Nje vals lumturie per Avni Mulen

Një vals lumturie për Avni Mulën
Një mbrëmje koncertore jubilare me pjesëmarrjen e veçantë të sopranos Inva Mula, e cila rikthehet në Tiranë për këtë përvjetor të të atit. Në këtë përvjetor interpretojnë gjithashtu solistët Adrian Xhema, Ylber Gjini, Sidrit Bejleri, këngëtaret Anjeza Shahini, Evis Mula, pianisti Genc Tukiqi. Shoqërohen nga kori dhe Orkestra e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Drejton orkestrën dirigjenti Ermir Krantja. Koncerti organizohet të mërkurën në orën 19.00.

Lindi në Gjakovë në vitin 1928. Studimet e larta muzikore i kreu në Konservatorin "Çajkovski" të Moskës (1952-57), ku u diplomua si këngëtar lirik. Karierrën artistike e nisi menjëherë mbas kthimit nga Moska si solist në Teatrin e Operas dhe Baletit, duke realizuar role kryesore të repertorit operistik të kohës, përmes së cilave u dallua për nivelin e lartë të zgjidhjeve muzikoro-skenike. Veçohen realizimet e figurës së Figaros tek "Berberi i Seviljes" të Rosinit, Onjeginit tek "Eugjen Onjegin" të Çajkovskit dhe Gjetës tek "Mrika" e Prenk Jakovës.

Zhvilloi një aktivitet të pasur koncertal brenda dhe jashtë vendit. Veprimtarinë krijuese e nisi në gjysmën e dytë të viteve '60, fillimisht në fushën e këngës e të romancës dhe më pas si autor i veprave të mëdha vokalo-koncertale, kantata, poema vokale, etj. dhe skenike, ku veçohen opereta "Karnavalet e Korçës" dhe opera "Borana". Firmën e tij mbajnë edhe shumë këngë të muzikës së lehtë mes të cilave "Valsi i Lumturisë".

Eshtë fitues i çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, si Çmimi I në Festivalin e Berlinit, 1951; Çmimi i Republikës i Shkallës I, 1964 dhe mban titullin Artist i Popullit.

Marre nga : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama