Restaurimi i dy godinave që spikasin për anën arkitekturore si dhe rehabilitimi i gjithë ndërtesave në rrugën kryesore, që nis nga godina e bashkisë deri tek "Dugajt e Reja", është vlerësuar jo vetëm nga banorët, por edhe nga shumë specialistë të trashëgimisë. Kjo për faktin se pjesa më e madhe e ndërtesave ka qenë në prag të shkatërrimit.
Drejtori i Ateliesë së Monumenteve të Kulturës në Shkodër, Ervin Gjini, thotë se me këtë ritëm të punimeve, qytetit të lashtë në veri të vendit pritet t'i rikthehet krenaria. Restaurimi i këtyre objekteve do të sjellë dhe rritjen e fluksit të turistëve të huaj. Në të vërtetë ritmet e punës janë të kënaqshme. Falë ndërhyrjes profesionale të specialistëve të monumenteve një pjesë e madhe e godinave në "Pjacën e Shkodrës" që sot mban emrin "13 Dhjetori", janë transformuar tërësisht. Kjo pjesë e qytetit, sipas specialistëve të monumenteve, mbart vlera të rëndësishme edhe për faktin se ajo është projektuar nga i madhi Kol Idremono, personalitet i shquar i artit pamor në fillim të shekullit të kaluar.
Zonat muzeale të qytetit të Shkodrës janë në qendër të projekteve të degës së Monumenteve të Kulturës. Drejtori Gjini tha se gjatë vitit 2007 u shfrytëzuan 8.2 milionë lekë, akorduar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Përmes këtij fondi u restauruan disa banesa 'monumente kulture', ndër të cilat përmenden ajo e Ramadan Sokolit, si dhe kalaja Rozafat apo Ura e Mesit.
Marre nga : Gazeta Shqiptare











