Kulmi i çatisë është rrënuar krejt, po kështu edhe ambientet e brendshme, mes tyre edhe salla ku u mbajt kongresi historik. Por duket se i ka ardhur fundi indiferencës së qeverisë maqedonase. Për restaurimin e kësaj ndërtese historike, shteti maqedonas akordoi 14 milionë dinarë. Drejtori i Trashëgimisë kulturore në Maqedoni, Pasko Kuzman, tha për “Shekullin” se “është hapur tenderi dhe më datën 19 mars shpallet firma fituese, e cila do të kryejë restaurimin e ndërtesës dhe ambienteve të brendshme”. Për të justifikuar harresën dhe gjendjen e mjerueshme të ndërtesës, thotë se vetëm tani u siguruan fondet dhe do të bëhet restaurimi. “Nuk i ndajmë monumentet kulturore mbi baza etnike”, - thotë Kuzman. Ai thotë se është ngarkuar nga ministri i Kulturës së Maqedonisë, Arifikmet Xhemali që të ndjekë vetë punimet me prioritet. Të gjitha punimet do të përfundojnë deri në muajin tetor dhe në muajin nëntor ndërtesa historike e Alfabetit shqip do të jetë gati për ceremoninë zyrtare me rastin e 100- vjetorit të Kongresit të Manastirit, i cili pritet që të festohet me madhështi. Por sipas Kuzman kjo ndërtesë historike gjatë kësaj kohe ka për të zgjidhur një problem juridik. “Ish- kryetari i komunës së Manastirit ka blerë për biznesin e tij katin e parë të ndërtesës, por shumë shpejt edhe kjo do të zgjidhet, pasi shteti do ta dëmshpërblejë pronarin dhe ndërtesës do t’i kthehet funksioni i dikurshëm”, - thotë ai. Manastiri, historikisht i banuar me shqiptarë ka provuar disa herë përndjekjen maqedone. Shqiptarët e Manastirit kujtojnë shpërnguljet masive të viteve ’50, ku pas një operacioni të tmerrshëm u dëbuan forcërisht nga ky qytet rreth 30 mijë shqiptarë si pasojë e brutalitetit sllavo-maqedonas, për të ikur në drejtim të Turqisë.
Në vend të tyre u sollën maqedonas nga zona të tjera, duke i konsideruar shqiptarët si pakicë në Manastirin e stërgjyshërve të tyre. Në vitin 2001 në një lagje shqiptare të Manastirit përsëriti të njëtin brutalitet dhe dhunë ndaj shqiptarëve. Sipas statistikës zyrtare u dogjën dhe u shkatërruan mbi 110 shtëpi e dyqane të shqiptarëve si dhe iu vu flaka dy xhamive të qytetit në lagjen shqiptare .
Por, për herë të parë gjatë këtij jubileu të 100- vjetorit të Kongresit të Manastirit, i cili do të festohet në muajin nëntor të këtij viti është ngritur një komision i posaçëm me pjesëmarrës nga Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova. Ministri i Arsimit të Maqedonisë, Sulejman Rushiti, ka bërë përzgjedhjen e komisionit të Maqedonisë, i cili përbëhet nga shefi i kabinetit të ministrit të Arsimit të Maqedonisë, Feuzi Xhaferi, këshilltari shtetëror Isamedin Azizi, drejtorja e Institutit “Pjetër Bogdani” në Shkup, Mirushe Hoxha, anëtari i komisionit qeveritar për festat jubilare Veton Ibrahimi, si dhe këshilltari i ministrit të Kulturës së Maqedonisë, Neriman Ademi. Pritet lista e anëtarve të komisionit nga Kosova dhe nga Shqipëria, të cilët do të programojnë gjithçka që nga sesionet shkencore, simpoziumet dhe mbledhja soleme. Sipas organizatorëve do të festohet si asnjëherë tjetër me madhështi ky jubile i 100- vjetorit të alfabetit shqip.
Bardhyl Berberi : Gazeta Shekulli