Gjuha e filmit, sipas filmit të Balazh
Titulli: Filmkultura
Autori: Bela Balazs
Përktheu: Kristaq Dhamo
Botimet: Albin
Çmimi: 800 lekë
Bela Balazh renditet ndër personalitetet më të shquara të kulturës hungareze në veçanti dhe estetët e artit filmik në shkallë ndërkombëtare. Lindi më 1884-n në Seged (Hungari) dhe qysh në të ri e tërhiqnin filozofia dhe estetika. Pas laurimit për filozofi në Universitetin e Budapestit (1909), punoi e krijoi në Hungari gjer më 1919-n; në Vjenë e Berlin në vitet 1920-1933; në Moskë (Rusi) në vitet 1934-1945, vit në të cilin u rikthye në Hungari ku jetoi e punoi deri në fund të jetës, gusht 1949. Balazh është i njohur botërisht si një ndër më të parët dhe më të rëndësishmit estetë të kinemasë e ndërkohë një personalitet i veçantë dhe i gjithanshëm i kulturës hungareze: poet, tregimtar, romancier, skenarist, regjisor, kritik. Qysh në veprat e tij të para estetike dhe në krejt krijimtarinë e tij, u bë flamur i përpjekjeve të të gjithë atyre që e cilësonin filmin si art dhe luftonin për njohjen e të veçantave të tij artistike. I përcillte studimet e tij me një entuziazëm fanatik, me pasionin e profetit të dashuruar pas artit të ri, me një veshje tërheqëse të stilit estetik, plot aforizma dhe një polemikë luftarake. "Filmkultura" që i jepet në dorë lexuesit është një nga veprat e tij më të shquara. Ajo përbën një sintezë të plotë të mendimit estetik për gjuhën e filmit dhe mjetet filmike që nga fillimet e deri në mesin e shek. XX, shkruar me një gjuhë dhe formë tërheqëse, një nga veprat më të rëndësishme për sa i përket njohjes si art dhe të edukimit me njohuritë themelore të gjuhës së filmit.
Nëse shtrojmë pyetjen se a i vlen kohës botimi i këtij libri dhe përgjithësisht njohja me mendimin teorik të B. Balazhit, mund të përgjigjemi me një po të pakundërshtueshme. Bela Balazh arriti ta parashikojë lindjen e artit të ri në një kohë kur edhe mendimi i përparuar publik shikonte në të vetëm një zbulim teknik, një mënyrë të re prodhimi dhe shumëfishimi, detyra e të cilit ishte të konservojë përvojën vizive, madje nuk ngurronte ta cilësonte edhe si një shfaqje qesharake në panaire për plebenjtë. Deri edhe Tomas Man, mik dhe vlerësues i madh i Balazhit si shkrimtar, në një shkrim të tij për filmin më 1930-n e mohon tërësisht filmin si një vepër arti. Por mund të cilësonim me dhjetëra e dhjetëra mendime të njëjta të shprehura nga shkrimtarë, shkencëtarë e mendimtarë të shquar të atyre kohëve.
Balazhi vuri re dhe përcaktoi estetikisht më së pari se filmi ndryshon nga artet e tjera, ashtu siç ndryshojnë edhe ato nga njëra-tjetra. Ai ishte i pari që filmin e ngriti në nivelin e arteve të tjera. Ishte i pari që trokiti në dyert e akademive duke kërkuar njohjen e tij. Tashmë pranohet nga të gjithë se ai ka hedhur bazat e ndërgjegjësimit të artit kinematografik. Mendimi i Balazhit u zhvillua shkallë-shkallë, pasi arriti të përpunojë teorikisht të gjitha problemet që dilnin e që përpiqej t'i përballte krijimtaria dhe mendimi i kohës. Është kjo arsyeja që veprimtaria e tij teorike të çudit me saktësinë historike të përcjelljes së mendimeve dhe të unitetit të tyre. Botimin e veprës e justifikon kësisoj rëndësia e saj historike. Por jo vetëm kaq. Teoria e Balazhit, në shtyllat e saj kryesore edhe sot e kësaj dite qëndron solide. Në teorinë e tij është e pamundur të mos vëmë re mendime të freskëta, ide dhe mundësi artistike që ende presin të realizohen. Gabimet si dhe parashikimet e parealizuara, janë gjithashtu interesante, nxitëse dhe mësimdhënëse...
Lexime filozofike
Titulli: Kant - kritika e arsyes së pastër
Autori: Ralf Ludwig
Përktheu: Valentina Kazanxhi
Çmimi: 600 lekë
Libri paraqet një grishje nga ana e lexuesit të specializuar, për t’u nisur bashkë me të në një udhë jo shumë të lehtë dhe për t’u familjarizuar dora-dorës me fjalorin tipik të artit, e për të arritur më në fund ta lexojmë drejtpërdrejt veprën e tij të madhe, në mënyrë të këndshme e të dobishme.
Titulli: Adam Smith - pasuria e kombeve, tekste dhe komente
Autori: Helen Winter, Thomas Rommel
Përktheu: Valentina Kazanxhi
Çmimi: 600 lekë
Smithi është një shkrimtar i përkorë dhe i këndshëm, një filozof i mprehtë dhe ironik, por gjithnjë shumë i prerë që nuk mund të rrijë pa i shprehur kritikat e tij në mënyrë të tillë që budallallëku dhe padija të demaskohen vetiu. Kjo e vendos atë në traditën e gjatë të iluminizmit anglez. Vepra "Pasuria e kombeve" mund të vlerësohet si një nga shtyllat e mendimit politik ekonomik.
Titulli: Bashkëpirja
Platoni
Përktheu: Shpëtim Doda
Lexime filozofike, tekste dhe komente
Çmimi: 1000 lekë
Tek “Bashkëpirja” (apo “Gostia” ose “Simpoziumi” siç e përkthejnë disa përkthyes), më letrari dhe artistiku ndër të gjithë dialogët e tjerë filozofikë të Platonit, autori paraqet dëshirën për hulumtim dhe kuptim filozofik të dashurisë sikur ajo të ishte në vetvete një shpërndërrim i dëshirës seksuale. Idetë dhe konceptet e Platonit mbi Erosin sot krahasohen me ato të Frojdit, siç trajtohen edhe në komentarin shoqërues të këtij botimi. "Bashkëpirja" botohet me tekstin origjinal përballë dhe shoqërohet me një komentar të plotë.
Titulli: Teoria politike perëndimore
Autori: Lee Cameron McDonald
Përktheu: Julian Qineti, Elton Tahirllari
Tekste dhe lexime nga autorët antikë deri tek iluminizmi
Çmimi: 800 lekë
Në këtë vepër lexuesi do të gjejë të sistemuar në mënyrë kronologjike dhe disiplinare teoritë më të rëndësishme të politikës, ato që ndryshuan rrjedhën e ngjarjeve, emrat e sundimtarëve, format e qeverisjeve, kufijtë e shteteve dhe
besimeve, dhe, që tek e fundit, bën të ndryshojë edhe njeriun si banor i hapësirës dhe kohës.
Anatomia e një vrasjeje
Titulli: Një armë në shtëpi
Autori: Nadine Gordimer
Përktheu: Xhimi Lazri
Roman
Shtëpia botuese: Dora d'Istria
Çmimi: 500 lekë
Një anatomi morale pasionante e një vrasjeje. Më e ndërlikuar se një histori e verdhë, romani i ri i Nadine Gordimer përballë historisë, racës njerëzore, identitetit seksual, universit të vlerave sociale dhe etike, vazhdimisht në lëvizje sipas ritmeve shpesh të paparashikueshme. Një nga librat më përfaqësues të çmimit “Nobel” afrikano-jugor.
Nadine Gordimer, e cila ka fituar çmimin “Nobel” për letërsinë në vitin 1991, ka lindur në Transvadal më 1923-n dhe jetën e saj ia ka përkushtuar letërsisë dhe luftës kundër aparteidit. Është autore e romaneve, tregimeve, studimeve, si: Një botë me të huaj (1961), Diçka atje jashtë (1984), Rast dashurie (1984), Një mik nderi (1985), Forca e natyrës (1987), Qershori (1991), Historia e djalit tim (1991), Asnjë përkrah meje (1994), Të shkruash dhe të jesh (1996).
Titulli: Higjiena e një vrasësi
Autori: Amelie Nothomb
Përktheu: Saverina Pasho
Botimet: Dita 2000
Çmimi: 500 lekë
Kur u bë publik lajmi se shkrimtari i madh Pretekstat Tak do të vdiste brenda dy muajve, gazetarë nga e gjithë bota kërkuan takime private me tetëdhjetëvjeçarin. Plaku gëzonte një emër të madh, sigurisht; megjithatë, ishte çudi të shihje të vraponin drejt shtratit të romancierit frankofon, emisarë të të përditshmeve aq të njohura, si: “Zërat e Nankinit” dhe “The Bangladesh Observer”. Kështu, dy muaj para vdekjes, z. Tak arriti të krijonte një ide mbi rëndësinë e famës së tij. Sekretari i tij u ngarkua të bënte një përzgjedhje drastike të kërkesave: ai ktheu mbrapsht gjithë gazetat në gjuhë të huaj, sepse shkrimtari fliste vetëm frëngjisht dhe nuk i zinte besë asnjë përkthyesi. Nuk pranoi asnjë reporter me ngjyrë, sepse me kalimin e moshës kishte filluar të mbante fjalime raciste, që nuk përputheshin me bindjet e tij të thella. Në lidhje me këtë fakt, studiuesit e veprave të tij, të sikletosur, mendonin se kishin të bënin me një dëshirë pleqërie për të skandalizuar të tjerët. Më në fund, sekretari i shmangu me mirësjellje kanalet televizive, revistat e grave, gazetat e gjykuara si shumë politike dhe veçanërisht revistat mjekësore, të cilat kërkonin të dinin shkakun e kancerit kaq të rrallë, që kishte prekur njeriun e madh të letrave...
Titulli: Pafajësi vrastare
Autori: Nora Roberts
Përktheu: Dorjana Ndoi
Roman
Botimet: Dudaj
Çmimi: 850 lekë
Kerolaina Uevwrli, një violiniste me shumë emër, shkon në qytezën e Pafajësisë, në Misisipi, për të marrë veten pas një turneu dërrmues për trupin dhe shpirtin e saj. Teksa qëndron në shtëpinë e së gjyshes, në vend që të bëjë pushime të qeta e çlodhëse, bie pre tensionesh të forta e një serie vrasjesh të pazbuluara që tronditin qytezën. Teksa mblidhen lloj-lloj dyshimesh e dashaligësish, Kerolaina njihet me një pjesëtar tërheqës e të rrezikshëm të një familjeje të pasur e të trazuar të atij vendi. Frika se mos lëndohet sërish shpirtërisht del në plan të dytë
përballë rrezikut real vdekjeprurës që përvidhet nëpër qytezë.
Nora Roberts - Fituese e çdo çmimi për romancë të jashtëzakonshme dhe shkrimtarja e parë e radhitur në Hollin e Famës për shkrimtarët amerikanë të romancave. Nora Roberts është një shkrimtare bestsellerësh në mbarë Amerikën, me një rreth të gjerë e të përkushtuar lexuesish. Për të janë shkruar artikuj në gazetën "The Wall Street journal", "The New York Times" dhe "Cosmopolitan".
Titulli: Nuk ka më rrathë Danteskë
Autori: Kristaq Laka
Fabula
Botimet: Emal
Çmimi: 400 lekë
Një botë me fabula
Publicisti e gazetari Kristaq Laka ka botuar e hedhur në qarkullim vëllimin e dytë poetik me fabula "Nuk ka më rrathë Danteskë". Libri fakton talentin e autorit në fushën e fabulistikës, që me mjeshtëri e origjinalitet trajton me humorin e hollë dhe satirën therëse fenomene shqetësuese të shoqërisë sonë. Autori qëmton në problemet e kohës dhe shkruan me gjuhë të pasur, të zgjedhur e të kuptueshme nga lexuesit, me figura të shumta artistike. Fshikullimi i ligësive, padrejtësive, dyfytyrësive, abuzimeve, korrupsionit, etj., bën që të mbrohen ligjet, e vërteta, drejtësia dhe të zbatohen në interes të shoqërisë sonë. Në katër kapitujt: Fjala, Degët dhe lisi, Një qen për një njeri, Korbi t'i nxjerr sytë, dhe në shtojcën janë 110 fabula me tematikë të larmishme. Llambro Ruci, i cili përgatiti dhe botimin e librit të Lakës, ndër të tjera shkruan për autorin se "është një talent i pjekur që di të shfrytëzojë përvojën e satirës dhe të humorit shqiptar e të botës, duke e inkuadruar bukur në kohën dhe në problemet e ditëve tona, me një gjuhë të pasur e të freskët, ide që rrahin shqetësimin qytetar për gjërat që na rrethojnë e që përbëjnë botën tonë...".
N. Blushi
Marre nga : Gazeta Metropol











