Ata cituan në Deklaratën e Pavarësisë liritë e mishëruara në “Magna Carta” sikurse ato të ndaluara nga Mbreti Xhorxh III. Të drejtat që populli britanik arriti të fitojë nga Mbreti John dhe pasardhësit e tij reflektohen në 10 amendamentet e para të Kushtetutës, të përmbledhura në Kartën e të Drejtave”, - thotë Ëeinstein. Bëhet fjalë pikërisht për pesë amendamentet që përcaktojnë procedurat penale. Këto amendamente përfshijnë të drejtën e një gjyqi të shpejtë nga një juri e paanshme, mbrojtjen nga gjobat e larta dhe ndëshkimet e pazakonta e çnjerëzore, si dhe garancinë që “asnjë personi nuk duhet t’i hiqet forcërisht e drejta e jetës, lirisë apo e pronës, pa kaluar përmes një procesi të ligjshëm”. Arkiva Kombëtare nuk e kishte në pronësi kopjen e “Kartës së Madhe” që kishte ekspozuar. Ajo e kishte marrë hua një kopje të saj nga miliarderi dhe kandidati i dikurshëm për president Ross Perot. Shtatorin e kaluar, Perot vendosi që ta shiste atë te blerësi më i shtrenjtë që i ofrohej. "Dikush më tha se ndoshta “Magna Karta” mund të blihej nga dikush që mund ta çonte jashtë Shteteve të Bashkuara, kështu që vendosa të përpiqesha ta blija “Magna Kartën” mbrëmjen tjetër në një ankand dhe ia dola me sukses”. David Rubenstain, drejtues i një firme në Uashington, tha se ishte mjaft e rëndësishme për të që “Magna Karta” të ekspozohej në Arkivin Kombëtar, ku çdokush mund ta shohë atë. Kjo ishte, - thotë ai, - mënyra e tij për të treguar vlerësimin e tij ndaj vendit që ishte treguar aq i mirë me të: “Prindërit e mi ishin punëtorë, jo të shkolluar. Unë shkova në kolegj dhe studiova për drejtësi. Kjo ishte e vetmja mënyrë që unë t’ia dilja dhe prindërit e mi janë krenarë që e realizova këtë. Ata mendojnë se pikërisht këtë duhet të bëjnë njerëzit që kanë mundësi financiare, të kompensojnë në këtë mënyrë komunitetin e tyre. Por kur unë isha i ri nuk i kisha mundësitë”. Zoti Rubenstein ofroi 21 milionë dollarë në ankand. Kopja e shkruar me dorë e “Magna Kartës”, e cila daton në vitin 1297, është versioni final i shumë varianteve që qarkullonin në shekullin XIII.
Ross Perot e bleu në vitin 1984 nga një familje britanike, e cila e zotëronte atë prej shekujsh. Perot pagoi vetëm 1.5 milionë dollarë, gjë që e bëri blerjen e “Magna Kartës” një investim të mirë për të. Por David Rubenstein thotë se nuk ishte kjo arsyeja se përse ai e bleu “Magna Kartën”: “Kam marrë qinda e qindra letra nga njerëz anembanë Amerikës dhe botës, të cilët më shkruajnë se nuk e kishin parë “Magna Kartën” dhe tani ata e dinë se kanë një mundësi që ta shohin atë së bashku me fëmijët e tyre. Ky është fitimi që unë marr nga investimi im”. Zoti Rubestein e riktheu Magna Cartën në Arkivin Kombëtar më 3 mars kundrejt një huaje të përhershme. Duke nisur nga 12 marsi, publiku dhe një herë do të ketë mundësinë të shohë “Magna kartën” krahas dokumenteve të tjera të historisë amerikane që u frymëzuan prej saj.
(VOA)











