Tanimë objektet ndodhen në Laboratorin e Konservimit dhe Arkeometrisë për tu restauruar dhe nuk është punë e lehtë. Shefi i Laboratorit, Frederik Stamati, thotë se është një nga rastet më të vështira të paraqitura në laborator, pasi dëmtimi është i avancuar dhe kërkon shumë punë e durim. Procesi i korozionit ka qenë shumë i fuqishëm nën tokë dhe ka shkaktuar edhe copëtimin e objektit. Ajo çka ka dalë në dritë deri tani është tepër interesante për restauratorin. Ai veçon unazat.
Njëra ka një gem blu ku dallohet edhe një motiv. Syri i pastërvitur i një njeriu të zakonshëm e ka të vështirë të dallojë se çfarë ravijëzohet aty, por restauratori e ka krejt të qartë. Vendos lupën zmadhuese mbi gem dhe mund të dallosh figurën e një femre të ulur mbi një fron, apo shtrat. "Është një motiv i njohur që vjen nga mitologjia. Është tepër i përdorur, por nuk mund të them me saktësi se çfarë simboli është", - thotë Stamati. (Në mitologjinë greke, figura e Demetrës, perëndeshës së bujqësisë, rilindjes së natyrës jepet shpesh e ulur në fron.)
Në serinë e unazave janë edhe 3 të tjera, gurët e të cilave nuk gjenden. Por gjatë zbulimit dolën edhe disa xhama të thyer, të cilët sipas Stamatit mund të jenë pjesë e gemave që mungojnë. "Do të shfrytëzojmë gjithë përvojën e fituar gjatë restaurimit të diademës së Kamenicës, por nuk do të jetë e lehtë", - thotë Stamati. Kjo duke marrë parasysh faktin që analizat e qelqit nuk janë pika më e fortë e këtij laboratori. Për të saktësuar përbërjen e gemit (në është qelq a smalt) dhe motivin mbi të. Shefi i Laboratorit thotë se ky është i pari studim i këtij lloji në Shqipëri dhe do të realizohet në bashkëpunim me specialistë sllovenë të qelqit mesjetar.
Jo më pak interesante paraqiten edhe objektet e tjera, herë të thjeshta e herë me motive. Përveç materialit bazë që është bronzi, gjatë analizave parapake të fibulave u zbulua një përzierje materialesh si zink, bakër, plumb e kallaj. Ekzistenca e kallajit, sipas Stamatit, është një rast i rrallë për objektet e kësaj periudhe. Ky përbërës është gjetur vetëm në pak objekte të zbuluara në Shqipëri e që i përkasin periudhës së Mesjetës. "Këto rezultate na hapin një punë të madhe përpara. Duhet të studiojmë "industrinë" metalurgjike të kohës", - vazhdon restauratori. Por në kushtet e reformës, nuk do të jetë edhe aq e thjeshtë. Tashmë Laboratori i Arkeometrisë dhe Konservimit pranë Institutit të Kulturës Popullore, tanimë pjesë e Qendrës së Studimeve Albanologjike, ka mbetur vetëm me dy punonjës. Se cila do të jetë e ardhmja e laboratorit ende nuk dihet. Thuhet se do të shqyrtohet në të ardhmen. Megjithatë puna vazhdon. Pas restaurimit të objekteve, thesari do të kthehet në Apoloni, për tu ekspozuar në muze.
Ai veçon unazat. Njëra ka një gem blu ku dallohet edhe një motiv. Mbi gemmund të dallosh figurën e një femre të ulur mbi një fron, apo shtrat.
Ky është i pari studim i këtij lloji në Shqipëri dhe do të realizohet në bashkëpunim me specialistë sllovenë të qelqit mesjetar
Alma Mile : Gazeta Shekulli











