Sipas një studimi të nga University College në Londër në bashkëpunim me British Library: përdoruesit e internetit janë më të shpejtë në kërkim, më me padurim, ndonëse në fund ata gjejnë gjithçka, nuk dinë nga t´ia nisin me rezultatet e gjetura. Nuk hulumtohet mbi përmbajtjet, ato nuk klasifikohen dhe nuk verifikohen. Kjo prek të gjitha grupmoshat.
Klikime të nxituara andej këndej, faqet në veb rrëmohen me padurim mbi bazën e fjalëve kyçe dhe me të gjetur artikullin e parë më të mirë kërkimi merr fund. Kështu hulumtohet sot në internet. Me shpejtësi, në mënyrë sipërfaqësore e para së gjithash pa i verifikuar saktë informacionet e gjetura. Të njëjtën gjë bëjnë të gjithë përdoruesit, në këtë përfundim arrihet në studimin britanik, pavarësisht nëse ata janë të moshuar apo të rinj, nëse ata janë akullorexhi apo profesorë. Joana Newman nga British Library ka bashkëpunuar në studimin mbi të ashtuquajturën gjenerata google: „Përdoruesit më shumë shohin se sa lexojnë, ata orientohen dhe shpërqëndrohen prej fotografive dhe animacioneve. Në këtë mënyrë informohen jo vetëm të rinjtë, që nuk e njohin më botën pa internet. Çdo grupmoshë vepron në të njëjtën mënyrë sipërfaqësore me materialin e ofruar on-line. E që të gjithë janë njëlloj të padurueshëm. Nëse diçka nuk shfaqet menjëherë, atëherë ajo injorohet. Me kohë ky do të jetë një problem serioz, nëse nuk do të merren masa kundër një zhvillimi të tillë.“
Biblioteka klasike një domosdoshmëri!
Nga njëra anë përmes lidhjes së internet kushdo mund të ketë në shtëpi një shumëllojshmëri materialesh si kurrë më parë. Në këtë kuptim bota virtuale i ka shmangur pengesat për të pasur akses kudo. S´ke më nevojë të largohesh nga tryeza e punës, të respektosh oraret e bibliotekave apo të kuptosh sistemet enciklopedike të koduara në mënyrë komplekse. Por kjo ofertë gjigande ka edhe të papritura. Si duhen përzgjedhur informacionet e sakta? Cili është ekspert dhe cili ofron përmbajtje të panevojshme, dhe si mund të verifikohet kjo në inetrnet? Këto pyetje përdoruesi as që i shtron fare, e ky është rezultati tronditës i këtij studimi. Pra ata gjejnë gjithçka që kërkojnë. Por nuk janë në gjendje të veprojnë më tutje me rezultatet e gjetura. Kjo do të thotë, se sa më shumë rritet bota virtuale, aq më shumë dobësohen aftësitë për të klasifikuar, vlerësuar, seleksionuar apo për të shtruar pyetje kritike. Në afatgjatë ky zhvillim do ta rezikojë shoqërinë tonë të dijes, thotë Joana Newman: „Në navigosh në xhunglën e internetit, do të thotë që kjo duhet mësuar. Google nuk është i vetmi makinizëm kërkues, por ka një sërë sistemesh të tjera. Fakt është që firmat përdorin truke në mënyrë që emri i tyre të shfaqet vazhdimisht. E për këtë duhet të ketë shkolla. Ato duhet të sqarojnë dhe t´i mësojnë fëmijët, se si funksionon interneti. Po ashtu edhe qeveritë duhet të sigurojnë ekzistencën e mëtejshme të bibliotekave klasike. Janë pikërisht këto që mund të ndihmojnë si një udhërrëfyes në botën virtuale për të dalluar informacionet e gabuara nga ato të sakta.“
Studjuesit: Teknologjia dhe përgjegjësia duhet të zhvillohen së bashku
Ajo që tërheq veçanërisht vëmendjen në këtë studim është, se me internetin po shkurtohet vazhdimisht koha e të lexuarit. Për këtë studjuesit londinezë hulumtuan veprimet e të abonuarve nëpër gazeta, të cilët lexojnë vetëm botimet elektronike të tyre. 60% e tyre lexojnë më së shumti vetëm tri faqe të gazetës dhe nuk i kërkojnë artikujt sërish. As në këtë rast nuk luan rol mosha: Klishetë, sipas të cilave shumica e të rinjve navigojnë në faqe të tilla si Facebook, Wikipedia etj. tashmë i përkasin së shkuarës. Edhe njerëz të kualifikuar të brezit të lindur në vitet gjashtëdhjetë bien pre e ofertave Blogger dhe u besojnë atyre. Studjuesit nxjerrin një mësim të qartë: Ato kërkojnë kthimin tek arësyetimi kompetent: Teknologjia dhe përgjegjësia duhet të zhvillohen së bashku. Ndonëse studimi i britanikëve u publikua në mes të janarit, deri tani ai nuk ka shkaktuar reagime në Britaninë e Madhe.
Engel, Silke / London











