Kush e vrau pikturen

Kush e vrau pikturën


E pyetëm artistin për pikturën, ndoshta për t‘i dhënë përgjigje një nga pyetjeve që çdo shikues i zakontë i artit do të bënte nëse do të gjendej përballë formave të reja që ka sot si video apo instalacioni. Thjesht për të ditur se çfarë ka ndodhur me pikturën dhe përse artistët e rinj gjithnjë e më tepër kërkojnë të shprehen nëpërmjet mediumeve të tjera. Dhe ai tregoi se piktura është ajo që e mban thellë brenda vetes, ajo që e lëndon ndonjëherë teksa sheh se nuk po i afrohet dot.

Tashmë Dritoni ndodhet në Berlinalen e Berlinit, si pjesë e axhendës së tij prej një artisti që prek caqet më të larta ku bëhet arti sot. Një javë më parë, një punë e tij u prezantua bashkë me një grup të tjerë artistësh të rinj kosovarë në Novi Sad, ekspozitë e cila nuk mund të shmangte konfliktet politike. Me stilin e tij kritik dhe pak ironik Dritoni pikturoi personazhet e katër kuratorëve të skenës botërore artistike, Harald Szeman, Rene Block, Giacinto Pietroantoni dhe Edi Muka duke parafrazuar personazhin e Presidentit amerikan me gishtin tregues dhe fjalët: "Të dua ty për ushtrinë e artit bashkëkohor". Punët e tij, me të cilat ka pasur jo pak sukses në arenën e sotme të artit, mbartin këtë rebelim ndaj së përditshmes që herë pas here na lëndon, dhe që arti nuk mund të mos ta godasë. Më poshtë Dritoni rrëfen lidhjen e tij me pikturën, videon, instilacionin dhe nevojën për t‘u shprehur në shumë mediume njëherësh.


Si do ta kujtonit lidhjen tuaj me pikturën?


Mendoj se në zemër jam ende piktor i përbetuar, kjo është një nga fjalitë që them shpesh kur takohem me artistë nga vende të botës, dhe që merren më shumë me video, instalacion apo media të tjera të kohës sonë.

Ka disa gjëra që i mbaj gjithnjë brenda vetes, si p.sh. ndjenja kur shoh një pikturë, apo ndonjë vepër tjetër në një medium ndryshe. Disi të tjerat, ose më bëjnë për vete shpejt, ose më lodhin….Kurse te piktura kjo nuk më ndodh.

Më duhet të rrëfehem edhe për diçka…Videon nuk e kam shumë për zemër edhe pse me instalimin dhe me videot e para kam pasur shumë sukses jashtë vendit. Ajo çfarë më ngushëllon është se instalimi dhe fotoja e parë, të dyja kanë të bëjnë me pikturën. Instalimi: "Kush e vrau pikturën? Shprehja krejt atë çfarë unë ndjeja me atë çfarë ndodhte me pikturën në Kosovë apo në botë. Dhe më pas ndjeva se në ato momente piktura kishte përjetuar një ringjallje.

Fotoja "Ju betohem se jam piktor" u realizua menjëherë pas instalacionit si pasojë e brerjes së ndërgjegjes, sepse po kaloja ngadalë në mediume të tjera .


A keni pasur modele të cilat kërkonit t‘u ngjanit? A janë ende ato një frymëzim në punën tuaj?


Jo. Ekziston vetëm një punë që do të doja të kishte qenë e imja. Ajo është vepra e Santiago Serrës në Bienalen e Venedikut, ku ai nuk i lejoi të hynin në pavijon vizitorët që nuk kishin pasaportë spanjolle.

Si rritet një artist. A mund të më tregoni se ç‘rrugë i është dashur të përshkruajë Dritonit për të mbërritur këtu ku është tani?


Ndodh që artisti mund të rritet herë shumë ngadalë e herë shumë shpejt. Rruga ime ka qenë vërtet një rrugë në kuptimin e plotë të fjalës, çka reflektohet edhe në ciklin tim të pikturave me Kofera. Për sa i përket mbërritjes këtu ku jam sot, kjo i ngjan më së miri një udhëtimi të gjatë në vetvete, për arsye se në botën e artit asnjëherë nuk mund t‘i kesh të gjitha. Është thjesht Dritoni që përpiqet të realizojë atë çfarë ka dashur gjithmonë.

Ju udhëtoni shumë. Ç‘pozicion zënë vendet që shihni në punën tuaj?

Vendet më ndihmojnë të mendoj më shumë për vendin tim.

Le të ndalemi te një nga punët tuaja "Muri". A mund të  na e shpjegoni filozofinë e saj?


e "Murin" jam munduar të vendos një monument për të gjitha ato dyndje, zhvendosje, ndalesa, ndarje, nëpër të cilat kemi kaluar.

Përse zgjidhni për t‘u shprehur në forma të tjera larg pikturës. Çfarë mendoni për këtë të fundit, mbi mënyrën sesi shihet nga të rinjtë?

Për arsye se disa ide nuk mund t‘i pikturosh.

Çfarë mendoni për artin bashkëkohor, nga se frymëzohet më shumë ai?

Le të frymëzohet nga kudo, vetëm nuk bën kurrsesi të injorohet fakti që në ditët e sotme në shekullin e 21, i pritet koka njeriut dhe me miliarda njerëz mund ta shohin "live".

Por për artin që zhvillohet brenda hapësirës shqiptare?

Kurrë nuk ka qenë më i suksesshëm dhe po e përsëris se artistët vizualë janë artikulli ynë më i madh eksportues.

Çfarë është të shprehurit nëpërmjet artit për Dritonin?


Të japësh sa më shumë impulse në shoqëri dhe mundësisht të rrokullisësh disa gurë qofshin këta dhe guralecë.

Si lind një vepër artistike te ju?


Vjen momenti magjik dhe bëhet...mirëpo gjithnjë si prapavijë ka një kohë të konsiderueshme kacafytjeje me atë vepër.

Sa ka ndikuar fakti i të qënurit nga një vend ende i pastabilizuar politikisht si Kosova në punën tuaj?

Ky fakt është nganjëherë shumë pozitiv dhe duhet të shfrytëzohet me mençuri, por duke mos harruar që arti nuk duhet të njohë kufij dhe gjeografi.

Ka më shumë dashuri apo trishtim në një vepër të bërë
nga Dritoni?

Doja të thosha pikëllim, ironinë, humorin, sarkazmën, trishtimin e mbështjellë me dashuri.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama