Si rrallëherë, holli i teatrit të Shkodrës ishte tejmbushur me pjesëtarë të trupës së këtij teatri, veteranë që kanë shërbyer pranë tij, por edhe shumë të tjerë të kësaj fushe të ardhur nga Tirana, Durrësi dhe rrethet e tjera të vendit. Së bashku me artdashës dhe anëtarë të familjes Banushi ata, në të njëjtën kohë, nderuan dhe kujtimin e “Artistit të Popullit”.
Në promovimin e librit “Me Tano Banushin dhe humorin e tij”, aktori i njohur Zef Deda, i ka interpretuar dhjetëra role përkrah “Artistit të Popullit”, falënderoi autorin Alibali, i cili me mjeshtëri dhe profesionalizëm ka përshkruar jetën dhe vlerat e padiskutueshme të mjeshtrit të humorit. Deda foli me emocion dhe për kujtimet që ai ruan nga jeta dhe karriera e pasur artistike e aktorit Banushi. Ndërsa autori i librit, Isa Alibali, tha se “kam pasur fatin e madh të punoj me mjeshtrin e madh, Tano Banushi, në teatrin “Migjeni”. Kësisoj kujtimet, përshtypjet, vlerësimet dhe emocionet rreth kësaj figure janë tepër të mëdha, çka më shtynë që ta kujtoj Banushin me këtë libër që flet përgjithësisht për vlerat e tij të jashtëzakonshme në fushën e humorit dhe për ecurinë e karrierës dhe jetës së tij”. Në librin e tij janë publikuar 123 fotografi, që pasqyrojnë të gjitha etapat e jetës së Banushit, por edhe shumë momente nga karriera e tij.
Për vlerat e librit “Me Tano Banushin dhe humorin e tij”, si dhe për figurën e këtij artisti folën dhe shkrimtari e dramaturgu i njohur, Fadil Kraja, historiani Josuf Shpuza, regjisori nga Durrësi, Gjergj Vlashi, bashkëpunëtor me Tanon, humoristja e teatrit “Migjeni”, Drande Xhaj. Ajo solli kujtime nga bashkëpunimi me aktorin Banushi, ndërsa interpretoi një poezi në shenjë kujtimi dhe respekti ndaj tij. Bashkëshortja e “Artistit të Popullit” dhe djali i tij Moisiu, falënderuan të gjithë pjesëmarrësit për respektin që treguan për figurën e Tano Banushit, dhe në veçanti autorin Isa Alibali për punën me shumë pasion në realizimin e këtij libri.
Marre nga : Gazeta Standard











