Fshikullimi fin i diktatures staliniste

Fshikullimi fin i diktaturës staliniste

Derisa romani “Përroi i Andrrës” është më shumë një prozë e realizmit magjik, ku romanizohen besime, bindje, paragjykime, përjetime të larmishme rreth togfjalëshit që përthekon emërvendin Përroi i Andrrës, domethënies që ai fiton në jetët e banorëve të asaj ane, duke marrë shpesh tipare të një qenie mitike, romani “Tri motrat në një qytet” zgjedh një temë të re, temën e diktaturës totalitare, staliniste, të cilën e trajton fare natyrshëm, duke ndriçuar mekanizmin e veprimit të saj mbi fatin e individit dhe të shoqërisë nga kënde të ndryshme.

Ekspozicioni, që në të vërtetë është shthurja e veprimit të romanit, fillon me vendosjen e tri motrave Lisi: Flakës, Vesës dhe Jehonës në Kukës, ku priten në zyrat e Këshillit Popullor, nëpunësit e të cilave i vendosin për pak kohë në hotel “Përparimi”. Pas këtij takimi formal, Flaka, si më e shqetësuara prej tyre, pyet sportelistin e hotelit, Rrok Hila, se ku është Shtëpia e Zotit në atë qytet. Përgjigjja e tij është e thjeshtë: “I kemi prishë krejt.... Jo vetëm në qytet... Kahmos”.

Nënteksti si tipar i prozës moderne

Me një fjalë, nëpërmjet Rrok Hilës me emër e mbiemër të krishterë, që tash mbron ateizmin, “fenë” e vetme zyrtare në Shqipëri, si dhe Këshillit Popullor, autori vetëm sugjeron konturet e sistemit totalitar, duke i lënë çdo gjë nëntekstit, si një tipari thelbësor të prozës moderne.

Ky procedim ndiqet edhe në paragrafin: (...) po zhyteshin në një mjegullnajë të pakuptim: as dritë, as terr, por që kujtdo që mund të zhytej në të, mund t’i sillte me lehtësinë më të madhe një si përzierje në tru. Por, edhe më domethënëse është ngrija në trup dhe në shpirt, që kaplon tri motrat, të cilën e paralajmëron Flaka, pas kthimit nga bredhëritjet pa krye që me natë rrugëve të qytetit, të cilat sikur theksojnë shqetësimin e shkaktuar nga parandjenjat e fatkeqësisë që do t’i katandisë. Për këtë arsye ne shohim në të një modelim të profeteshës, të Kasandrës.

“Ngrija” do të vazhdojë edhe në hotel “Përparimi”: ftohtë, vetëm ftohtë, një bujtinë e pikërruar prej të ftohtit... Ngrija shtrihej kudo.

Pas Rrok Hilës, Vesa takohet edhe me një shitës, i cili, në pyetjen e saj për të blerë dy paketa cigare, i përgjigjet: -Kemi vetëm “Partizani”, duke theksuar se (...) Ju, të huajt, s’i keni qejf cigaret “Partizani” dhe kur ajo ngulmon se nuk janë të huaj, ai sikur flet me vete: “Kështu na kanë thënë sot në mëngjes... Jo vetëm në mëngjes, por na e kanë përsëritur sot e gjithë ditën”.

Është kjo vetëm një nga format e shpëlarjes së trurit ushtruar nga diktatura komuniste, e cila, duke i mbajtur njerëzit pezull, as në tokë, as në qiell, siç shprehet autori, sikur ngjall te ta njëlloj mazokizmi, njëlloj vetëdëshire për të rrënuar çdo gjë jetësore, duke humbur madje edhe buzëqeshjen dhe vullnetin për jetë: heroina Flaka ka dëshirë ta bëjnë qentë copë-copë mishin e saj vetëm e vetëm të mos vazhdojë më kjo gjendje ankthi e tmerri.

Pas këtij qëndrimi, në të parë të qetë, fillon periudha e kërcënimeve, e shpifjeve, e akuzave e trillimeve, që nis me konstatimin e sportelistit Rrok Hila: - Po lëviz si tepër!, që i drejton tri herë Flakës. Çuditërisht kjo fjali përkon edhe me fillimin e akuzave për Demaçin, por në formën “Po flet tepër!”. Kjo pse për sistemet diktatoriale, si dje, si sot, çdo gjë që nuk është e njëtrajtshme, uniforme, është frikësuese, tronditëse, sepse mund të ndërrojë rendin e vendosur nga frika, që ngrin, paralizon çdo sjellje të lirë njerëzore.

Struktura kompozicionale e romanit

Sikur thamë më parë, romani fillon me shthurjen e veprimit, kurse ekspozicioni a paraqitja e veprimit nis me arratisjen e Can Lisit në një natë me hënë të plotë, kur mendohej se nuk kishte guxim të arratisej njeri nga syçeltësia e madhe e rojave të kufirit (f. 24-29). Pas merret vesh lajmi për arratisjen e Can Lisit, fshati rrethohet nga ushtarët dhe prindërve të tij u kumtohet nga inspektori politik se tash e tutje do të jenë dhe ata nën mbikëqyrje. Megjithatë, pas një kohe, kur më nuk mbikëqyreshin, edhe ata ia dalin të arratisen dhe t’i bashkohen të birit në Melburne të Australisë. Atje Cani martohet me Zojë Gjinin dhe gjejnë fëmijët: Jetonin, Vesën, Flakën dhe Jehonën. Jetoni, pasi mbaron gjimnazin, meqenëse në shtëpinë e tyre flitej vetëm shqip, i prirë, mbase dhe nga motive patriotike, dëshiron të mbarojë mjekësinë në Shqipëri, pavarësisht se i ati nuk pajtohet, madje e kërcënon se po e çel me dorë të vet derën e ferrit. Pasi arrin në Shqipëri, kalojnë mbi gjashtë muaj dhe familja nuk merr letra prej tij, ndaj dhe motrat, që kanë dashuri më të madhe për vëllanë se për vetë jetën, vendosin të shkojnë në Shqipëri dhe të mësojnë për fatin e tij. Në këtë udhë u bashkohet edhe e ëma, Zoja, sado që Cani edhe ato i këshillon të mos e çelin derën e ferrit. Sistemohen në hotel “Drini” në Tiranë nga nëpunësit e Ministrisë së Brendshme. Të nesërmen i ftojnë në Ministrinë e Brendshme dhe u kumtojnë se Jetoni ndodhej në spital, meqenëse ishte lodhur nga studimet dhe kishte nevojë për qetësi të plotë. Pra, deri në këtë paragraf kemi thurjen e veprimit, i cili arrin kulmin, kur mësojnë se Jetoni ndodhej në Spitalin e të Çmendurve. Takimi me të dhe ulërimat e tij bëjnë që përsëri të sundojë ngrija, sidomos kur e shohin në ç’gjendje ishte katandisur. Me gjithë lutjet e tyre që ta merrnin jetonin për ta mjekuar në Melburne, mjekët kundërshtojnë, duke pohuar se ai mund të shërohej vetëm në këtë spital dhe askund tjetër. Ato vendosin të rrinë në Tiranë, por pas shtatë ditëve u grisin letërnjoftimet me arsyetim se kishin pasur lejeqëndrim vetëm për pesë ditë dhe i pajisin me letërnjoftime shqiptare. Pas kësaj kohe i shpërngulin në Kukës, duke u kujtuar se ato qenë të bijat e një arratisësh, që kishte shkuar në ferrin kapitalist. Në ankimin e tyre se i ati i tyre ishte arratisur, kur ato as që kishin lindur, një zyrtar ua kthen me egërti “-Kishit lindë a s’kishit lindë, jeni bijat e Can Lisit!”

Thurjes së veprimit i takon edhe kapitulli 11, ku përshkruhet mallëngjimi i motrave në Melburne për të vëllanë në Tiranë, sidomos gjatë festës së Kërshnellave. Ndezja e një qiri nga Jehona, më e vogla, dhe lutja e saj për shpirtin e të vëllait, që shoqërohet më vonë nga Flaka, sikur është një paralajmërim i kobit të mëvonshëm. Vëmendjen tërheq edhe një element i mrekullisë, që përjeton Jehona: “Sytë e Flakës dhe të Vesës nxirrnin dritë si të ndriçuesve të urës... Si zjarre që nuk shuheshin...”

Ekskomunikimi i tri motrave

Me ardhjen e tyre në qytet, fillon edhe procesi i ekskomunikimit të tyre nga shoqëria. Ky ekskomunikim fillon me përhapjen e lajmit të rremë se duhej të ruheshin prej tri motrave flokëverdha më tepër se prej gjarprit, se ato ndrynin njëlloj zezone që mund të rroposte cilindo. Po ashtu flitej se hijeshia e tyre mund t’i vriste të rinjtë e qytetit, se mund t’i bënte me dhimbje në tru etj.

Të shtrënguara nga ekskomunikimi i përgjithshëm, ato shkojnë në Zyrën e Kuadrit për të kërkuar punë. Jehonën, më të voglën, që kishte ndjekur klasën e tetë, e kthejnë në klasë të shtatë; Flakën, që ishte një piktore dhe njihte anglishten dhe që kërkon të japë anglisht dhe pikturë, e çojnë në fabrikën e tullave, punëtore në ngarkim-shkarkim dhe Vesën, më të madhen, teknike e ndërtimit, e çojnë në kantierin e qytetit të ri, që kishte filluar të ndërtohej, si punëtore të thjeshtë.

Përpjekjet e tyre për t’u ambientuar, sidomos përpjekja e Flakës, që zë të bëjë emër si notare e shkathtë, marrin fund si mos më keq. Mbytja e Egzon Drinit, që hidhet nga Ura e Drinit të Zi dhe dështimi i Vesës për ta shpëtuar dhe bindja e të gjithëve se po të ndodhej aty Flaka, Egzoni do të shpëtonte, bëjnë që punëtorët e sigurimit, Mir Lala dhe Lad Gjini ta zhveshin në mes të lumit me qëllim që të njollosin imazhin e mirë që kishte filluar të krijohej për të. Madje, këtë akt pothuajse kriminal e shoqërojnë me sharjet: “Shkërdhatë! Putanë e huaj!”

Me interes është legjenda për gruan e ve 22-vjeçe, së cilës i vdiq fëmija motak, meqenëse nuk mund ta ushqente. Ajo u zhyt pastaj, aty ku merrte frymë Drini i Madh dhe kur del në krye të ujanës, shndërrohet në qyqe. Më pas kalon nëpër degët e pemëve dhe bën “Ku-ku, ku-ku!’. Megjithëse është kjo një përpjekje për të ndriçuar etimologjinë popullore rreth emërvendit Kukës, megjithatë ndërthuret me shumë sukses në nëntekstin e romanit, duke i mëshuar kështu më shumë zërit për një mjedis të vetmuar, të izoluar, gjëmëmadh.

Të lidhura ngushtë me legjendën për emërvendin e Kukësit janë dhe rrëfenjat për Bardh Drinin, të atin e Egzonit, që hap varrin pranë të birit, motiv ky që do të gjejë një shprehje më të plotë në romanin e tij më të ri “Njeriu që kujdesej për varrin e vet”, fragmente të të cilit u botuan në revistën “Meht Licht” dhe rrëfenja për Man Qarrin, një ish-i burgosur politik, i cili, pa lajmëruar askënd, me qëllim që t’u mos nxjerrë kokëçarje fqinjëve me pushtetin, vetëm me gruan vendosin ta varrosin fëmijën e vdekur. U del ndihmë edhe Vesa Lisi, e cila, kur e sheh Manin si rropatej për të hapur varrin e të birit, e ndih me gjithë shpirt.

Veshja e territ me dritë

Pasi e mund frikën, duke e ndihmuar Man Qarrin në hapjen e varrit, Vesa rebelohet gjithnjë e më shumë kundër diktaturës. Edhe në çastet e takimit me Zef Brahkolën, i cili i thotë se sistemi kërkon nga ta të fusin më tepër gaz në jetën e njerëzve, ose, thënë metaforikisht, ta veshin terrin me dritë, ajo i thotë troç se drita nuk mund të gjendet askund, sepse ajo është sosur, është tretur moti. Përqasja e Shpellës së Zezë, që merrte terrin nga jashtë për t’u bërë edhe më e zezë, me bunkerët që e rrethojnë ngado është nga më mbresëlënëset. Për më tepër, ajo fillon të numërojë: Një..., pesëmbëdhjetë..., tridhjetë e pesë..., për të përfunduar: Yllëzit shfaqen në mes të territ, kurse Bunkerët shfaqen në pikë të drekës. Ajo fiton mbresën se bunkernaja e hirtë e kishte rrethuar nga të gjitha anët dhe mezi priste ta gëlltiste....

Flaka dhe ujana

Duke çuar pjesën më të madhe të kohës pranë ujanës së dy Drinave dhe të liqenit, është e kuptueshme se kjo lidhje e Flakës me ujin, si element anksiolitik, shpjegon më së miri shqetësimin dhe ankthin e saj të përditshëm. Këndelljet, pra kthimet në gjendjet e qetësisë së nevojshme shpirtërore, që i sjell ujana dhe Drini i Zi e Drini i Bardhë, sikur janë treguesi më i qartë i atmosferës së zymtë, vrasëse. Për më tepër (kapitulli 35), edhe ujana e liqenit fillon të marrë ngjyrë të tymtë. Pra, e përhimja, si ngjyrë që shpreh monotoninë, mërzinë, pikëllimin, fillon të bëhet mbisunduese. Është kjo një gjetje e autorit për të krijuar një çift sinonimik në mes të përhimes dhe të tymtës, që sikur ngjyrosin çdo gjë përreth tyre. Pjesë e kësaj grije totale është dhe thashethemnaja, që kish raste të lëvizte si një ushtri karkalecash që i sulet kallëzve të grurit mu në pikun më të madh të vapës. (Të shtojmë me këtë rast se fjalët me prapashtesën –najë, prapashtesë kjo e fshatit Lisnajë, vendlindjes së atit të tyre, bëhet një morfostilemë e këtij autori: khs. më sipër bunker-najë, pastaj thirr-najë, thashethem-najë etj. Një tjetër morfostilemë mund të merret edhe krijimi i emrave abstraktë në –i nga mbiemrat, si: that-i, egërt-i, lagët-i etj.)

 

‘Dosjet’ e motrave Lisi

Megjithëse duken si dosje, pjesët në kursiv “Për Jehonë”, “Për Flakën” dhe “Për Vesën” janë një përmbledhje e mendimit mbizotërues të qytetit për to. Jehona, ndonëse e njomë, e shoqërueshme, sa nuk mund të dallohet nga nxënëset e tjera, me një hijeshi që i derdhej lehtas prej fytyrës në të gjitha pjesët e trupit, megjithatë, sipas fjalës së urtë: Rrushi sheh rrushin e piqet, paragjykohet se do të jetë një me motrat e saj më të mëdha, prandaj të gjithë duhej të ruheshin prej bukurisë së saj të rreme.

Për Flakën thuhej se ishte një endacake, që nuk dinte kur niste dita e kur mbyllej nata, e cila rëndonte mbi atë qytet të kërrusur nga dimrat me sjelljet e saj prej të harlisure, që i kishte marrë jashtë shtetit dhe këtë të keqe kërkonte ta mbillte në qytetin e tyre të qetë dhe me liri të tepërt, në qytetin e tyre pa britma dhe pa moral të rremë. Nga ajo kishin frikë edhe fëmijët e vegjël, të cilët, kur u mësonte notin, i prekte aty ku s’duhej t’i prekte dhe fëmijët, që në fillim qeshnin dhe kënaqeshin, duke kuptuar se kishin të bëjnë me një djall me flokë të verdhë dhe nga frika se mund t’u shfaqej në gjumë, e linin vetëm në mes të ujit. Madje, për këtë nuk kishin guxim t’u tregonin as prindërve të tyre, ndaj të nesërmen ajo i priste tek uji të nisnin atë punën e fëlliqtë nga e para. Megjithatë, narratori-autor thotë se të gjithë po mësoheshin me tri motrat flokëverdha, siç qenë mësuar me dritën, bukën dhe ujin, por në fund jep dhe habinë e botës a communis opinio: “O Zot, o i madhi Zot që e kishin mbi krye, o Zot, kujt i kish falë hijeshinë!”

Për Vesën, njësoj si për Flakën, thuhej se edhe ajo luante bishtin dhe u pëlqente të dilnin shpeshherë të dyja bashkë e të gjenin strehë andej nga bunkerët.... I joshnin dashnorët e tyre, ua merrnin mendtë, ua futnin helmin në tru... Megjithatë, ata riktheshin te motrat Lisi me një dëshirë të re dhe me ethe të tjera. Për më tepër, gjithnjë sipas mendimit të botës, ato mundoheshin t’i njihnin ata sa më mirë që të luanin me ta si macja me miun. Por, sipas mendimit të botës, njeri nuk thoshte fjalë të keqe për to, sepse deheshin nga flokët e verdha. Madje, Vesa, edhe në orar të punës joshte punëtorët, të cilit mezi prisnin ditën e nesërme të shkonin në punë për të ndenjur me atë femër të shthurur. Bota nuk janë të kënaqur se ishte dënuar vetëm me pesë vjet burg, pse i kishte thirrë drejtuesit e shtetit jo me emra, por vetëm me numra. Edhe në qeli kishte kënduar këngë të huaja. Sipas tyre, edhe ajo ishte e hijshme, por ç’e donin hijeshinë e zezë?!

Alternimi i shpeshtë i mendimit të narratorit-autor me narratorin-botë i jep mundësi autorit të shprehë qoftë mendimin e tij, qoftë të botës, duke i dhënë kështu një karakter kontrastiv njësisë së veprimit.

Bërja e të gjallëve të vdekur

Në këndin e lajmërimeve njoftohet për vdekjen e Flaka Lisit, madje edhe me datën dhe orën e varrimit: dita e nesërme, ora pesëmbëdhjetë. Por, nuk ka ndonjë shënim për shtëpinë e të ndjerës dhe për ata që japin një kumt të tillë. Është kjo me siguri njëra nga metodat më të vrazhda, më terrorizuese e sigurimit kundër individëve të caktuar, të cilët me gjallje i shpall të vdekur, duke dëshmuar kështu se morali dhe metodat e tyre nuk kanë asgjë të përbashkët me përmasën njerëzore. Kjo metodë, fatkeqësisht, gjeti shprehje edhe në Kosovën e pasluftës nga segmente të ndryshme të sigurimit, duke i shpallur njerëzit e gjallë për të vdekur. Për më tepër, jo vetëm bërja e të gjallëve të vdekur, por edhe kërcënimi i të gjallëve me vdekje, sidomos i individëve të pamanipulueshëm nga këto struktura të sigurimit, u bë një gjë e zakonshme, duke krijuar kështu drama të mëdha individuale dhe familjare. Lajmin për kumtin e vdekjes së saj e mëson nga një kalimtar, i cili i lutet të shkojë vetë t’i hedhë një sy. Hutimi i saj shoqërohet nga hutimi i kalimtarëve, të cilët e kishin lexuar më parë këtë lajm. Megjithatë, ajo nuk jepet, por shpërfillëse dhe krenare, lexon lajmërimin për një koncert, duke pikëzuar sytë më së shumti në orën e fillimit të koncertit (kap. 37.). Pavarësisht nga qëndrimi i saj dinjitoz para botës, ky lajm lë gjurmë të thella në psikikën e saj, duke fituar edhe përmasat e traumës së rëndë. Kur ngel vetëm, ajo e mendon veten si do të dukej e vdekur: “Në një natë më parë tek kryet e Flakës së vdekur kishin qëndruar dy motrat. Aty kah e vona erdhën edhe komshinjtë, me të cilët i kishin shtëpitë dera-derës (...). Para se ta mbulonin me pëlhurën e bardhë, e lanë me ujë të ftohtë... E lanë përsëdyti... E lanë përsëtreti. (...) Ia mbërriti koha kur do ta nisnin të vdekurën për në bujtinëzën e fundit.... (...) Zojë Lisi kish qëndruar brenda dhe me shumë keqardhje u kish thënë se nuk as frymë dhe as shpirt të përcillte Flakën e vdekur, se qe i dyti prej fëmijëve të saj që po i fuste në tokë që në gjallje të saj” etj., etj.
Edhe të nesërmen Flaka del nga varrezat. Kur del në qytet dhe në shesh, njeri nuk i fol, askush nuk e përshëndet, kthen dhe në këndin e lajmërimeve, por aty më nuk e gjen njoftimin për vdekjen e saj.

Kjo bërje e të gjallëve të vdekur do ta ndjekë edhe pas arratisjes së saj jashtë shtetit. Hetuesi Tat Rama u kumton të motrave të saj se ajo qe mbytur në liqen, se dikush në hetuesi kish rrëfyer disa orë më parë se kish parë trupin e një femre të vdekur me flokë të verdha tek Ura e Vezirit dhe se do të bëjnë çmos të gjejnë trupin e saj sa më parë etj., etj.

Qëndrimi i paepur dhe dinjitoz i Flaka Lisit vihet re edhe në hetuesit, kur në pyetjen e hetuesit Tat Rama se me cili ka bërë për herë të parë qejf, i përgjigjet: “-E, pra, mësoje një herë e mirë: me atë që shkon gruaja jote sot e gjithë ditën e lume...”.

Pra, mund të përfundojmë pa ngurrim se romani “Tri motrat në një qytet”, një fshikullim fin i diktaturës staliniste në Shqipëri, është roman i Flaka Lisit, e cila edhe i jep strukturë unazore: fillon me arratisjen e Can Lisit dhe merr fund me arratisjen e Flaka Lisit.

Maksimumi i një mediumi

“Burrat mbi gratë”, kështu titullohej ekspozita e prezantuar nga Akademia e Arteve dje në galerinë private “Zenit Art” si një shenjë “festive” në Ditën Ndërkombëtare të Grave. Nën përzgjedhjen e pedagogëve të ateliesë multimedia/Mode/Grafika tre pedagogët Vladimir Myrtezai, Najada Hamza, Ardian Isufi, sollën konceptimet e tetë artistëve të rinj, që shtjellohen në mediumet pikturë,

fotografi, videoart e performancë. Burrat rrëfehen për gratë. Ndërhyrje artistike mbi situata të shpjegueshme ose jo, që e kanë zanafillën që nga kopshti Eden

ABDULLAH KONUSHEVCI   : Gazata Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama