“Bardhesia” e folklori korcar vjen ne Tirane

“Bardhësia” e folklori korçar vjen në Tiranë
Ansambli i Këngëve dhe i Valleve Popullore me orkestrën, valltarët dhe këngëtarët e tij ka ditë që ka nisur provat në ambientet e TKOB për koncertin “Dëbora zbardhi përreth”, i cili kësaj radhe me “dëborën” e tij do të zbresë këto ditë të pranverës në kryeqytetin shqiptar.Në këtë koncert do të interpretohen elementët më të larmishëm të folklorit korçar që do të sjellin një koncert të mrekullueshëm në skenën operistike shqiptare. Për këtë koncert u shpreh pak ditë më parë edhe drejtuesja e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore Leja Agolli, e cila e cilësoi këtë aktivitet shumë të rëndësishëm, por gjithashtu edhe të pasur nga repertori që do të përmbajë. Përveçse larmishmërisë folklorike koncerti do të sjellë në Tiranë edhe artistë korçarë që janë tashmë të njohur me aktivitetin e tyre.

Kështu sipas drejtuese së Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore Lejla Agolli zëra të talentuar të këngës korçare do të vijnë që të përshëndesin këtë aktivitet, të cilët me interpretimet e tyre do t’ia shtojnë larminë koncertit. “Në këtë koncert përkrah artistëve të Ansamblit që janë orkestruesit, valltarët dhe këngëtarët do të vijnë të këndojnë edhe këngëtarë të njohur korçarë si: Afërdita Zonja, Laxarela, vëllezërit korçarë etj. Ky aktivitet është në vijimësinë e aktiviteteve që do të zhvillohen nga Ansambli, i cili gjatë këtyre kohëve ka zhvilluar një sërë koncertesh, duke shpalosur traditën, kulturën dhe folklorin shqiptar”, theksoi Agolli. Por emrat më të talentuar të Ansamblit Popullor do të jenë kësaj radhe vetëm me interpretime të krahinës së Korçës, e cila tashmë njihet për traditën e saj folklorike. Artistë të talentuar emra të njohur të këngës dhe valles popullore shqiptare do të jenë në skenë për të përcjellë dhe kënaqur artdashësit me vlerat e folklorit korçar.

Me interpretimet e tyre në skenë do të jenë emra të njohur të Ansamblit Popullor të cilët me vallet dhe këngët korçare ne koncertin titulluar “Dëbora zbardhi përreth” do të sjellin freskinë pranverore këto ditë të muajt mars në kryeqytetin shqiptar. Për Lejla Agollin gjatë këtij vitit do të ngjiten në skenë shumë koncerte dhe recitale të tjera që do t’ia shtojnë gjallërinë Ansamblit. Sipas saj gjatë këtij viti do të jenë me recitalet e tyre emra të spikatur të artistëve shqiptarë.

Mund të përmendim se për artdashësit do të prezantohen koncerte të ndryshme me solistët si Irini Qirjako, Sabahete Vishnja, recitali i kërcimtarit Gëzim Alimehmeti, është një projekt i valltarit Genc Kastrati, i cili është edhe solist dhe koreograf në këtë koncert që do të jetë plot me krijimtari të re dhe koreografi të re. Tjetër projekt është i valltarit Rexhep Çelikut me numra solistikë.

Të gjitha këto projekte janë të programuar për gjatë gjithë vitit. Ansambli i Këngëve dhe i Valleve Popullore sot mund të quhet një mozaik i artit shqiptar, por edhe ruajtës i traditës dhe vlerave tona kulturore kombëtare. Ansambli, është i vetmi që propagandon për artin dhe kulturën e pastër shqiptare në botë. Ai është një formacion kombëtar kulturor që ka bërë emrin e vet ndër vite. Artistët e tij janë artistë profesionistë dhe është i vetmi institucion shqiptar që flet shqip nga fillimi në mbarim. 

Marre nga : Gazeta Sot

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama