Para disa ditësh, ministri Pango dhe homologu i tij helen, z. Liapis, gjatë një ceremonie kanë nënshkruar aktin e riatdhesimit të statujave antike. Madje, nga të dyja palët është folur edhe për rikthim reciprok të veprave të trashëgimisë kulturore që mund të jenë trafikuar në të dyja vendet e më gjerë. Objektet e vjedhura janë gjetur në Pire dhe për trafikuesit e tyre është proceduar penalisht sipas ligjit grek.
Objekti i parë është shtati i Artemisës, me material mermeri dhe teknikë gdhendjeje, që i përket kulturës paraqytetare ilire, periudhës helenike, shek II para Krishtit. Statujës i mungojnë 2 krahët dhe koka. Busti është i perëndisë femërore Artemis. Ajo ka të veshur një mantel të gjatë të palosur, ku nën gjoks krijon një apoptygma (lloj manteli palë-palë). Zota paraqitet në lëvizje. Është zbuluar në vitin 1958, në kodrën e Finiqit dhe është ruajtur deri në vitin 1997 në Muzeun e Butrintit. Lartësia e saj është 1.25 metra.
Objekti i dytë është i bërë me material mermeri dhe teknikë gdhendjeje. Shtati i Apollonit i përket periudhës së shek. II pas Krishtit, (periudha romake). Aktualisht statuja është acefale (pa kokë), por koka është punuar më vete dhe tani ruhet në Muzeun e Butrintit. Ajo u gjet nga arkeologu italian Ugolini në Nymfeun (fontana) e Butrintit. Lartësia është 1.38 metra.
Marre nga : Gazeta Albania











