"Shoqëria moderne dhe njeriu i lakuar", është një sukses i autorit, është më saktë, një thellim i shkallës së tij të njohjes, studimit dhe interpretimit të dukurive sociale. Ai dallohet për trajtim të thelluar të ideve, prirjeve, shkaqeve që determinojnë shfaqjen e "sëmundjeve sociale". Nga faqja e parë deri në fund, libri është "dëshmi" e punës serioze, e aftësisë teorike, analitike dhe empirike të autorit, për të njohur, perceptuar, interpretuar dhe natyrisht edhe për të shkruar me kulturë, për "fenomenet" e shoqërisë tonë, të interpretuara përmes një konteksti dhe përgjithësimi të fuqishëm teorik. Koncepti i "njeriut të lakuar", të cilin autori e ka bërë temë qendrore të librit, ndihmon për të kuptuar realitetet e reja të shoqërisë dhe njeriut real, që nuk është më "drejtvizor dhe i njëtrajtshëm", tek i cili nuk mund të ndikohet më me slogane e gënjeshtra, nuk mund të ndërhyhet me "parime njutoniane", por "anshtajniane". Kjo temë nuk është temë vetëm e librit të Gëzim Tushit. Ai tashmë është bërë objekt i diskutimit elitar në sociologjinë dhe shkencat e sotme sociale.
Njeriu modern është bërë qenie e komplikuar, i vështirë, i befasishëm, i paqëndrueshëm, i paparashikuar. Tek ai gjenden të koncentruara tipare dhe veçori të një personaliteti të vështirë, "dikotomik", në të janë sintetizuara tipare e veçori kontradiktore. Në thelbin e tij është "e mira" dhe "e keqja", aty brenda në "qenien" e tij bashkëjeton humanisti dhe egoisti, shoqërori dhe asociali, narcisti dhe altruisti, konkurrenti dhe smiranjozi, i ndershmi dhe batakçiu, pesimisti dhe optimisti, njeriu i lidhur me "martesën monogamike", por edhe me "lidhje seksuale poligamike" të paralelizuar me martesën, punëtori dhe vanitozi, i "orientuari" dhe i "çorodituri", prindi i mirë që di të luajë "rolin" e tij dhe ai që braktis fëmijët dhe prindërit e tij të moshuar në rrugë të madhe, që bën jetë profesionale korrekte, por dhe që është nën ndikimin e lëndëve psikotrope çoroditëse, si droga dhe alkooli. Lexuesi ka mundësi të vlerësojë jo vetëm librin, por dhe cilësinë e instrumentit njohës, veçoritë e "teleskopit sociologjik" të Gëzim Tushit, i cili ka mundësuar që të intervenojë, nga "distancat sociale" deri në "skutat e njeriut", nga hapësirat konfliktuale të shoqërisë, në botën shpirtërore të individit.
Nga Gazeta Shqip











