Kisha Ortodokse e Fan Nolit ne Amerike feston 100-vjetorin

Kisha Ortodokse e Fan Nolit në Amerikë feston 100-vjetorin

Dje, në Kishën e Shën Gjergjit në Boston, në prani të besimtarëve dhe klerikëve ortodoksë edhe nga Shqipëria, u zhvilluan ceremoni të posaçme në kuadër të 100-vjetorit të liturgjisë së parë ortodokse në gjuhën shqipe, ngjarje që përkon edhe me 100-vjetorin e dorëzimit të Fan Nolit si prift dhe kryepeshkop i Kishës Autoqefale të shqiptarëve të Amerikës. Fillimi i shekullit XX e deri në gjysmën e tij mund të thuhet se ka qenë një prej periudhave më dinamike të historisë shqiptare, veçanërisht të shqiptarëve të Amerikës. “Sa shumë punë në kaq pak kohë”, mund të thuhet për këtë periudhë, ku një nga figurat më të spikatura ishte ajo e Fan Nolit. Historianë që kanë arritur të zbardhin thuajse të gjithë veprimtarinë e Fan Nolit në Amerikë shprehen të mahnitur sa herë që flasin mbi jetën e këtij atdhetari. Dhe energjitë fizike të Nolit sikur përputhen plotësisht me fuqinë shpirtërore, mendore dhe intelektin e tij. Ai ishte aktor, mësues, përkthyes, poet, shkrimtar, parlamentar, politikan, shtetar, muzikolog, historian, teolog e, mbi të gjitha, atdhetar.

Fan Noli erdhi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1906 dhe menjëherë u regjistrua në shkollën e natës për mësimin e anglishtes, gjuhë për të cilën kishte njohuri, por kërkonte ta perfeksiononte. Kjo këmbëngulje do të shpërblehej vite më vonë, kur personalitete të kulturës botërore do ta cilësonin si një përkthyes të përsosur e njohës të anglishtes së Shekspirit; apo muzikolog i thellë dhe ekspert i Bethovenit ose historian i klasit të parë mbi Skënderbeun. Gjatë kësaj periudhe disavjeçare, Fan Noli kreu punë të ndryshme edhe të rëndomta, si punëtor fabrike e sharrëxhi. Dhe prapëseprapë, ndërsa punonte natën në punishte dhe mezi flinte ditën, Noli krijoi shoqatën atdhetare “Besa-Besë” në janar 1907. Në shkurt të vitit 1909, ai filloi të botojë gazetën “Dielli”. Dhe midis këtyre dy viteve, më 1908, pas ecejakeve të mundimshme nga Bostoni në Nju Jork për të siguruar përkrahje, Noli gjeti kohën dhe fuqinë për themelimin e Kishës Ortodokse Autoqefale, ndoshta krijesa e tij më e rëndësishme përsa i përket çështjes kombëtare shqiptare.

Më 1908-n, ky njeri shtatpakët, por me vullnet dhe etje për dije, jo vetëm për vete, u regjistrua në Universitetin e Harvardit ku u diplomua pas katër vjetësh, më 1912. Ndërsa në prill të po atij viti, në hollin e kishës së themeluar dhe kryesuar nga Noli, shqiptarë të krishterë e myslimanë u mblodhën për të krijuar “Vatrën”, federatën mbarëshqiptare të Amerikës. Pas një periudhe plot ngjarje të stuhishme në krijimtari e politikë, më 1938-n Fan Noli diplomohet nga Konservatori i Nju Englandit. Shtatë vjet më vonë, më 1945-n, ai mori titullin “Profesor doktor i shkencave historike” nga Universiteti i Bostonit, ndërsa në vitin 1947 doli nga shtypi në anglisht “Historia e Skënderbeut”, ndoshta një nga monografitë më të cituara nga studiuesit vendas e të huaj pas veprës së Barletit mbi heroin kombëtar shqiptar. Që nga fillimi i shekullit të kaluar kanë ndodhur shumë ngjarje që kanë ndikuar edhe mbi veprat apo krijimet e Nolit. Për shembull, shoqata “Besa-Besë” sot është histori, por gazeta “Dielli” vazhdon të botohet, megjithëse rrallë e në pak kopje për arsye që dihen. “Vatra” e pashuar, por jo e ndezur, përpiqet të ruajë atë ngrohtësinë e kahershme. Ndërsa shkrimet e Nolit, krijime a përkthime, shumë herë të ribotuara, vazhdojnë të cilësohen të pashoqe. Gjithashtu, Kisha Ortodokse e shqiptarëve të Amerikës sot renditet mes institucioneve simotra në hemisferën perëndimore, si një entitet i pavarur fetar ortodoks shqiptarësh krenarë në mërgim. Dhe së fundi, por jo e fundit për nga rëndësia, arritja kryesore e këtyre viteve është figura e vetë Nolit, e cila zmadhohet sa më shumë kalon koha, duke u bërë gjithnjë e më shumë pjesë e gojëdhënave dhe legjendave shqiptare.

(VOA)


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama