
Edi Molla : Gazeta Metropol











