Nje Hamlet i kohes sone

Një Hamlet i kohës sonë
Në revistën kinematografike "Sovjetski ekran" ishte botuar një fotografi dhe poshtë saj titulli "Studenti brilant". Bëhej fjalë për një nga artistët më të shquar të kësaj shkolle që e frekuentonin studentët nga të gjithë vendet e botës. Me emrin e tij u lidh fati dhe ecuria e shumë prej nesh, studentë e kolegë të tij. Ai quhej Kujtim Spahivogli. Emrin e tij do ta kujtojmë me mirënjohje, me dashuri, me dhimbje, me lot...

Hapi i parë

Për vetë misionin vendimtar që ka për fatet e teatrit, si krijues i spektaklit, mbi regjisorin janë drejtuar sytë e aktorëve. Që në hapat e parë të punës, regjisori i aftë, i formuar artistikisht, me horizont e fantazi krijuese, me përkushtim e përgjegjësi të lartë kërkon ta thotë fjalën e tij përmes individualitetit krijues, krijon modele spektaklesh të ndryshme nga bashkëkrijuesit e tij, gëzon besimin dhe garancinë e trupës që udhëheq. Ky besim dhe kjo garanci që burojnë nga aftësia e regjisorit, kanë të bëjnë me kushtin vendimtar që duhet të plotësohet që në hapin e parë.

Që në hapin e tij të parë Spahivogli tregon cilësi e dhunti të cilat i konkretizon në shfaqjen diplomë të dramës "I çuditshmi" të shkrimtarit e dramaturgut të shquar turk, Nazim Hikmet. Që në kontaktin e parë me trupën, në leximin e platformës regjisoriale dhe interpretimin e saj,Spahivogli shquhet për vetinë e krijuesit të spektaklit. "Autori shkruan veprën dramatike, - thoshte ai, - regjisori duhet të shkruajë spektaklin". Në punën e tij krijuese për të shkruar spektaklin, angazhimin e parë ai e përqendronte tek faza përgatitore studimore që ka të bëjë me karakterin njohës të autorit, veprës dhe epokës historike për të cilën është shkruar. Kjo fazë është informatike, por nuk është kurrsesi puna krijuese kryesore e regjisorit. Puna e vërtetë krijuese ka të bëjë me zgjimin e plotë të ndërgjegjes krijuese dhe lindjen e misionit krijues që angazhon tërë botëkuptimin artistik të tij, deri në kristalizimin e qëllimit themelor: çfarë do të them unë përmes spektaklit. Duke pasur në dispozicion: autorin, aktorin, dekorin e tërë komponentët e tjerë përbërës, regjisori krijon autorësinë e tij të plotë. "Ka regjisorë,- thoshte Spahivogli,- që flasin aq bukur në punën e tavolinës, në analizën e veprës dramatike, autorit dhe periudhën historike, zbërthimit të personazheve, sa të lenë gojë hapur. Këta regjisorë kanë vetëm një të metë,- vijonte ai duke qeshur, - nuk flasin dot përmes spektaklit".

Premiera e dramës "I çuditshmi" shënoi sukses të plotë të një firme të re plot shpresa dhe besim për teatrin tonë.

Bashkë me spektaklin premierë të kësaj drame përvijohet më tej shpërthimi i talentit të një aktori që do të arrinte më vonë kuotat më të larta të interpretimit skenik, ndoshta më të lartën në fushën e teatrit dramatik shqiptar: Kadri Roshi.

Regjisori Spahivogli në nevojë të ideve të kohës ka bërë përçapje të palodhura drejt dramaturgjisë kombëtare me shpresën e sinqertë të afirmimt të autorëve të rinj. Lëvrimet dhe kërkimet e tij regjisoriale synonin të vinin në përdorim një gjuhë të re për të shprehur tashmë ide të konfirmuara, si "Karnavalet e Korçës" të S.Çomorës në Teatrin Kombëtar të Shkupit dhe "Banjën" e Majakovskit në Teatrin e ILA. Fantazia e tij dha prova të trajtimit të lojës teatrore, të abstragimit figurativ dhe të shfrytëzimit të hapësirës skenike në planimetri dhe në lartësi.

Shfaqja e teatrit të Shkupit "Karnavalet e Korçës" erdhi në një turne në Tiranë dhe pati rast të ballafaqohej me spektaklin tashmë të konfirmuar të Artistit të Popullit Pandi Stillu. Te kjo e Spahivoglit u vu re një konceptim regjisorial krejtësisht i veçantë nga shfaqja e Tiranës, duke filluar që nga dekori plot me fantazi e duke vazhduar me karakteret e spikatur e formulim muzikor sugjestionues. Trajtimi i karnavaleve si personazh masiv që lëviz tërë kohën, i pranishëm në skenë, ishte nga gjestet më të bukura të regjisorit.

Të jesh novator në art do të thotë të hedhësh ti i pari hapin në rrugë të pashkelur, të thyesh norma e tabu, do të thotë të rrezikosh. Kujtim Spahivogli gjithmonë nuk u ndrojt: eci, rrezikoi, hodhi shpesh hapa të para...

Në vitin 1973, në fushën e luftës kundër ndikimeve të huaja, filloi sulmi frontal edhe kundër artistëve që "rrezikonin" artin kombëtar. Në mënyrë të veçantë tehu u drejtua mbi ata artistë të pagjumë, plot ambicie profesionale që kërkonin e kërkonin plot pasion e këmbëngulje dhe paradoksalisht u lanë nën mëshirën e tribunaleve të mbushur me artistë mediokër e ziliqarë, të paaftë për ndonjë ndihmesë në thesarin e artit skenik, apo mikroborgjezë që ia dinin leverdinë dhe komoditetin, çapitjes në rrugë të stërshkelura, që edhe pse largonin spektatorët nga sallat i afronin ata me "perënditë" që kishin në dorë propagandën. Këta tipa lëshonin nga tribunat gjyqësore rrufetë dhe merrnin hak për hijet që hidhnin mbi ta talentet. Mes të tjerëve në bangën e të akuzuarve u sha dhe u mallkua pedagogu dhe regjisori i shquar Kujtim Spahivogli që kishte krijuar me spektakle me vlera të padiskutueshme. U degdis në qytetin e Fierit për të punuar drejt në prodhim si punëtor krahu, sipas formulës kineze "Për riedukim".

Regjisori dhe qytetari

Spektaklet e Spahivoglit ishin të orkestruara nga një dorë e sigurtë regjisoriale dhe autoriale. Ato dëshmonin për formimin e tij të suksesshëm në një shkollë të mirënjohur me reputacion botëror siç ishte shkolla e regjisurës sovjetike me korifejtë e saj si Stanislavski, Vahtangov, Mejerhold e shumë të tjerë. Kompleksiteti shkencor i përgatitjes së tij zbërthehej në një punë të thjeshtë praktike dhe frymëzuese duke shprehur mëvetësinë e tij origjinale, ai përdorte një larmi formash për të zbërthyer të tërën dhe të veçantën, karakterin dhe unitetin e karaktereve monologun dhe vlerën e skenës masive në çastin e dhënë të spektaklit. Duke u nisur nga shpirti dhe thelbi ai dalëngadalë konturonte trupin dhe dukjen. Kjo gjë i siguronte atij vazhdimisht praninë e botës emocionale aq të nevojshme për veprën artistike. Ai përdorte me sukses metodën e etydeve. Pasi shpjegonte prirjen e skenës e detyrat e aktorëve, ai hiqte tekstet dhe i ftonte aktorët të luanin të tërë skenën, me fjalët e tyre që do tua lindte nevoja e veprimit. Kjo i vinte aktorët në pozitë të vështirë, por zgjonte tek ata krijimtarinë, të vetëndjerit, ritmin dhe i bënin të qëllonin në veprimin e saktë. Vetëm kur e arrinte këtë i rikthehej tekstit të autorit.

K. Spahivogli ishte mjeshtër i skenave masive. Tablotë e tij ishin plot lëng jetësor e të hijshme figurativisht. Puna e tij e lavdërueshme në zbërthim i ndihmonte jashtëzakonisht aktorët. Ai sugjeronte pa pushim, miratonte, shtynte në kërkim. E këtë e bënte me një lehtësi të admirueshme, mbasi për të njohja e jetës nuk ishte një porosi e bezdisshme nga lart, por pasioni i tij si artist dhe si qytetar. Miqtë e tij të zakonshëm ishin shoferët, bojaxhinjtë, mekanikët, sportistët, ministrat e natyrisht kolegët, piktorët e artistët e të gjitha llojeve, që nga ata të teatrit e deri tek ata të estradës e të cirkut.

Një pasdite në kantierin e parafabrikateve punëtorët ishin larguar të gjithë. Në tërë kantierin buzë lumit Seman kish mbetur punëtori Kujtim Spahivogli, i cili flinte atje në një kapanon të madh, i vetëm fillikat.

Nga Vlora erdhi çimentoja. Një kamion me rimorkio. Shoferi që nxitonte të kthehej pasi kish fëmijën sëmurë nisi të ankohej që s'gjeti asnjërin nga punëtorët e shkarkimit. Kujtimi befasues si gjithmone vendosi: "Do ta shkarkoj unë,- i tha shoferit, - mos u shqetëso!"

Pas 4 orësh kamioni ishte shkarkuar me gjithë rimorkio. Shoferi ndoshta nuk e mori vesh kurrë se hamalli i improvizuar ishte "Artist i merituar", ishte një nga beniaminët e regjisorëve më të mirë të Moskës, mysafir nderi i teatrit të kombësive të Shkupit dhe mësuesi i artistëve të shkëlqyeshëm: Bexhet Nelku, Edi Luarasi, Robert Ndrenika, Vladimir Prifti, Bujar Kapexhiu e dhjetëra të tjerëve.

"Ai u nis për në Vlorë tek fëmija i sëmurë, kurse unë u zhyta në Seman të freskoja muskujt e rraskapitur. Kisha një kënaqësi prej fëmije",- tregonte më pas Spahivogli.

Në këtë gjest kishte zemërgjerësi, vetëmohim, revoltë ndaj fatit, dëshirë për të luftuar vetminë, pronë të fuqisë së tij dhe kapriçio karakteristike prej artisti.

Kujtimi ishte njeri i ndershëm, i drejtë dhe hera-herës naiv. Shpesh binte viktimë e naivitetit të tij dhe i besimit të tepruar ndaj kolegëve dhe studentëve që jo gjithmonë ishin të gatuar me pastërti qiellore. Kënaqësitë e tij artistike ishin ato që e shtynin të shpenzonte honoraret duke qerasur shoferët, të mbante për drekë kandidatë të patalentuar që vinin në shtëpi të qaheshin ngaqë nuk kishin fituar konkursin për të hyrë në shkollë, të merrte pjesë në analizat e futbollistëve të "17 Nëntorit". E ai ngulte këmbë se kjo ishte pjesë e punës së tij.

Pedagogu

Padyshim ishte mjeshtër si pedagog i teatrit. Ky vlerësim nuk ngushtohet thjesht me kontributin e tij si udhëheqës artistik i trupës pedagogjike të mjeshtërisë së aktorit në Institutin e Lartë të Arteve. Si njohës i thellë i psikologjisë së njeriut, ai i kushtonte një vëmendje e kujdes procesit të analizës së personazheve, duke krijuar një bashkëbisedim demokratik, me karakter njohës e nxitës për aktorin, frymëzues e optimist, duke krijuar atë atmosferë aq të domosdoshme për një trupe teatrore. Pedagogjia e tij bazohej edhe në njohjen e psikologjisë dhe karakteristikave të veçanta të vetë aktorit, duke përcaktuar një diagramë të qartë jo vetëm në punën konkrete imediate, por sidomos në planet perspektivë të ecurisë së tyre në të ardhmen. Një nga vetitë pedagogjike tepër të çmuara është vendosja e aktorit në baza shkencore, për ta bërë të ndërgjegjshëm e të pavarur në vetëveprimin e tij krijues, për të vënë në lëvizje fantazinë dhe imagjinatën e tij. "Aktori është krijues,- thoshte ai, - dhe kur është me të vërtetë i tillë, atëherë edhe udhëheqja e vetvetes, në atë proces aq të vështirë e të ndërlikuar të krijimit të personazhit që mishëron, realizon qëllimin kryesor të regjisorit, për ta pasur si partner krijues në punën e përbashkët. Mjerë ata aktorë që janë marioneta në duart e regjisorit dhe anasjelltas, mjerë ata regjisorë që nuk kultivojnë në shpirtin e aktorit krijimtarinë".

Nuk është i rastit fakti që shumë aktorë që kanë dalë nga duart e tij janë sot aktorët më në zë të artit tonë skenik. Duke qenë regjisor pedagog, me zemër të gjerë e tepër i ndjeshëm për fatin e aktorit, K.Spahivogli kishte rreze të gjerë vështrimi për tërë artistët e trupës dhe nuk e mbështeste punën e tij sipas parimit egocentrist të regjisorëve që vrapojnë vetëm pas artistëve më të shquar të trupës, pas atyre që kishin dhënë prova dhe i garantonin suksesin.

Duke vlerësuar e aktivizuar artistët më të mirë, ai mendonte edhe për aktorët të cilëve nuk ju jepej mundësia për të shpërthyer. Njëkohësisht ndiqte edhe praktikën e aktivizimit të aktorëve të dyshimtë në mënyrë që përmes debutimit në skenë, secili të kalonte provimin, shansin e domosdoshëm. Si shembull në këtë drejtim mund të përmendim shfaqjen "Qielli i kuq" të T.Çaushit, në të cilën aktivizoi kryesisht aktorët e "stolit rezerve" dhe në mes tyre u zbuluan disa talentë, të cilët vazhduan në rrugën e tyre drejt suksesit.

Treni po ecte në drejtim të Fierit. Në një vagon ndodhi një ngjarje. Udhëtarët u ngritën dhe ndihmuan një burrë rreth të pesëdhjetave që kishte humbur ndjenjat dhe ishte shtrirë sa gjatë-gjerë në korridorin e vagonit. Udhëtarët e ngritën dhe e vendosën në ndenjëse. Një mjek që u gjend aty, e vizitoi dhe konstatoi se ky njeri po kalonte një krizë zemre. I dha një trinitrinë që ta vendoste poshtë gjuhës. Një udhëtar që e vështroi nga afër portretin e tij, u ul i tronditur pranë bashkëshortes së tij. Pas një heshtjeje të gjatë i tha bashkëshortes me zë të dredhur. Eshtë Kujtim Spahivogli.

Marrëdhënia me studentët është një nga kujtimet më të vyera që mund të lërë një pedagog mbas vdekjes së vet. Gojë ëmbël dhe gazmor ai u krijonte atyre avash-avash klimën e teatrit ku do të shkonin. Kujdesej për jetën e tyre personale, shkëmbente me ta libra dhe i ftonte në diskutimet e letërsisë dramatike dhe jo dramatike. Të shumtë ishin studentët që në ditët e tij të vështira i qëndruan pranë duke i lehtësuar vuajtjet dhe duke i dhënë ndihma materiale në të holla. Le të kujtojmë se në kalvarin e tij vite të tëra me radhë hidhërimi i kolegëve ishte i pafuqishëm për tu bërë mbështetje praktike reale. Dhe këtu miqësia më e gjendshme, më e palëkundshme, më ngushëlluesja ishte ajo e artistit punëtor Ferdinand Radi dhe ish studentit Fitim Makashi.

Vdekja e Kujtimit ju dha studentëve rastin që të mblidheshin rreth tij. Këtë herë, pedagogu, miku i tyre i shumë vuajtur si vetë Hamleti që mishëroi në skenë, ishte gojëkyçur. Sytë e tij të kaltër dhe plot gjallëri ishin mbyllur përngahera, siç mbyllet në një shfaqje sipari që s'do të hapet kurrë më. Por ka motive gëzimi dhe në çaste të tilla të hidhura. Nxënësve të tij të shumtë ju bë zemra mal kur vunë re se jashtë klisheve, në varrim erdhën të gjithë aktorët e shquar të Teatrit Popullor të Tiranës e të rretheve, kolegët, piktorë e skulptorë. Trupat artistike të kryeqytetit anulluan shfaqjet artistike të asaj dite dhe përcollën me pikëllim në banesën e fundme artistin e shquar Kujtim Spahivogli.

Pasi u godit në dhjetëra fjalime e gazeta, pasi u shkëput dramatikisht nga familja e u degdis qindra kilometra larg, pasi u detyrua të shndërrohej në një punëtor betoni, pasi u kthye pas disa vitesh në Tiranë dhe u la pa punë për katër vjet me radhë, pasi u la pa mjete jetese, pasi i prishën me përdhunë shtëpinë që pat qënë bazë e Luftës Nacionalçlirimtare me pretekstin se do të ngrinin një pallat ndërtimi që do të fillonte shtatë vjet më vonë, pasi u dërgua në fshat më në fund për të punuar si arsimtar në Bërzhitë dhe të drejtonte atje estradën amatore-regjisoriale pedagogu i shquar Kujtim Spahivogli vdiq.

Mjeku që vërtetoi vdekjen, por që nuk e njihte kalvarin, nuk konstatoi kurrfarë krimi. Vdekja ishte e thjeshtë: atak i zemrës.

Sheri Mita / Pëllumb Kulla : Gazeta Shekulli
 

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama