Gjermanet tashme me te dashur me te huajt

Gjermanët, tashmë më të dashur me të huajt
Ide të tilla, si ato të krijimit të “shoqërive paralele”, të “ndërtimit të xhamive” apo të kriminalitetit në radhët e të rinjve me prejardhje të huaj, duket se po ndikojnë gjithnjë e më pak në opionionin social gjerman. Këto janë të dhënat e një anketimi të institutit për demoskopinë “Allensbach”. Sipas këtyre të dhënave, në Gjermani numri i atyre që kanë frikë prej emigrantëve vazhdon të jetë i madh, por nga ana tjetër po shtohet edhe numri i atyre që e konsiderojnë pluralizmin dhe diversitetin kulturor si diçka pozitive. Në krahasim me vitin 1984, sot numri i atyre që mendojnë se ardhja e të huajve e dëmton Gjermaninë ka rënë nga 79 në 53 për qind. Kjo e dhënë bëhet edhe më interesante po të mendojmë se në të njëjtën periudhë numri i të huajve që jetojnë në Gjermani është rritur nga 4,4 në 7,3 milionë.

Dr. Edgar Piel, një nga hartuesit e studimit sqaron: “Ndonjëherë, numri më i madh i të huajve çon në shtimin e kontakteve dhe besoj se me këtë fenomen kemi të bëjmë në këtë rast, pra kemi më tepër kontakte mes të huajve dhe gjermanëve, gjë që ka çuar në uljen e paragjykimeve. Përvoja e përbashkët dhe e drejtpërdrejtë ka bërë që sot të ndeshemi më rrallë me paragjykime negative krahasuar me para 20 vjetësh. “Edhe pse shoqëria gjermane nuk karakterizohet nga ndonjë qëndrim në thelb racist, të dhënat e anketimit të institutit “Allensbach” tregojnë një rezervë të qartë ndaj emigrantëve turq. Shumica e të anketuarve janë të mendimit se në shumë gjëra turqit mendojnë krejtësisht ndryshe nga gjermanët. Në këtë pikë duket se gjatë viteve të fundit kanë ndryshuar shumë pak gjëra. Megjithatë, turqit karakterizohen si mikpritës dhe të gatshëm për të ndihmuar. Sipas të dhënave të anketimit, në Gjermani është shtuar qartë numri i gjermanëve që kanë miqësi me emigrantë apo të huaj të tjerë që jetojnë në vend. Nga ana tjetër, sipas anketimit në fjalë, në krahasim me të dhënat e anketimit të vitit 1997 është shtuar me 20 për qind numri i atyre që mendojnë se përqindja e madhe e të huajve nëpër shkolla sjell me vete probleme të mëdha. Por në një pikë duket se gjermanët janë të gjithë të një mendjeje. 97 për qind e të anketuarve ishin të të njëjtit mendim, se ata të huaj që duan të jetojnë për një kohë të gjatë apo përgjithmonë në Gjermani, duhet të mësojnë gjuhën gjermane. Shqetësues është fakti se 44 për qind e të anketuarve kanë përshtypjen se të huajt kanë diçka kundër gjermanëve. Sipas Edgar Piel, kjo lidhet me efektin që shkaktojnë mediat bulevardeske duke botuar lajme të tilla, si p.sh. „...një i huaj, që u kap nga policia se po qëndronte ilegalisht në Gjermani, paska thënë se i urren gjermanët”. Si përfundim mund të thuhet se përfytyrimi dhe mendimi që kanë gjermanët për të huajt nuk është pa tjetër më pozitiv se në vitet e mëparshme, por se këto bazohen më tepër në përvojën individuale dhe më pak te paragjykimet dhe klishetë.

(D.W.)

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama