Gjithashtu, do të marrin pjesë në këtë koncert solistët Adrian Xhema, Ylber Gjini e Sidrit Bejleri, këngëtarja Anjeza Shahini, pianisti Genc Tukiqi, dirigjenti Ermir Krantja dhe kori e Orkestra e TKOB-it. Avni Mula ka lindur në Gjakovë në vitin 1928. Ai kreu studimet e larta në Konservatorin e famshëm të asaj kohe “Çajkovski” në Moskë, prej nga u kthye i diplomuar si këngëtar i muzikës lirike. Me kthimin në Shqipëri, për Avniun karriera ka qenë gjithmonë në ngritje duke u bërë pjesë e pandashme e Teatrit të Operës dhe Baletit me interpretimet e tij të suksesshme nëpër rolet protagoniste të operave të vëna në skenën shqiptare gjatë atyre viteve.
Mes tyre mund të përmendim operën “Mrika” të Prenk Jakovës, “Eugjeni Onjegin” të Çajkovskit, “Berberi i Seviljes” të Rosinit e shumë të tjera. Avni Mula është fitues i dhjetëra çmimeve të rëndësishme ndër vite, kombëtare e ndërkombëtare. Ndër më të rëndësishmet nga këto çmime kanë qenë ai i Festivalit të Berlinit në vitin 1951 si dhe Çmimi i Republikës i Shkallës I. “Valsi i lumturisë” do të mbetet ndoshta një nga këngët më të dashura për publikun. Kjo këngë mban firmën e Avniut dhe do të këndohet ditën e mërkurë nga e bija, Inva, e cila do të kthehet posaçërisht nga Parisi për të festuar 80-vjetorin e lindjes së të atit.
P. GROSI : Gazeta Albania











