E përpunuar nga mendimtarët më të mëdhenj evropianë, pjesa më e madhe e të cilëve nuk shkeli kurrë jashtë këtij kontinenti, ky imazh përrallor dhe i ndryshëm i Lindjes është bërë i domosdoshëm dhe mbi të gjitha për të përkufizuar identitetin tonë, atë çfarë do të donim të ishim ose që besojmë se jemi. Pararendësi i kësaj shpikjeje është babai i të gjithë historianëve, Herodoti, i cili në kronikat e tij të luftës ndërmjet grekëve dhe persianëve ndërton modelin e parë të "përplasjes së qytetërimeve". Që prej fillimeve, konflikti Perëndim- Lindje bëhet një përleshje vlerash, modele shoqërish, sistemesh politike: fitorja finale e grekëve është triumfi i demokracive kundër dhunës së ushtarëve skllevër, nën urdhrat e perandorëve të egër. Lindja është tirani, Perëndimi është liri. Ja pra ku u krijua modeli i pashkatërrueshëm. Dymijë vjet më pas, të bombarduar nga informacione të reja, pa e vënë re, vazhdojmë të shohim ndryshimin ndërmjet "tyre" dhe "nesh", ndërmjet filtrit të asaj lenteje. Ndër shekuj ideja e Herodotit u përforcua, duke e zhvilluar të gjithë potencialin e saj, i cili aplikohet në vende shumë më të largëta se Azia. Për të ripërpunuar mitin e Lindjes në erën moderne, një rol të rëndësishëm e kanë luajtur edhe dy burra, që në kohën e tyre ishin ndër të paktit që kishin një njohje direkte të Azisë. I pari është Marko Polo në fund të viteve 1200. Tregimet e tij për një Kinë fantastike të rindërtuar nga udhëtimet e tij personale të ndërthurura me legjenda dhe mite luajtën një rol të rëndësishëm në oreksin ekonomik të Evropës, duke e bërë këtë të fundit të dërgojë mercenarë e tregtarë në kërkim të një Lindjeje të largët të zhvilluar dhe rafinuar. Ndërsa i dyti është fetari Mateo Riçi, i cili jetoi në Kinë atëherë nga vitet 1500 dhe tentoi ta ungjillëzonte.
Riçi ishte i pari sonolog, i cili filloi t‘u bënte të njohur evropianëve kulturën kineze. Dhe është e vendosur zgjedhja e tij në favor të Konfucit për të qenë kundra budizmit, të cilin e mendon si një misticizëm irracional dhe supersticioz. Pikërisht kur perandoritë evropiane po e përhapnin akoma më shumë pushtetin e tyre duke pushtuar vende gjithmonë e më të largëta, në kontakt me këto qytetërime vërtetohet ideja perëndimore se popujt e mëdhenj me sistemet e tyre të pasura me vlera, besime, gjuhë, kultura, përfaqësojnë sisteme mjaft të ndara, të ndara nga kufij historikë tepër të saktë dhe shpeshherë të dënuar me pakomunikueshmëri. Në 1700-ën, Monteskje ideon konceptin e "despotizmit lindor", i cili do të përdoret mbarë e mbrapsht për të bashkuar realitete politike aq shumë të ndryshme, si për shembull dinastitë imperiale kineze, khanët me origjinë mongole, kalifatët e botës islamike otomane dhe disa kohë më vonë edhe carizmin rus. Lindja dhe despotizmi bëhen sinonime për Evropën, duke injoruar që India në vitin 1600 ka qenë një laborator politik tolerance dhe dialogu ndërmjet besimeve të ndryshme, pikërisht ndërsa në Romë, Inkuizicioni i Shenjtë dënonte Xhordano Brunon në turrën e druve për herezi. Teoricieni më i madh i superioritetit evropian është filozofi gjerman Hegel, i cili rimëkëmb idenë se Perëndimi është djepi i lirisë, duke i shtuar se është edhe mëmëdheu i shkencës dhe i teknologjisë, i racionalizmit dhe i kreativitetit individualist. Për Hegelin, qytetërimi perëndimor nuk është një prej të shumtëve, por është i vetmi i cili mund të kuptojë dhe të "përfshijë" të tjerat në sintezën e tij; është i vetmi i cili luan një mision universal. Në filozofinë e historisë hegeliane, shpirti i botës e braktis Lindjen pasive, duke u spostuar drejt Perëndimit, i cili është motori i progresit. "Modernizmi jemi ne, kinezët dhe indianët janë të dënuar për të mos përparuar, pasi janë të burgosur në traditat e tyre".
Kolonizimi anglez i Indisë (që nuk ka ndodhur kurrë), për Hegelin është i pashmangshëm dhe pozitiv. Por, gjithsesi, në botën reale pohimi i madh diskriminues i Monteskjesë dhe i Hegelit ka sukses. Anglia i zotohet idesë për një mision civilizimi, "pesha e njeriut të bardhë" e shkrimtarit Rudiard Kipling dhe e përkthen në një kompleks superioritetesh kundrejt racave të tjera. Etika e imperializmit i lejonte shumë liri: Britania e Madhe shpik narkotrafikun për të dëmtuar rezistencën e Kinës në pushtimin e tregut botëror (luftërat e opiumit në vitet 1800). "Despotizmi lindor" është rizbuluar dhe përditësuar në vazhdimësi: i pëlqen Karl Marksit, Maks Ueberit, i cili e përshkruan Indinë dhe Kinën si shtete "hidrauliko-burokratike". Ernst Junxher dhe Karl Shmit në vitin 1953 në sprovën "Nyja Gordiane" arrijnë ta përshkruajnë nazizmin si një inkursion i Azisë brenda Evropës". Për ta, në krahasimin ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes, gjeografia bëhet një metaforë e qëndrimeve njerëzore". Azia, "masë tokësore", kultivon mister, magjinë dhe shenjtërinë e pushtetit; Perëndimi, i rrethuar nga oqeane, ka si vlera lëvizjen, qarkullimin e ideve, pushtetin e limituar nga arsyeja dhe e drejta. Madje, edhe një nga sinologët më të mëdhenj bashkëkohorë, francezi Frankois Zhulien, frymëzohet nga kjo traditë, ndërsa vë në dyshim që edhe aty ka vend për demokraci e të drejta njerëzore. Një tjetër formë shpikjeje e Lindjes ka disa rezultate të kundërta me këto që kemi përmendur më sipër. Dhe mbi të gjitha, iluminizmi, i cili e përkrah Kinën me entuziazëm dhe e idealizon atë. Lideri i këtij operacioni është Volteri. Edhe ai nuk ka shkelur kurrë në Kinë, por dashurohet me të, sepse habitet nga fakti që një qytetërim i përparuar mund të themelohet në baza jo të krishtere.
E ekzalton përshkrimi (që e lexoi te Mateo Riçi) i provave meritokratike, nëpërmjet të cilave pushteti imperial përzgjedh një burokraci eficente për të administruar kombin më të madh në botë. Konfucit, si themelues i një "besimi laik", i cili mban të bashkuar shtresën sociale, duke u bazuar ekskluzivisht në atë çfarë është racionale dhe në etikën humaniste, i jepet një rol nga Volteri në luftën kundër kishës katolike. Volteri teorizon modelin e parë historik të Azisë. Në vitin 1746, në sprovën e tij për traditat shkruan se: "Nëse një filozof do të dijë se çfarë ka ndodhur në botë, duhet në radhë të parë të hedhë shikimin drejt Lindjes, djepi i qytetërimit, të cilit Perëndimi i detyrohet". Nëse konfucianizmi e josh Volterin, njëqind vjet më vonë është budizmi indian që do të frymëzojë një formë të ndryshme "orientalizmi". Lindin ndër romantikët gjermanë, Herder, Gëte, S h e l i n g , Shopenhauer etj. Ndajnë idenë se duhet të kërkohet në Azi "burimi fillestar i të gjitha ideve", shkëputen nga Volteri, sepse ajo çfarë i tërheq nga Lindja është pikërisht prototipi i kundërt: irracionalja dhe misticizmi indian. Kompozitori Riçard Uagner përshkon një fazë budiste si revoltë kundër "njerëzve të limituar dhe meskinë" të traditës evropiane. Për Niçen, e bukura e budizmit është mungesa e ndjenjës së fajit, që në besimin e krishterë është mjaft i dukshëm. Kjo tjetër Lindje imagjinare vazhdon të ekzistojë edhe në ditët e sotme. Madje frymëzon psikoanalistin Karl Gustav, i cili gjen te taoizmi një zotësi unike për t‘u sintonizuar me "eksperiencën" evropiane, për të gërmuar thellë në zonat e fshehura të psikikës evropiane, për të kapërcyer kufirin ndërmjet lëndës dhe shpirtit". Më shumë hyjnë në krizë siguritë tona mbi progresin dhe racionalitetin, Perëndimi zhytet në pasiguri dhe në boshllëkun e vlerave dhe akoma më shumë bindet se zgjuarsia e vërtetë duhet kërkuar në brigjet Gangut ose në malet e Tibetit.
Nën shok për dekadencën e dinastisë Qing, e sulmuar nga fuqitë imperialiste, në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë një elitë kineze mësohet ta mendojë historinë si një garë Lindje-Perëndim. Në të shkuarën më antike, Kina ka hasur luftëra ushtarake dhe pushtime nga popuj të ndryshëm, si ai i Xhenxhis Khan. Që prej viteve 1800, për herë të parë konflikti është ndërmjet qytetërimeve, të cilat vetë quhen superiore. Për klasën drejtuese kineze, të cilat e kundërshtojnë rënien, Perëndimi është sinonimi i revolucionit industrial , teknologjive të reja, modernizmit ekonomik etj. Mao për këtë konflikt identitetesh nxori parullën "Të ecim mbi dy këmbë": të ecim me hapin perëndimor, duke u mbështetur tek ai lindor. Nga mjekësia te filozofia, kinezët ideojnë se ekzistojnë dy sisteme: është më mirë të mbështetesh në alternativa të ndryshme, të kopjosh nga Perëndimi, kur është e vlefshme, të identifikohesh si "aziatik" kur ia leverdis.
Si pikë gjeografike, Lindja bëhet një vend i shpirtit revolucionar: "Lindja është e kuqe", është himni i të rinjve maoist në revolucionin kulturor. Edhe në Indi shoku i kolonizimit implementon shabllonë evropianë. Në 1800-ën, filozofi hinduist Vivekenanda dënon "materializmin perëndimor", duke kujtuar me zell romantikët gjermanë. Por, natyrisht realiteti është më i komplikuar: forma të ndryshme përgjegjëse të kapitalizmit kanë lulëzuar në botën konfuciane shekuj më parë se Maks Ueber të merrte meritën e etikës protestante; dhe një vizitë në tempujt indianë në ditët e provimeve universitare pasqyron utilitarizmin, që ndonjëherë fshihet pas besimit oriental. Për sa i përket qytetërimit perëndimor, kujtdo që e pyeste se çfarë mendonte, Mahatma Gandi përgjigjej: "Do të ishte një ide e mirë".
Marre nga : Gazeta Shqip











