Kriza e identiteti eshte diversiteti

Prej dhjetë vitesh ai e di se çdo të thotë të jesh i ndryshëm. Të jesh evropian, por të flasësh gjuhë të ndryshme. Të duash të integrohesh në një kulturë të madhe, duke dashur të ruash kulturën tënde. Kjo përpjekje për artistin Adrian Paci është kthyer përthyer në art, të vlerësuar madje. Është fituesi i edicionit të XI të çmimit "Pino Pascali" për artet bashkëkohore. Ceremonia e ndarjes së çmimit u zhvillua mbrëmë në orën 19.00 në Muzeun "Pino Pascali" në Bari. Artisti u prezantua nga kritiku i artit Pietro Marino e Christine Farese Sperken, titullare Katedrës së Historisë së Artit Bashkëkohor në Universitetin e Barit. "Adrian Paci përdor gjuhën e skulpturës, pikturës, videos e fotografisë për të vënë në dukje, çështjet e mëdha të ekzistencës humane; punët e tij flasin për humbjen e vendeve të nisjes. Përballon temat e kulturave migrante e nomade, tipike të bashkëkohësisë sonë, ku kriza e identitetit është diveristeti", - thuhej në motivacionin e çmimit.

Në traditën e këtij çmimi është edhe hapja e një ekspozite personale, ku Paci paraqet punë, piktura, fotografi e video të projektuara në Evropë, të grupuara nën titullin "Vend përkohshme qëndrimi". Filmimi i shkurtër u konsiderua si një metaforë tragjike e ironike mbi konceptin e nomadizmit me forcë dhe mbi kontradiktat e shoqërive në milleniumin e tretë. Është xhiruar në një aeroport të çuditshëm, në të cilin lëvizin njerëz të etnive të ndryshme, në një pritje të pa shpresë, të ndalur në një kohë pa të ardhme.

Adrian Paci është një nga të paktët artistë bashkëkohorë shqiptarë, që kanë mundur të çajnë në botën e madhe të artit evropian. I lindur në Shkodër në vitin 1969, studioi pikturë në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Për herë të parë shkoi në Itali me një bursë studimi në vitin 1992, ku vendoset përfundimisht në vitin 1997, kur Shqipëria po kalonte një periudhë shumë të vështirë. U vendos në Milano, ku jeton edhe sot. Brenda dhjetë vjetëve arriti të futet në "sistemin e yjeve" të artit kontemporan ndërkombëtar, duke marrë pjesë në dy edicione të Bienales së Venecias. Në vitin 2005 realizoi ekspozita personale në muzetë e artit bashkëkohor në Neë York, më tej në Huston, Stokholm dhe në të tjera institucione italiane publike e private. Në të njëjtën kohë me ekspozitën personale në Muzeun "Pino Pascali" Adrian Paci po ekspozon në Neë York në tre ngjarje të rëndësishme, në "PS1 MOMA", në një ekspozitë kolektive mbi artin italian në "Peter Blum Gallery" e "Smith-Steëart Gallery". Gjatë këtij viti do të marrë pjesë në Bienalen e Brukselit, në disa ekspozita personale në Qendrën e Artit bashkëkohor në Tel Aviv, "Bonnier Kunsthall" në Stokholm, "Kunstverein" në Hannover. Shumë punë të tij ndodhen në koleksione të rëndësishme publike dhe private, mes të cilave qendra "Pompidou" në Paris, "Moderna Museet" në Stokholm, "MOMA" në Neë York, "Kunsthaus", etj.

Çmimi kombëtar "Pino Pascali" u ngrit në vitin 1969 nga prindërit e atistit (Pino Pascali), Franco e Lucia Pascali, për të nderuar kujtimin e të birit, të zhdukur në kulmin e krijimtarisë artistike. Çmimi parashikon një shumë të hollash dhe organizimin e një ekspozitë për fituesin, i cili mund të jetë një kritik arti, ose një artist bashkëkohor.

Marre nga : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama